Ndërlidhjet

PËRFITUESIT E PRIVATIZIMIT ENDE NË PRITJE TË MARRJES SË 20 PËRQINDËSHIT


Nadie Ahmeti

Që nga viti 2003, afro 300 ndërmarrje me status shoqëror janë privatizuar, por janë vetëm 47 ndërmarrje, që kanë përfunduar obligimet për punëtorët e tyre. Sipas një rregulloreje të administratës ndërkombëtare, 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve u takon punëtorëve. Ndërkaq, nga privatizimi i deritashëm i ndërmarrjeve shoqërore, punëtorët e tyre është dashur t’i marrin 64 milionë euro, në cilësinë e përfituesve të privatizimit. Por, sipas zëdhënësit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Ekrem Tahiri, deri më tash, nga kjo shumë janë shpërndarë rreth 13.5 milionë euro. “Deri më tani, sa i përket mjeteve të 20 përqindëshit, që janë shpërndarë te punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, shuma e përgjithshme është 13.5 milionë euro, që është 20 për qind e shumës totale, që tashmë është akumuluar dhe është rreth 64 milionë euro”, tha Tahiri. Haxhi Arifaj, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se zvarritja e procesit të shpërndarjes së 20 përqindëshit po ndodh për shkak të neglizhencës së AKM-së. Ai thotë se zvarritjet e këtij procesi shkojnë në dobi të dikujt tjetër. “Zakonisht kjo ndodh sepse nuk po shkojnë punët në rregull, siç është e paraparë me rregulloren e UNMIK-ut. Duhet ta dini, se ne kemi thënë se lista duhet në sindikatë, në ndërmarrje të përgatitet, para sa të dalë në tender. Dhe, kur të dalë në tender, të jemi të gatshëm me listat e 20 përqindëshit, që atje të mos kemi vonesa”, u shpreh Arifaj. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit duhet sa më shpejt të fillojë me shpërndarjen e këtyre mjeteve, tha Arifaj, për të shtuar se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës gjendet në presion të madh, pikërisht nga punëtorët, të cilët kanë punuar në ndërmarrjet që tashmë janë privatizuar. “Presioni më i madh i bëhet BSPK-së. Shembull e kemi një individ, ku janë 300 punëtorë, që duhet të realizohet 20 përqindëshi. Një individ ankohet dhe të gjithë duhet të presin”, tha Arifaj. Ndërkaq, Ekrem Tahiri thotë se në muajin gusht, ky proces do të realizohet me një dinamikë më të shpejtë. Ai shpreson se deri në fund të këtij viti, shuma më e madhe e mjeteve të grumbulluara do të shpërndahet, pasi, sipas tij, përfituesit e këtyre mjeteve kanë filluar presionin edhe ndaj AKM-së. “Përpiqemi të sqarojmë se shpërndarja e 20 përqindëshit është proces shumë më kompleks, sesa privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Kështu që prej përvojës që kemi tre vitet e fundit, kjo procedurë zgjat rreth një vjet”, pohoi Tahiri. Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, shpërndarja e mjeteve financiare është duke u zvarritur për shkak të problemeve në identifikimin e përfituesve, proces ky, i cili, sipas tyre, është detyrim i Odës Speciale në kuadër të Gjykatës Supreme të Kosovës.
XS
SM
MD
LG