Ndërlidhjet

SHQIPTARËT KËRKOJNË QARTËSI, SERBËT HEDHIN POSHTË PROJEKT-REZOLUTËN E KS-SË


Albana Isufi

Autoritetet e Prishtinës nuk kanë qëndrim të prerë rreth projekt-rezolutës së re, të paraqitur në Këshillin e Sigurimit, e cila parasheh negociata të reja në një periudhë kohore prej 120 ditësh. Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se Ekipi i Unitetit nuk ka marrë kërkesë zyrtare për ndonjë raund të ri bisedimesh, ndërkohë që, sipas tij, çfarëdo lloj varianti i projekt-rezolutës që paraqitet në Këshillin e Sigurimit, ai patjetër duhet të ketë për bazë pakon e Ahtisaarit. “Pakoja e presidentit Ahtisaari është dokumenti që ne e kemi mbështetur, është dokument ndërkombëtar dhe është i panegociueshëm. Është e panegociueshme pavarësia e Kosovës dhe s’mund të vihet Kosova e as përfaqësia e saj, në nivelin e Ekipit të Unitetit, në dilemë se mund të negociohet për variante të tjera dhe solucione që i dëgjojmë nganjëherë në eter, si qasje qoftë në pafundësinë e bisedimeve, qoftë në formulën e zgjidhjes së të ardhmes së Kosovës. Pra, për ne është me rëndësi që të jemi në këtë koherencë veprimi. Me rëndësi është po ashtu, që në vendimin e Këshillit të Sigurimit të jetë e saktësuar dhe e fiksuar qartë data e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar presidenti Sejdiu. Ndërkaq, anëtari tjetër i Ekipit të Unitetit, Hashim Thaçi, ka sugjeruar që të mos ketë fokusim tek idetë për projekt-rezolutat e reja. ”Mendoj se ne nuk duhet të koncentrohemi shumë, jo zbutje, jo forcim i propozimeve. Për Kosovën është vetëm një zgjidhje, ajo zgjidhje është vullneti i qytetarëve dhe sakrifica e tyre për shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë Thaçi. Projekt-rezoluta e re nuk është e pranueshme për serbët e Kosovës. Sipas tyre, edhe me tekstin e ndryshuar garantohet pavarësia. Goran Bogdanoviq, përfaqësues i serbëve të Kosovës në Ekipin Negociator të Beogradit, thotë se nuk mund të priten suksese në bisedime, kur ka një garanci për pavarësi. “Rezoluta fatkeqësisht është edhe një përpjekje e imponimit të vendimit për pavarësinë e Kosovës, që për ne serbët është absolutisht e papranueshme. Ne duam që të respektohet Rezoluta 1244, duam kompromis dhe të gjithë të jemi të kënaqur”, është shprehur Bogdanoviq. Projekt-rezoluta e re për Kosovën, e paraqitur mbrëmë nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, parasheh bisedime shtesë mes palëve për një periudhë 120 ditësh, si dhe kërkon nga të gjitha palët që të përmbahen nga marrja e vendimeve apo veprimeve të njëanshme, gjatë kësaj periudhe. Në fund do të ketë një evaluim të situatës dhe nëse bisedimet nuk sjellin asgjë të re, atëherë do të zbatohet plani i Ahtisaarit. Në tekst nuk përmendet fjala pavarësi. I dërguari i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stephan Lehne, thotë se edhe ky tekst i ri i rezolutës është përpjekje për të arritur pajtimin rus. “Ajo që po ndodh në Këshillin e Sigurimit, është përpjekje e fortë e sponsorizuesve të rezolutës së parë, për të arritur një bazë të nevojshme për vendimin. Përkushtimi për planin e Ahtisaarit ende qëndron, por shtetet kanë marrë hapa shtesë dhe përpjekje tjera për t’u siguruar se kjo rezolutë mund të miratohet”, theksoi Lehne. Presidenti Sejdiu ka thënë se megjithatë, statusi i Kosovës nuk mund të mbetet peng i ndonjë vendi dhe se duhet menduar për zgjidhje alternative. “E qartë se edhe në këtë variantin e tretë, të ofruar në Këshillin e Sigurimit, Rusia e ka dhënë qëndrimin e saj mohues. Në këto momente, në këto ecje, sa vijnë e shteren mundësitë e bashkëpunimit dhe të ofertës kaq të rëndësishme të faktorëve tjerë në Këshillin e Sigurimit, për të bindur Federatën Ruse që të jetë në kompozicionin e përbashkët. Të shohim në zhvillimet e tjera”, tha presidenti Sejdiu. Por, në anën tjetër, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Prishtina nuk guxon të veprojë njëanshëm. “Do të ishte çmenduri nga politika kosovare po të ndërmerrte ndonjë vendim, pa u konsultuar me Uashingtonin dhe Bashkimin Evropian. Ne, pavarësinë do ta bëjmë me Uashingtonin, BE-në dhe gjithë faktorët tjerë ndihmues në këtë proces, e jo të vetmuar”, ka pohuar Thaçi. Ndërkaq, i dërguari i BE-së për statusin, Stephan Lehne, tha se nëse veprohet njëanshëm, Kosova rrezikon të humbasë përkrahjen ndërkombëtare. “Politika e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare ka qenë shumë e suksesshme për Kosovën. Unë e kam përcjellë situatën që 8 vjet dhe përkrahja për aspiratat e popullit të Kosovës ka qenë shumë më e vogël dhe më e dobët, sesa që është sot. Ka qenë politika e bashkëpunimit që e ka mundësuar këtë. Braktisja e kësaj politike të bashkëpunimit nënkupton që të shkojnë kot të gjitha arritjet e deritashme. Veprimet e njëanshme do të jenë një hap prapa dhe do të hapin pengesa të reja”, ka thënë Lehne, duke porositur kosovarët që të kenë durim, pasi, sipas tij, statusi i Kosovës është rast unik dhe kërkon kohë.
XS
SM
MD
LG