Ndërlidhjet

SA SHPENZON EKIPI I UNITETIT?


Nadie Ahmeti

Ministria e Ekonomisë dhe Financave, për këtë vit, nga buxheti i Kosovës ka ndarë një fond prej një milion eurosh për Ekipin e Unitetit, për t’i shfrytëzuar ato për bisedimet në zgjidhjen e statusit final. Zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Kosovës, Muharrem Shahini, thotë se përveç këtij fondi, paralelisht është ndarë edhe një shumë tjetër, që ka të bëjë vetëm me statusin e Kosovës. “Këto janë dy fonde që kanë shuma të caktuara. Është fondi për bisedime për statusin, i cili është në shumë prej një milion eurosh dhe fondi - rezervat për statusin e Kosovës, i cili është 3 milionë e 365 mijë euro”, tha zoti Shahini. Por, shpenzimet që janë bërë në kuadër të këtij procesi, kohët e fundit, janë shndërruar në temë debatesh, intensiteti i të cilave është shtuar edhe me faktin se shuma e shpenzuar deri më tash nuk është bërë publike. Përfaqësues të Ekipit të Unitetit thonë se me këtë çështje merret Ministria e Ekonomisë dhe Financave, por kjo e fundit thotë se për kontrollimin e shpenzimeve të këtij fondi është formuar një ekip i veçantë në Qeverinë e Kosovës, rreth të cilit ka pak informacione. Në Qeverinë e Kosovës, ndërkaq nuk janë prononcuar mbi këtë çështje. Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se shpenzimet e Grupit të Unitetit është dashur të jenë transparente. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se arsyeja e mospublikimit të shpenzimeve tregon për mungesë përgjegjësie. “Për fat të keq, në Kosovë është mungesë e përgjegjësisë dhe askush nuk jep përgjegjësi për asgjë. Por, prapë po them, se për hir të procesit në të cilin gjendet Kosova, do të ishte shumë efektive dhe e mirëseardhur, që edhe Grupi i Unitetit të dalë me diçka konkrete. Në të kundërtën, dikush duhet ta bartë përgjegjësinë, edhe pse për përgjegjësi dhe për ngritjen e nivelit të përgjegjësisë, në Kosovë nuk besoj se janë të pjekura kushtet”, është shprehur zoti Gërxhaliu. Ai, ndërkaq pohoi se vetë fakti i mospublikimit të shpenzimeve lë hapësirë për dyshime, se fondi për statusin mund të keqpërdoret. “Ne dimë fare mirë se udhëtimet nuk kanë pasur qëllim, që të shkojnë vetëm ata që vërtet janë të obliguar të jenë në ato takime. Flitet se kanë shkuar grupe të tëra të njerëzve të afërt të atyre, që nuk e kanë pasur vendin dhe në fund të fundit, lista e tyre me qëllim apo pa qëllim është zgjeruar”, tha zoti Gërxhaliu. Ai shtoi se shuma prej një milion eurosh është shumë e madhe, meqë, siç dihet, bisedimet këtë vit nuk kanë zgjatur aq shumë. “Më problematike është se shumëkush nga Grupi i Unitetit ka përdorur këtë mundësi, që ta shfrytëzojë pa kontroll këtë fond, me synimin se do të realizohet pavarësia dhe me realizmin e pavarësisë nuk do të ketë kërkim të llogarive për këtë që është bërë. Besoj se aty është bërë gabimi në hapa”, ka theksuar zoti Gërxhaliu. Sidoqoftë, ajo që dihet, aktualisht, është se sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, fondi për statusin prej 3 milionë e gjysmë eurosh ende nuk është shpenzuar.
XS
SM
MD
LG