Ndërlidhjet

KOMBET E BASHKUARA


Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Rusia që të mos i vërë veto rezolutës së re të OKB-së për Kosovën, duke thënë se Këshilli i Sigurimit do të mbetej pa rol në të ardhmen e Kosovës dhe duke theksuar se shumica shqiptare, në rast të tillë, do të mund të shpallte pavarësinë. Ambasadori amerikan në OKB, Zalmay Khalilzad tha mbrëmë vonë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e BE-së, anëtare të Këshillit, që e sponsorizuan rezolutën, dëshirojnë aksion "brenda disa ditëve të ardhshme" dhe besojnë se ato kanë numër të mjaftueshëm të votave për ta miratuar propozimin e fundit. "Topi tash është në terrenin e Rusisë" u tha zoti Khalilzad gazetarëve dhe shtoi se "zhurma që kemi dëgjuar nga Moska nuk është inkurajuese, por ne nuk e kemi dëgjuar fjalën finale nga Moska". Ambasadori amerikan mëtutje tha se "esenca e asaj që ne propozuam nuk është subjekt i ndryshimeve të mëtejshme", por sipas tij, propozuesit janë të "hapur për sugjerimet e arsyeshme të Rusisë". Zoti Khalilzad tha se "sponsorizuesit janë të përkushtuar për të lëvizuar përpara në njërën apo mënyrën tjetër, brenda Këshillit ose ndryshe". I pyetur se a do ta mbështesnin apo jo Shtetet e Bashkuara deklaratën për pavarësi nga institucionet e Kosovës, ai tha se "le të jetë e qartë se ne nuk do ta ndalim situatën që të mos lëvizë përpara në Kosovë, por kjo do të ishte jashtë kornizës së Këshillit të Sigurimit, që nuk është ajo që ne e duam dhe nuk është drejtim i dëshirueshëm për të lëvizur përpara".
XS
SM
MD
LG