Ndërlidhjet

TAHIRI:"KOSOVËN E KËRCËNON INDOLENCA E EKIPIT TË UNITETIT"


Ramush TAHIRI, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Tahiri, pala kosovare është pajtuar në parim edhe për një proces të ri negociues. Duke marrë parasysh procesin paraprak të Vjenës, cilat janë pritjet e juaja nga ky proces, i cili tani thuhet se do të udhëhiqet nga Grupi i Kontaktit?

RAMUSH TAHIRI
Nuk është caktuar agjenda e bisedimeve dhe nuk dihet qëndrimi i palës kosovare. Duhet të pritet. Gjithashtu nuk dihet se a do të jetë bazë pakoja e Ahtisaarit, e cila do të ndryshohet në drejtim të kërkesave të reja të Serbisë. Unë e shoh pak të rrezikshëm qëndrimin e palës kosovare, që thotë se pakoja e Ahtisaarit është e panegociueshme, sepse llogaris që kjo është kërkesë minimale e Kosovës dhe kompromisi duhet të gjendet ndërmjet pakos së Ahtisaarit dhe kërkesave serbe; praktikisht, do të thotë se do të rritet numri i komunave serbe nga 11 në 13, apo në 16 - sa kërkojnë serbët, apo që do të ketë formë të autonomisë politiko-territoriale në veri, apo që do të ketë lidhje më të forta të komunave me bazë etnike serbe me Serbinë. Këto janë supozime për karakterin e bisedimeve, sepse këto bisedime janë vazhdimësi e bisedimeve të Vjenës dhe nuk konsiderohen bisedime për çështje teknike. Janë bisedime politike, që kanë të bëjnë me përcaktimin e statusit të Kosovës dhe sidomos me rregullimin e brendshëm të Kosovës, pa e përcaktuar karakterin e saj, nëse do të jetë, të themi kushtimisht, autonomi substanciale në kuadër të Serbisë apo do të jetë shtet me një pavarësi të mbikëqyrur.

RADIO EVROPA E LIRË
Në analiza të ndryshme thuhet se procesi i ri negociues mund të shihet edhe si një proces që do t’i hapë të gjitha opsionet. Rrjedhimisht nga kjo, sa e shihni ju kërcënim për tërësinë territoriale të Kosovës këtë proces të ri?

RAMUSH TAHIRI
Unë, personalisht, kërcënim e shoh indolencën e Ekipit të Unitetit të Kosovës, që konkretisht ka të bëjë me mungesën e një programi kombëtar për Kosovën apo të një platforme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Po Kosova t’i kishte të parapara që do të jetë shtet sovran dhe i pavarur, që do të jetë e integruar në strukturat euro-atlantike dhe në NATO, që do të jetë vend i BE-së, që do të respektojë standardet ndërkombëtare në të drejtat dhe liritë e njeriut, që do të ketë qarkullim të lirë të kapitalit të ideve dhe të njerëzve, që do të ketë fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet përreth dhe shtetet e rajonit dhe do të marrë pjesë në kooperimin dhe bashkëpunimin ndër-rajonal dhe më gjerë, që do të ketë prezencë të lirë ndërkombëtare të të gjitha formave, sa i përket të drejtës ndërkombëtare në Kosovë, përfaqësive ekonomike, diplomatike etj. dhe gjithashtu që do të ketë tërësinë territoriale të garantuar dhe që do të ketë sovranitetin që buron nga legjitimiteti apo vota e popullit, këto do të ishin pak a shumë disa parime të përgjithshme, që Kosova nuk i ka as në pakon e Ahtisaarit, e që do t’i ndihmonin dhe do të ishin garanci për cilindo ekip të unitetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se do të ketë 120 ditë bisedime. Mirëpo, në anën tjetër, Moska dhe Beogradi kërkojnë bisedime të paafatizuara. Marrë parasysh edhe atë që thatë ju, se do të ketë shumë çështje që mund të hapen, sa parashikoni se mund të zgjasë një proces i ri për definimin e këtyre çështjeve?

RAMUSH TAHIRI
Nuk hyhet me paragjykime në bisedime. Dhe, ata që thonë se 120 ditë janë të mjaftueshme ose nuk janë të mjaftueshme, mund të kenë të drejtë. Por, ata që thonë se bisedimet duhet të jenë të afatizuara, parimisht nuk kanë të drejtë, sepse bisedimet mund të kryhen shumë shpejt, nëse ndërtohen parimet e mira për bisedime, të cilat janë në harmoni me normat ndërkombëtare, nëse është e drejta e vetëvendosjes së popujve, nëse është vendosja e drejtësisë që kriminelet të përgjigjen, nëse është shpagimi i dëmeve, nëse është sovraniteti territorial dhe gjithashtu nëse është respektimi i standardeve ndërkombëtare që janë bërë në Kosovë dhe pakos së standardeve në Kosovën e administruar ndërkombëtarisht. Nuk e kuptoj kryeneçësinë e Ekipit Negociator, që duket nënçmuese jo vetëm para historisë, por edhe para realitetit, që insiston që pakoja e Ahtisaarit është dokumenti alfa dhe omega i gjithë konceptit të tyre, për të mbrojtur interesat e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas dështimit të miratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit dhe transferimit të çështjes së Kosovës te Grupi i Kontaktit, megjithatë, Rezoluta 1244 ka mbetur në fuqi. Andaj, pas Grupit të Kontaktit, a parashihni një rikthim të çështjes së Kosovës sërish në Kombet e Bashkuara?

RAMUSH TAHIRI
Po, kjo është krejt e sigurt. Unë nuk njoh ndonjë praktikë, që rezoluta e Këshillit të Sigurimit mund të hiqet nga një institucion apo organ më i vogël, në këtë rast siç është Grupi i Kontaktit, një grup shumë i rëndësishëm, i përbërë nga pesë vende, por që është një grup ‘ad hoc’, i cili në mënyrë operative i zgjidh çështjet në nivelet e ndryshme. Për t’u hequr Rezoluta 1244, duhet të jetë akt madhor ose të jetë një vullnet i shprehur i popullit të Kosovës, që do ta pranonte Këshilli i Sigurimit, ose që do ta pranonte Asambleja e Kombeve të Bashkuara, ose që Sekretari i Kombeve të Bashkuara do të deklaronte vetvetiu, me një deklaratë të pranuar nga të tjerët, se Rezoluta 1244 është jashtë kohës, për arsye se ngjarjet në Kosovë që kanë shkuar, e kanë tejkaluar atje dhe tash kjo ka mbetur çështje e rajonit apo çështje e Evropës. Nuk duhet të koncentrohemi në opsionet politike, se këto janë më shumë të ekspertëve, dhe ky është gabim që po e bën pak a shumë Ekipi i Unitetit. Ky kohezion dhe ky unitet që është arritur në Ekipin e Unitetit, pozitë – opozitë, duhet të shfrytëzohet për zhvillimin e Kosovës dhe jo për opsione teorike.

INTERVISTOI: Zijadin GASHI
XS
SM
MD
LG