Ndërlidhjet

HAZIRI:"PAVARËSIA ËSHTË KOMPROMIS QË STABILIZON BALLKANIN"


Lutfi HAZIRI, zëvendëskryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri, si e komentoni sinjalizimin e sekretares amerikane të shtetit, Condoleezza Rice, se kosovarët duhet të presin edhe pak dhe nuk duhet të dalin me veprime të njëanshme?

LUTFI HAZIRI
Delegacioni i Unitetit, në takimin e djeshëm, mendoj se ka sjellë një moment historik për Kosovën, në marrëdhëniet me SHBA-të dhe rolin që SHBA-të kanë në përmbylljen e procesit të statusit. Është në përputhje me deklaratën e presidentit Bush, të thënë më 10 qershor, se ‘kosovarët duhet të presin edhe për një kohë, por do të vijë momenti kur do të thuhet mjaft’. Është në përputhje me angazhimin e ri, që tashmë është vendosur në instanca që merren me çështjen e Kosovës, e që quhet faza e konsultimeve 120 ditore, nën autoritetet e Grupit të Kontaktit. Dhe, po ashtu, lidhet edhe me deklaratat tona në Prishtinë, që duhet apo nuk duhet të ketë veprim apo datë, në të cilën përmbyllet procesi i statusit final. Mendoj se, duke pasur parasysh rolin e madh që kanë SHBA-të në procesin e përmbylljes dhe janë në koordinim të ngushtë me BE-në, janë akterët kryesorë që po punojnë në raport me vullnetin e qytetarëve për pavarësi të Kosovës, kërkohet siguri, kërkohet angazhim shtesë, që gjithë procesi të jetë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe të mos ketë veprim të njëanshëm. Ne besojmë se premtimi do të mbahet; një ditë do të thuhet mjaft dhe do të pranohet realiteti që nënkupton për ne pranimin ndërkombëtar të pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas dështimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit, procesi për statusin ka kaluar në Grupin e Kontaktit. Liderët kanë thënë se tash do të lëvizet më shpejt, ndërkohë që analistët thonë se ky është një kthim prapa. A është kthim prapa?

LUTFI HAZIRI
Grupi i Kontaktit ka pasur një rol kritik dhe të rëndësishëm në historinë e Kosovës. Roli më i madh i këtij trupi ka të bëjë me intervenimin e NATO-s, në Kosovë. Edhe atëherë, arsyeja ka qenë e njëjtë – Këshilli i Sigurimit dhe pengesat që janë paraparë në vitin 1999, atëherë kur Aleanca ndërkombëtare, e udhëhequr nga këto shtete të Grupit të Kontaktit, ndërmori veprime për të parandaluar gjenocidin. Ambienti politik është krejt tjetër, Kosova është tetë vjet pas luftës, pas krejt këtyre angazhimeve, por bllokimi që prapë ka dalë si pengesë nga ana e Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit, ka kërkuar domosdoshmërish një mekanizëm tjetër. Dhe, mekanizëm më të mirë, më relevant dhe më kredibil se Grupi i Kontaktit, nuk ka për Kosovën, ku nuk ka mekanizma bllokues, ku nuk ka shtete me të drejta të veçanta, por ka angazhim serioz në përmbylljen e kësaj. Ne dhe partnerët ndërkombëtarë kemi kërkuar që rezoluta të kalojë në Këshillin e Sigurimit, sepse Kombet e Bashkuara e kanë pasur një mandat në Kosovë. Kjo nuk ndodhi, por kosovarët dhe të tjerët nuk mund të presin përgjithmonë debllokimin apo qasjen tjetër të Federatës Ruse dhe të Serbisë. Prandaj, Grupi i Kontaktit, mendoj dhe besoj thellë, se e ka kredibilitetin dhe vullnetin që të udhëheqë edhe një raund konsultimesh. Dhe, në ditën e parë, pas përfundimit të kësaj, ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë paraparë bisedime shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit. Liderët kosovarë kanë thënë se nuk negociojnë për pavarësinë, por as për pakon e Ahtisaarit. Për çka do të bisedohet atëherë?

LUTFI HAZIRI
Po këtu është ajo që ne e kemi edhe mandatin e Parlamentit. Në fazën e parë, derisa nuk e kishim propozimin e presidentit Ahtisaari, Parlamenti e ka mandatuar Delegacionin e Unitetit, që të bisedojë dhe të përmbyllë procesin që lidhet me realizimin e pavarësisë. Por, askush nuk ka mandat që të negociojë vullnetin e popullit, të shprehur për pavarësi. Dhe, tani, po i njëjti mandat, po i njëjti organi - Parlamenti - e ka mbështetur me deklaratë propozimin e Ahtisaarit, përkundër kompromiseve të dhimbshme që ka bërë Delegacioni i Unitetit, me të vetmin qëllim që të ruajë kohën, të ruajë angazhimin dhe të japë garanci për grupet etnike. Kjo nuk është arritur dhe ne nuk kemi mandat që të negociohet një dokument, i cili është përmbyllur dhe është paraqitur në organet pranë shteteve, ku ka gjetur mbështetje. Dëshiroj të konfirmoj edhe një herë, se Bashkësia Evropiane e ka mbështetur propozimin e Ahtisaarit, shtetet në regjion e kanë mbështetur propozimin e Ahtisaarit. Këshilli i Sigurimit është i vetmi organ, që për shkak të Rusisë, nuk ka arritur ta mbështesë, por Sekretari Gjeneral i OKB-së e ka mbështetur fuqimisht propozimin e Ahtisaarit. Andaj, një dokument, i cili ka kaluar në një proces, i cili ka qenë i negociuar dhe i cili është përmbyllur me një rekomandim final për pavarësi të mbikëqyrur, është i përmbyllur dhe askush nuk ka të drejtë ta rihapë këtë dokument. Për ne është i mbyllur. Ne e kemi pranuar si të tillë, do ta mbajmë dhe do ta implementojnë në kohën kur do të pranohet pavarësia e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistët thonë se planifikimi i negociatave të reja çon drejt një ndarjeje të Kosovës. Çfarë mendoni ju?

LUTFI HAZIRI
Ky kërcënim ndaj Kosovës ka qenë që prej përfundimit të luftës. Dy momente historike, që mund të përmenden në Kosovën e pas luftës, janë ideja e ish-kryeministrit Gjingjiq, që ka qenë ideator i një ndarjeje eventuale të shqiptarëve dhe të serbëve në Ballkan, me tendencë që ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës, dhe moment tjetër historik janë ngjarjet e marsit 2004, që kanë qenë kërcënim serioz për opsionin e ndarjes. Këto janë tejkaluar. Çdo ndryshim i kufijve, i territoreve ka konsekuencë ndryshimin edhe të popullatës. Dhe, problemi i Ballkanit lidhet në dy parime: parimi etnik dhe parimi territorial. Nëse këto dy parime vendosen në zgjidhjen e problemit, atëherë gjithë Ballkani do të riorganizohet. Është e pamundshme që të pengohen aspiratat e popujve në shtetet në rajon. Zgjidhja më e mirë e kompromisit për stabilitet dhe siguri është mosndryshimi i kufijve dhe pavarësia e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni se do të ndodhë pas 120 ditësh? A do të kthehet sërish procesi në Këshillin e Sigurimit apo do të merret ndonjë vendim i njëanshëm?

LUTFI HAZIRI
Pas përfundimit të fazës konsultuese, unë pres që Grupi i Kontaktit ta njohë dokumentin e zotit Ahtisaari për zgjidhjen e problemit të statusit të Kosovës dhe ta njohë këtë realitet, të drejtën e Kosovës për të qenë e pavarur, ta njohë prezencën ndërkombëtare për të mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës, ashtu siç është propozuar dhe të përmbyllet ky proces. Nuk ka mekanizëm tjetër, i cili mund ta zgjidhë problemin në një afat dhe në këto rrethana që janë krijuar tash.

INTERVISTOI: Arton KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG