Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS ZOTOHEN SE NUK DO TA PRANOJNË PAVARËSINË


Rrahman Paçarizi

Për serbët e Kosovës do të jetë e papranueshme dhe e pavlefshme shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, thuhet në një deklaratë të Bashkësisë së komunave dhe vendbanimeve serbe të Kosovës dhe të Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës. Deklarata për, siç thuhet, domosdoshmërinë e ruajtjes së Kosovës në kuadër të Serbisë, është miratuar sot, në një kuvend të përbashkët të këtyre dy organizmave, që nuk njihen nga institucionet e Kosovës dhe nga UNMIK-u. Kryetari i Bashkësisë së komunave dhe vendbanimeve serbe të Kosovës, Marko Jakshiq, tha se kjo deklaratë është mbështetur në Kushtetutën e Serbisë, në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në Rezolutën 1244, ku, sipas zotit Jakshiq, thuhet se Kosova paraqet pjesë të pandashme të territorit të shtetit sovran të Serbisë. “Për ne do të jetë inekzistent dhe pa kurrfarë validiteti juridik secili akt eventual, me të cilin shpallet njëanshëm pavarësia e Kosovës”, tha Marko Jakshiq, për të shtuar në vazhdim, se për serbët e Kosovës do të vlejnë vetëm aktet e Qeverisë së Serbisë dhe të organeve të tjera shtetërore të Serbisë. Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, shprehu bindjen se Kosova nuk do të jetë e pavarur dhe se statusi do të zgjidhet kur të gjendet një zgjidhje kompromisi dhe e drejtpeshuar. “Nëse do të shpallej në mënyrë të njëanshme pavarësia, me këtë do të asgjësohej Rezoluta 1244 dhe në këtë mënyrë, më nuk do të kishte kurrfarë bazë për praninë e tyre”, ka thënë Milan Ivanoviq, sipas të cilit, e gjitha pastaj do të përfundonte përmes bisedave të palës serbe me bashkësinë ndërkombëtare. Deklarata për ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, e njohur si deklarata e Vidovdanit, do t’u ofrohet për nënshkrim serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve joshqiptare, duke nisur simbolikisht më 28 qershor në Gazimestan, kur serbët e përkujtojnë Betejën e Kosovës, në fundin e shekullit XIV.
XS
SM
MD
LG