Ndërlidhjet

OMBUDSPERSON: BURGJET E KOSOVËS KANË NEVOJË PËR PËRMIRËSIME


Arton Konushevci

Institucioni i Ombudsperson-it ka marrë vërejtje të ndryshme nga të burgosurit e burgjeve të Kosovës, sa i përket trajtimit të tyre në burg, kujdesit shëndetësor, por edhe vetë gjykimit të tyre. As Qeveria e Kosovës, e as Shërbimi Korrektues i Burgjeve nuk po merren me vërejtjet e shumta të të burgosurve, thotë Hilmi Jashari, ushtrues i detyrës së Ombudsperson-it. Ai thotë se në burgjet e Kosovës ka parregullsi. Sipas Jasharit, numri më i madh i ankesave nga të burgosurit ka të bëjë me gjykimin e tyre, por edhe me kushtet e vështira në burgjet e Kosovës. “Pjesa më e madhe e ankesave, që janë paraqitur deri më sot në institucionin Ombudsperson-it, kryesisht kanë pasur të bëjnë për gjykim korrekt në bazë të Konventës Evropiane. Pjesa më e madhe kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi edhe me atë që quhet substancë e vendimmarrjes ose meritum i çështjes. Përpos këtyre ankesave, që i referohen gjykimit të drejtë, një pjesë e tyre i është referuar edhe kushteve të burgut dhe një pjesë tjetër ka pasur të bëjë me atë që e kishim konsideruar si prej më të mëdhave, me trajtimet mjekësore në burgun e Dubravës”, ka thënë Jashari. Nga ana tjetër, Xhevat Mexhuani, komisar i Shërbimit Korrektues të Kosovës, thotë se gjendja momentale në burgjet e Kosovës është e mirë. Sipas, Mexhuanit, sot, të burgosurve u ofrohen kushte të mira, si ato në vendet e Bashkimit Evropian. “Gjendja momentale në burgje është e mirë. Sot kemi 1128 të burgosur. Është obligim i Shërbimit Korrektues të Kosovës që të krijojë kushte normale, kushte të mira konform ligjit dhe rregullave ndërkombëtare e vendore për trajtimin e të burgosurve”, është shprehur Mexhuani. Por, Jashari thotë se ndër problemet tjera që ballafqohen të burgosuit, është mbipopullimi i burgjeve. Jashari thotë se kjo bën që mos të respektohen rregullat e parapara nga Këshilli i Evropës, për përcaktimin e hapësirës standarde për të burgosurit. “Problem permanent, që është vlerësuar nga institucioni ynë dhe nga unë, ka qenë çështja e mbipopullimit në burgjet e Kosovës dhe në qendrat e paraburgimit. Kjo është një situatë evidente dhe nuk ka çka të diskutohet. Në dhomat e burgjeve ose qendrat e paraburgimit vendoset numër i madh i të burgosurve, që i tejkalon standardet e Këshillit të Evropës”, tha Jashari. Ndërkaq, Mexhuani thotë se rregullat evropiane për çdo vit rishikohen dhe nga to dalin rekomandime të reja. Ai shpjegon se Shërbimi Korrektues i Kosovës vepron në bazë të ligjit, ku secilit të burgosur i takojnë 8 metra kub. Por, Ombudsperson-i ka marrë ankesa edhe për trajtimin shëndetësor të të burgosurve. Mirëpo, Mexhuani thotë se këto shërbime janë shumë më të mira, në krahasim me ato që ofrohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. “Sa i përket shërbimeve shëndetësore për të burgosurit, unë me përgjegjësi të plotë e them se SHKK-ja është shumë përpara atyre shërbimeve, që u ofrohen qytetarëve që janë në liri”, ka pohuar Mexhuani. Ndryshe, të burgosurit, sidomos ata të burgut të Dubravës, shpesh kanë protestuar, si dhe kanë hyrë në grevë kundër kushteve të vështira. Autoritetet thonë se kushtet janë përmirësuar, ndërkohë që Ombudsperson-i, KMDLNJ-ja, si dhe organizata të tjera joqeveritare, që kanë të drejtë të hyjnë në burgjet e Kosovës, thonë se kushtet në burgje kanë nevojë për përmirësime të mëtejme.

XS
SM
MD
LG