Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR VIZITËN E PRESIDENTIT BUSH NË TIRANË


“New York Times”, “The Guardian”, “Financial Times”, “Wall Street Journal”

Sondazhet mbi popullaritetin e presidentit amerikan, George Bush, mund të flasin për një rënie, por gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në këtë vend me ndjenja të pakushtëzuara pro-amerikane, ai është trajtuar si një yll, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja “New York Times”. Mijëra njerëz janë grumbulluar në sheshin Skënderbe, me flamuj dhe veshje simbolike të Shteteve të Bashkuara, duke shpresuar se do të mund t’i hedhin një sy eskortës presidenciale. Ky vend me shumicë myslimane, me një popullatë prej 3.6 milionë banorësh, është pikërisht i llojit që më së shumti i pëlqen zotit Bush: një demokraci në rritje, historia e të cilit ka të bëjë me shkëputje dramatike nga pushteti totalitar. “New York Times” shkruan se madje edhe lufta në Irak, në këtë vend, është e popullarizuar dhe e cilësuar si luftë e drejtë. Gazeta citon Sami Berishën, i cili kishte udhëtuar nga Kosova për ta pare presidentin amerikan, duke thënë se nuk mund të kuptojë njerëzit që protestojnë kundër presidentit amerikan. “Demokracia fillon në Amerikë”, ka thënë ai.
E përditshmja tjetër “The Guardian” shkruan se presidenti amerikan, ka thënë në Tiranë se e ka vendosur që Kosova të jetë e pavarur, duke e sfiduar kësisoji presidentin rus, Vladimir Putin, që të heqë dorë nga përpjekjet për të bllokuar rrugën e shtetësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Gazeta citon zotin Bush të ketë thënë se “synimi kryesor është pavarësia, njerëzit e Kosovës duhet ta dijnë këtë dhe nëse bëhet e qartë se kjo nuk do të ndodhë për një kohë të shkurtër, sipas mendimit tim, duhet të sjellim rezolutën”, ka thënë presidenti amerikan. Por, Guardian shkruan se nëse nuk ka arritje, analystët perëndimorë pohojnë se Washingtoni do të mund ta trimërojë Kosovën që ta shpallë pavarësinë. Momenti më kritik, shkruan “The Guardian”, mund të vijë pas disa javësh, gjatë vizitës së presidentit rus në rezidencën familjare të presidentit amerikan.
Në këtë kuadër, e përditshmja tjetër, “Financial Times” shkruan se Washingtoni nuk do të bëjë kompromise me Moskën rreth së ardhmes së Kosovës.
Fjalinë e zotit Bush se “herët a vonë, duhet thënë se mjaft është mjaft dhe se Kosova është e pavarur”, gazeta e ka cilësuar si mundësi e ngritur nga Shtetet e Bashkuara për njohje të njëanshme të pavarësisë nëse Rusia vazhdon të bllokojë procesin në Kombet e Bashkuara. Washingtonit është duke i humbur durimi me procesin e ngadalshëm në Kombet e Bashkuara për ta vënë Kosovën drejt pavarësisë dhe bllokimi tani është kombinuar me mosmarrëveshjet rreth programit mbrojtës raketor, duke krijuar kësisoji tensionet më serioze midis Moskës dhe Washingtonit që prej luftës së ftohtë, shkruan “Financial Times”.
E përditshmja tjetër ndërkaq “Wall Street Journal” shkruan se tani nuk është koha për hamendje. Presidenti Bush në Tiranë e ka bërë të qartë qëndrimin e palëkundshëm mbi pavarësinë e Kosovë, duke e hedhur poshtë dialogun e pafund mbi atë për të cilën tashmë është vendosur.
Gazeta shkruan se kosovarët kanë pritur mjaft dhe Washingtoni mund të mos i vë veshin blofit të Rusisë dhe të detyrojë votimin në Këshillin e Sigurimit. Dhe nëse Rusia vë veto mbi planin e ndjeshëm të Martti Ahtisaarit, atëherë Kosova ka të drejtë të shpallë pavarësinë dhe të kërkojë njohje ndërkombëtare, e cila do të vinte nga vendet perëndimore. Qëndrimi parimor i zotit Bush në emër të vendeve të vogla evropiane mbi të drejtën për vetëvendosje dhe liri është më e mira që Amerika mund të bëjë në Evropë. Përgjigja e vendosur e presidentit amerikan ndaj këmbëngulësisë së zotit Putin është gjithashtu modeli më i mirë për trajtimin e çështjeve tjera kundërthënëse midis Moskës dhe Washingtonit, shkruan në fund “Wall Street Journal”.

XS
SM
MD
LG