Ndërlidhjet

FRID: DO TË JETË EDHE NJË PROCES I KUFIZUAR I BISEDIMEVE DERI TE PAVARËSIA


Zijadin Gashi

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Daniel Frid, ka paralajmëruar sot, në Prishtinë, fillimin e një procesi të ri negociatash. Këto negociata do të jenë të kufizuara në kohë dhe të kenë si rezultat përfundimtar pavarësinë e Kosovës, ka thënë Frid, pas takimit që ka zhvilluar me Ekipin Negociues në Prishtinë. Ai tha se pala kosovare duhet të besojë në premtimin e presidentit Bush, se procesit do t’i vijë fundi dhe pavarësia do të jetë zgjidhja e vetme, duke e paralajmëruar kështu Prishtinën që të mos ngutet dhe të marrë hapa të njëanshëm. Sidoqoftë, në këtë fazë Frid tha se ende nuk dihen detajet e vazhdimit të procesit, sikurse që nuk dihet dhe fati i rezolutës për Kosovën që po përgatitet në Neë York. “Sipas të gjitha gjasave, do të ketë edhe një fazë bisedimesh, por do të jetë e përkufizuar në kohë dhe ky afatizim do të përcaktohet, por në fund, ashtu si ka thënë edhe presidenti Bush, rezultati do të jetë pavarësia e mbikëqyrur për Kosovën”, tha Daniel Frid, gjatë një konference të përbashkët me presidentin Sejdiu. Populli i Kosovës, shtoi ai, me të drejtë kërkon qartësi të procesit, prandaj këto negociata do të jenë të limituara. Ndërsa Frid ka rikonfirmuar qëndrimin amerikan që fundi i bisedimeve të sjellë pavarësinë e Kosovës, pozicioni i Moskës dhe Beogradit mbetet i njëjtë, që të negociohet pa afatizime dhe pa kushtëzime, duke i lënë të gjithë opsionet e hapura, pa paragjykuar pavarësinë. Lidhur me këtë, Frid tha se nuk mund të flasë se çfarë do të thonë serbët. “Do të jem të martën në Beograd dhe do të flas me ta”, tha ai. Daniel Frid i ka ftuar kosovarët të ruajnë besimin në proces dhe të mos shpallin njëanshëm pavarësinë, duke i rikujtuar se pavarësia e Kosovës është edhe qëllimi i SHBA-ve. “Nuk mendoj se në këtë moment deklarimet e njëanshme, të bazuara në frikë dhe në mungesë të besimit, mund të ndihmojnë kauzën e pavarësisë së Kosovës”, pohoi Frid. “Presidenti Bush e ka thënë qëndrimin tonë shumë qartë, ai e ka menduar atë që e ka thënë dhe e ka thënë atë që e ka menduar, dhe mendoj se kosovarët duhet të kenë besim në përkushtimin amerikan, kurse unë mund ta përsëris këtë përkushtim”, tha Daniel Frid. Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se është më se evidente, që procesi ka hasur në vështirësi. Sejdiu nuk e ka pohuar dhe as mohuar hyrjen e palës kosovare edhe në një raund të ri negociatash. “Në këtë kohë ka përpjekje për një rezolutë të re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, që do të ishte rruga më e mirë si dhe ka disa ide që i kemi dëgjuar edhe në takimin e G-8-ës dhe formave tjera që të ketë edhe një proces të bisedimeve shtesë, që ka të bëjë me elemente rreth statusit. Por, ne e themi pa kurrfarë hezitimesh, se për ne pavarësia është e panegociueshme”, theksoi presidenti Sejdiu. Ndërkaq, Daniel Frid tha se i kuptonte qëndrimet e palës kosovare, se pavarësia është e panegociueshme. Ai tha se edhe qeveria amerikane e thotë që pavarësia duhet të jetë përfundimi i procesit. Diplomati amerikan e ka ftuar delegacionin më të lartë të Kosovës, që gjatë fundit të muajit të vizitojë Uashingtonin për të realizuar dhe një takim me sekretaren e shtetit, Kondoliza Rajs. Pas Prishtinës, Frid tha se do të vizitojë nesër Beogradin për të prezantuar edhe atje qëndrimin amerikan, lidhur me përmbylljen e procesit të statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG