Ndërlidhjet

ANALISTËT: BISEDIMET E MUNDSHME MES PRISHTINËS E BEOGRADIT - KUSHTËZIM


Arton Konushevci

Në kuadër të përpjekjeve për miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, është ngritur mundësia e një raundi të ri bisedimesh midis Prishtinës dhe Beogradit, për të çuar përpara procesin e përcaktimit të statusit politik. Analistët në Kosovë besojnë se vazhdimi i bisedimeve është një kushtëzim, por ato në asnjë mënyrë nuk do të duhej të përqendrohen në pakon e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari. Ibrahim Gashi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, është i mendimit se për statusin nuk ka se çfarë të bisedohet më. Sipas tij, bisedimet mund të përqendrohen vetëm mbi mënyrën se si do të zbatohet plani i zotit Ahtisaari. “Bisedime, sigurisht që duhet të ketë, ndoshta për pjesët që kanë të bëjnë me implementimin e zgjidhjes së propozuar tashmë nga Ahtisaari, e të pranuar nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, por edhe nga pala kosovare. Dhe, sigurisht se aty ka gjëra që mund të diskutohen, modalitete, afate, proceduara të zbatimit të marrëveshjes. Lidhur me marrëveshjen, unë nuk do të doja të ketë bisedime”, u shpreh Gashi. Ai thotë, se nëse gjatë këtyre bisedimeve pala serbe e pranon planin e zotit Ahtisaari, atëherë pala kosovare duhet të jetë e gatshme të zotohet në përmbushjen e plotë të të gjitha elementeve që përmban plani. “Në njëfarë mënyre, kjo është paksa e kushtëzuar. Derisa pala serbe nuk e pranon marrëveshjen, atëherë për çka duhet të bisedohet? Nëse pala serbe e pranon marrëveshjen dhe atëherë i ngre shqetësimet lidhur me zbatimin e disa pjesëve të marrëveshjes, që kanë të bëjnë me minoritetin serb, atëherë, këtu pala shqiptare duhet të tregojë gatishmëri dhe vullnet për ta bindur palën serbe, se do të jetë e përkushtuar në zbatimin, pikërisht, të atyre pjesëve, ku Beogradi mund të ketë shqetësime”, theksoi Gashi. Publicisti Migjen Kelmendi thotë se është një pjesë e botës, e cila është kundër pavarësisë së Kosovës dhe kjo është arsyeja, sipas tij, pse duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë e dialogut. “Është një pjesë e botës që nuk e do. Prandaj, nëse i konsiderojmë miq, njerëzit që e mirëkuptojnë heshtjen e Kosovës, është mirë, në njëfarë mënyre, të ndihmohet edhe një herë ky proces, që mos të lihet asnjë mjet pa u konsumuar, deri te, eventualisht, një shpallje, nëse duhet edhe unilaterale. Por, para shpalljes unilaterale të një pavarësie të nesërme të Kosovës, të konsumohen mirë të gjitha mjetet e mundshme paqësore, dialoguese, që mos të thuhet nesër se nuk i kemi bërë edhe këto, dhe të kihet një arsyetim për çfarëdo qëndrimi negativ ndaj pavarësisë së Kosovës”, tha Kelmendi. Ai, vazhdimin e bisedimeve e sheh si një mundësi të mirë, për të parë edhe një herë se cilat janë synimet kryesore të palëve që kërkojnë bisedime. Megjithatë, sipas zotit Kelmendi, bisedimet nuk duhet të jenë për ndryshime në pakon e zotit Ahtisaari. “Në anën tjetër, është shumë me rëndësi të shikohet se për çka është fjala. Cilat qenkan eventualisht ato ndryshime, që duhet të bëhen në projekt? Por, nëse prishet ai ekuilibër i ndërtuar me muaj, gjatë negociatave dhe analizës së UNOSEK-ut për gjetjen e një zgjidhjeje për një shtet funksional të nesërm të Kosovës, atëherë krejt tregimi bie dhe duhet të kthehet te fillimi i procesit, që nuk besoj se shkon në favor të askujt. Kjo punë mund të lihet krejt anash dhe të shkohet në Grupin e Kontaktit edhe një herë të rinegociohet çështja e Kosovës. Opsionet kanë mbetur të hapura”, ka thënë Kelmendi. Mundësinë e bisedimeve të mëtejshme midis Prishtinës dhe Beogradit, institucionet më të larta vendore e kanë paragjykuar si të dështuar, duke rikujtuar faktin se edhe bisedimet që kanë çuar deri tek hartimi i planit të zotit Ahtisaari, nuk kanë sjellë rezultat në afrimin e qëndrimeve midis të dyja palëve.
XS
SM
MD
LG