Ndërlidhjet

VAZHDOJNË PAQARTËSITË RRETH PASAPORTAVE TË REJA


Nadie Ahmeti

Projekt-rezoluta e fundit, e cila pritet të shqyrtohet në Këshillin e Sigurimit, parasheh ardhjen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, por nuk parasheh qartësimin e statusit final. Ndërkohë që kosovarët kanë qenë në pritje të një rezolutë për statusin, e cila ndër të tjera do të qartësonte edhe formën e dokumenteve të udhëtimit. Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar në parim projekt-ligjin për nxjerrjen e dokumenteve të përkohshme të udhëtimit, por pa miratimin e një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe pa nxjerrjen e simboleve të Kosovës, këto dokumente nuk do të mund të lëshohen. Zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërkaq pohojnë se tashmë nuk kanë informacione se si do të duken dokumentet e udhëtimit, nëse misioni i Bashkimit Evropian zëvendëson administratën e Kombeve të Bashkuara. Bajram Mjeku, zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, megjithatë, pohon se kjo ministri është përgatitur që të fillojë të gjitha procedurat për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit, në rast të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. “Dua t’ju rikujtoj edhe një herë, se kjo nuk varet nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ju e dini se ne bëjmë prodhimin e dokumenteve, por ne nuk jemi ata që vendosim në fushën e politikës. Tek pas miratimit të një rezolute, sigurisht se ne do të marrim vendimin, se çka dhe si do të veprojmë më tutje”, ka thënë Mjeku. Në anën tjetër, zyrtarë të UNMIK-ut thonë se është ende herët të flitet për këtë çështje, meqë projekt-rezoluta nuk është miratuar nga ana e Këshillit të Sigurimit. Sidoqoftë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geeki, thotë se UNMIK-u do të jetë i përgatitur që të reagojë në cilëndo situatë. “UNMIK-u do të jetë i përgatitur që të transferojë kompetencat për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit në fund të mandatit të tij”, tha Geeki. Ndryshe, pengesë kryesore vazhdon të mbetet çështja e simboleve të Kosovës, të cilat do të jenë në ballinë të dokumenteve, thotë Mjeku, për të shtuar se pasaporta e re e Kosovës do t’i ngjajë pasaportave të Republikës së Sllovenisë. “Fillimisht duhet një vendim i institucioneve për simbolet. Dhe pas kësaj, ne mund të fillojmë me prodhimin dhe ndërrimin e dokumenteve aktuale. Jemi në pritje të këtij vendimi, pastaj të fillojmë me prodhimin e dokumenteve, por nuk mund të fillojmë procedurën e prodhimit të dokumenteve pa u definuar statusi i Kosovës”, theksoi Mjeku. Afati për konkursin e simboleve ka skaduar dhe sipas komisionit për simbole të Grupit Negociator të Kosovës, kanë qenë afër 1000 propozime, por ende nuk është bërë përzgjedhja e propozimeve që, sipas komisionit, plotësojnë kushtet për të hyrë në konkurrencën e ngushtë për flamur dhe stemë të Kosovës, e të cilat do të gjendeshin në ballinë, gjegjësisht në faqen e parë të pasaportave të reja të Kosovës. Ndryshe, autoritetet thonë se pasaportat e reja do të mund të prodhohen vetëm pasi që ligji mbi pasaporta të aprovohet në Kuvendin e Kosovës dhe pasi të shpallet pavarësia e Kosovës me rezolutë të Këshillit të Sigurimit, apo me veprim të njëanshëm nga ana e Kuvendit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG