Ndërlidhjet

SA ËSHTË REAL RREZIKU PËR NDARJE TË KOSOVËS?


Albana Isufi

Vërejtja që anëtari i Ekipit Negociator, Veton Surroi, ka dhënë për rrezikun e ndarjes së Kosovës, ka reflektuar në mënyra të ndryshme te pozita dhe opozita. Surroi ka thënë për herë të parë në cilësinë e anëtarit të Ekipit Negociator, se ndarja e Kosovës është rrezik që duhet kalkuluar. Duke aluduar në pjesën veriore, ai ka thënë se Kosova qysh tash është e ndarë në funksionimin e saj të drejtpërdrejtë, meqë institucionet qendrore nuk e administrojnë një pjesë të Kosovës. Por, ministri Ardian Gjini, që njëherësh është anëtar i Grupit Politik Strategjik, mbështetet në parimet e Grupit të Kontaktit, ku përjashtohet ndarja e Kosovës, dhe beson se këto parime do të implementohen. “Mendoj se nuk është koha që të spekulohet për ndarje, pasi një gjë e tillë nuk i konvenon askujt në Ballkan”, ka thënë Gjini. Por, Ramë Buja nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, pohon se Kosovës nuk i është shmangur kurrë rreziku nga ndarja. “Tash nuk mund të themi në mënyrë të prerë, se gjithçka është e përfunduar. Edhe pse bashkësia ndërkombëtare ka dhënë fjalën, se Kosova është e pandashme dhe kjo nuk do të ndodhë në asnjë çast dhe për asnjë çmim, megjithatë, ne e dimë realitetin në veri të Kosovës dhe gjithmonë na mban shqetësimi se mund të ndodhë ndonjë e keqe eventuale”, është shprehur Buja. Shefi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, Alex Anderson, mendon se ndarja territoriale e Kosovës mund të evitohet vetëm me një zgjidhje të shpejtë të statusit final. ”Sa më shpejt që të sillet vendimi për statusin, aq më të mëdha janë shanset që të mënjanohet një mundësi e tillë fatkeqe. Kjo do të kishte pasoja shumë negative, pikësëpari do të godiste rëndë minoritetin serb në Kosovë, të paktën atë 60 përqindësh që jeton këndej lumit Ibër, e të cilët do të përfitonin nga dispozitat e planit të Ahtisaarit”, tha Anderson. Ministri Ardian Gjini beson se përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të akomoduar komunitetet pakicë, janë garanci për mosndarje të Kosovës. “Kemi arritur që të bëjmë një kornizë përmes pakos së Ahtisaarit, që të kemi kushte që do t'u garantonin pakicave një jetë me dinjitet e prosperitet. Po ashtu, mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare është e mendimit se kjo është rruga, që Kosova duhet ta ndjekë në të ardhmen. Për Ekipin Negociator dhe për institucionet është e papranueshme çfarëdo bisede, që ka të bëjë me ndarje. Kështu që besoj, se kjo do të jetë rruga, që do të vijohet”, ka theksuar Gjini. Por, vështirësitë në arritjen e një rezolute të Këshillit të Sigurimit për statusin e Kosovës, sipas Alex Andersonit, do të rrisin rrezikun e ndarjes së Kosovës. “Nëse do të kemi shtyrje të mëtejme, atëherë ajo që po kërkon Serbia, sipas mendimit tim, fatkeqësisht është një kërkesë e Beogradit për një skenar të ndarjes së Kosovës. Dhe nëse shohim më larg, mund të kemi një situatë, kur Kosovës së pavarur mund t’i hiqet ndonjë pjesë. Dhe nëse nuk do të ketë një rezolutë të qartë të Këshillit të Sigurimit, atëherë komuniteti ndërkombëtar do ta ketë shumë vështirë ta ruajë integritetin territorial të Kosovës”, tha Anderson. Por, Ramë Buja nga PDK-ja, thotë, se meqë faktorët vendës nuk kanë qasje dhe rrjedhimisht as ndikim për të ndryshuar gjendjen e krijuar në veriun e Kosovës, atëherë i mbetet komunitetit ndërkombëtar që ta integrojë atë pjesë në shoqërinë kosovare dhe të mos lejojë ndarjen. “Faktorit ndërkombëtar i takon që ta marrë në duart e veta këtë realitet dhe ta ndryshojë atë për të mirë. E dimë se si është ajo pjesë atje, është krejtësisht e kontrolluar nga forca jo të rregullta dhe pozita atje është jo e lakmueshme”, u shpreh Buja. Ndryshe, Alex Anderson tërheq vërejtjen, se një ndarje e Kosovës do të dëmtonte jo vetëm shqiptarët e serbët, por edhe popujt tjerë në rajon. “Do të kishte implikime negative për rajonin, do ta vinte në dyshim situatën dhe paqen në Luginën e Preshevës, në Maqedoni. Mendoj se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të vetëdijshme, se çfarë pasojash negative do të sillte ndarja. Për këtë arsye, edhe do të mundohen ta pengojnë atë”, theksoi Anderson. Që nga viti 1999, pjesa veriore e Kosovës, e dominuar nga komuniteti serb, ka funksionuar nën ombrellën e Qeverisë së Serbisë, ndërkohë që administrata ndërkombëtare ka pasur qasje të kufizuar atje. Së fundi, liderët serbë të asaj pjese kanë paralajmëruar, se në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe ata do të shpallin pavarësinë e pjesës veriore.

XS
SM
MD
LG