Ndërlidhjet

SHTYRJA E ZGJIDHJES PËR KOSOVËN MUND TË RIKTHEJË LUFTËN DHE JOSTABILITETIN


ECONOMIST

Muaj me radhë, diplomatët thoshin se kjo do të ishte java kur presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe ai i Shteteve të Bashkuara George Bush do të arrinin një marrëveshje, jo për Kjoton por për Kosovën. Shpresa ishte që z. Putin do të jepte pëlqimin për pavarësinë e Kosovës në këmbim të koncesioneve gjetkë. Por tash është e qartë se kjo nuk do të ndodhë.
Kosova teknikisht ende është pjesë e Serbisë ndonëse prej vitit 1999 administrohet nga Kombet e Bashkuara. Rreth 90% e 2 milionë banorëve të saj janë shqiptarë, të cilët duan pavarësi. Plani i hartuar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, ish presidenti finlandez Martti Ahtisaari, e propozon pavarësinë me disa kufizime të vogla por gjithashtu i jep koncesione pakicës serbe. Problemi është se pa dakordimin e Serbisë, Rusia do të vazhdojë të kundërshtojë planin e Ahtisaarit, dhe duket e gatshme të vë veto në Këshillin e Sigurimit.
Diplomatët amerikanë kanë lënë të kuptohet se nëse ndodh kjo, atëherë ata mund t'i inkurajojnë shqiptarët e Kosovës që të shpallin pavarësinë, dhe pastaj ta njohin shtetin e ri. Ky plan mund të ekzistojë, por do të hasë në rezistencë nga Bashkimi Evropian. Plani i Ahtisaarit propozon zëvendësimin e strukturës së Kombeve të Bashkuara me ate Bashkimit Evropian, si dhe parasheh një guvernator ndërkombëtar, ashtu si në Bosnje. Por, pa rezolutë të Kombeve të Bashkuara, ndryshimi i tillë mund të mos ishte legal.
Për këtë arsye, disa diplomatë tash pohojnë se do të ishte më mirë që e gjithë çështja të shtyhet deri më shtator. Por, meqë shtatori është shumë afër zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit në Rusi dhe atyre presidenciale ruse në mars, nuk ka ndonjë arsye të mirë të pritet rusët të ndërrojnë mendjen e tyre. Të paktën, bisedimet për shtyrjen ende nuk kanë shkaktuar telashe në Kosovë.
Kjo pak u vjen si lehtësim jo vetëm diplomatëve perëndimorë, por edhe serbëve. Nëqoftëse në Kosovë sërish do të shpërthenin luftime, atëherë me siguri serbët do të ishin viktimat e para. Përveç kësaj, qeveria e re e Serbisë ka edhe ambicjet e veta për t'iu bashkangjitur Bashkimit Evropian. Bisedimet me Brukselin tash mund të vazhdojnë pas arrestimit të gjeneralit Zdravko Tolimir, një nga gjashtë serbët e akuzuar për krime lufte, të cilët ende janë në arrati.
Zyrtarët e BE-së insistojnë se bisedimet me Serbinë nuk mund të kompletohen pa arrestimin e Ratko Mlladiq. Kryeprokurorja Carla del Ponte tha se arrestimi i tij është çështje javësh.
Mirëpo, nëse Koshtunica dëshiron ta dobësojë vendosmërinë e Bashkimit Evropian për Kosovën, atëherë ndoshta edhe do ta arrestojë gjeneralin. Në atë rast, kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës mund të pohonin se Serbia po ndëshkohet, edhe pse ajo po bashkëpunon. Por problemi është se nëqoftëse Kosova i humb të gjitha gjasat për pavarësi, atëherë mund të rikthehen lufta dhe jostabiliteti. Politika në Ballkan, ashtu si në vende tjera, ka të bëjë me zgjidhje të vështira.


XS
SM
MD
LG