Ndërlidhjet

HOXHAJ:"HAPËSIRA PËR BISEDIME ËSHTË NGUSHTUAR TEJ MASE"


Enver HOXHAJ, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e statusit të Kosovës ka kaluar nga Këshilli i Sigurimit te Grupi i Kontaktit dhe tash do të jetë treshja SHBA-BE-Rusi që do të ndërmjetësojë vazhdimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Si i vlerësoni ju zhvillimet e fundit?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se Grupi i Kontaktit ka qenë një instrument i fuqishëm politik, i cili gjatë tërë shkatërrimit të ish-Federatës Jugosllave, e ka formësuar ndjeshëm politikën në Ballkan. Ka qenë edhe një instrument që ka hartuar edhe parimet për definimin e statusit final të Kosovës. Kështu që kthimi i çështjes nga Këshilli i Sigurimit në Grupin e Kontaktit, për lidershipin e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës, krijon bindjen se Grupi i Kontaktit do të jetë në gjendje që t’i gjejë të gjitha rrugët e nevojshme, edhe politike, edhe legale, të cilat do të mundësojnë që të arrihet sa më shpejt definimi i statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit nuk ka përcaktuar formatin e bisedimeve. Si mendoni ju se do të zhvillohen ato?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se kjo është një fazë e ndërmjetme, ku është vështirë që dikush, në Prishtinë, të thotë se si vërtet do të duhej të dukej procesi. Meqë Grupi i Kontaktit, deri më tash, nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një agjendë, t’i definojë qasjet e aktorëve të ndryshëm, është vështirë të thuhet se kjo apo ajo do të jetë mënyra më e përshtatshme për pjesëmarrjen e Kosovës në proces. Ajo çfarë është e rëndësishme dhe që duhet ta kemi parasysh, është që Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset e nevojshme, që dokumenti i presidentit Ahtisaari është një dokument i balancuar, por edhe i dhimbshëm dhe që ka mbetur shumë pak hapësirë për manovrim të mëtutjeshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosovarët kanë përsëritur se nuk do të negociohet për pavarësi e as pakoja e Ahtisaarit. Për çka mund të bisedohet?

ENVER HOXHAJ
Nuk dihet agjenda e saktë. Është vështirë të thuhet për temat, për të cilat mund të negociohet. Është përmendur edhe nga pjesëtarët e Ekipit të Unitetit, që çështjet, të cilat janë të pas statusit, siç është çështja e të pagjeturve, e kthimit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me relacionin në mes të dy shteteve të pavarura, mund të jenë temë e bisedimeve. Mirëpo, mbi të gjitha, duhet të them që ajo se çfarë ofrohet në marrëveshjen e Ahtisaarit, është një përshkrim real i gjendjes në terren, që Kosovës i ofron të drejta si shtet i pavarur, por edhe obligime, e mbi të gjitha, u ofron të gjithë qytetarëve të Kosovës të drejtat që duhet t’i kenë. Kështu që hapësira e ardhshme për tema të veçanta, mendoj se është mjaft e ngushtuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë dhe vazhdon të flitet nga analistët, se këto negociata mund të jenë parapërgatitje për ndarjen e Kosovës. Çfarë mendon ju?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se negociatat, mbi të gjitha, synojnë që ta kenë si qëllim kryesor vonesën e procesit. Kuptohet që Serbia ka qenë e interesuar edhe këto tetë vjet pas fundit të luftës, por edhe këto shtat vjet pas rënies së regjimit të Millosheviqit në Beograd, që ta vazhdojë politikën e saj tradicionale, e cila e ka një emërues të përbashkët, që është territori i Kosovës. Asnjëherë nuk ka qenë e interesuar për qytetarët dhe fatin e tyre, ka qenë e interesuar për territore. Kështu që nuk përjashtohet mundësia që aspekti territorial ta determinojë procesin e ardhshëm, në të cilin do të gjendet Kosova. Mirëpo, ne besojmë se Grupi i Kontaktit edhe më tutje do të vazhdojë t’i përmbahet parimeve të tij, që bashkësia ndërkombëtare do t’i respektojë edhe ato vlera që i ka promovuar në Ballkan që nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë, ruajtjen e shoqërive shumetnike dhe që nuk do të lejojë që të krijohen shtete përgjatë vijave etnike, meqë çdo lëndim i një parimi të Grupit të Kontaktit supozon edhe hedhjen poshtë të të gjitha parimeve. Kjo do të ishte një situatë, e cila do ta sillte tërë rajonin e Ballkanit në një fazë të re të jostabilitetit, të pasigurisë, të dhunës, por, në të njëjtën kohë, edhe të përpjekjeve për agjenda që nuk përshkojnë me realitetin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka mendime të ndryshme në mesin e anëtarëve të Ekipit të Unitetit, lidhur me afatizimin e procesit të statusit. A mendoni se do të arrihet një pajtim me Grupin e Kontaktit për një afatizim të tillë?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se anëtarët e Ekipit të Unitetit do të duhej, mbi të gjitha, t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre brendapërbrenda Ekipit të Unitetit. Ideja kryesore e themelimit të Ekipit të Unitetit, ku merr pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë që, mbi të gjitha, të dominojë fryma e konsensusit, jo aq shumë edhe fryma e aksioneve simbolike për këtë ose për atë veprim. Për Kosovën është më se e nevojshme që të mendojë se si të projektojë fuqi, ndërsa fuqia në politikë projektohet vazhdimisht kur ka kohezion, kur ka koherencë dhe kur ka program të qartë, që mbështetet nga të gjitha partitë politike. Definitivisht, afatizimet dhe agjenda e Kosovës duhet të jenë diçka që harmonizohen edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Kuptohet që procesi është shtyrë, është tejzgjatur. Dhe, për qytetarët e Kosovës, shtyrja nuk vlen vetëm nga viti 2006 në vitin 2007, por është pothuajse një shtyrje prej gjeneratës në gjeneratë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se pas 120 ditësh procesi i statusit do të kthehet në Këshillin e Sigurimit apo do të pasojë shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se të gjitha përpjekjet në Këshillin e Sigurimit, që të arrihet një rezolutë që do ta shfuqizonte Rezolutën 1244 dhe e cila do ta mbështeste fuqishëm planin e Ahtisaarit, janë përcjellë me një dështim klasik. Është më se e nevojshme që aspekti kohor i definimit të statusit final të Kosovës, të kihet parasysh. Grupi i Kontaktit ka qenë një instrument, i cili fuqishëm ka krijuar kritere për shtet-ndërtimet që kanë ndodhur në ish-territorin jugosllav. Mendoj se Grupi i Kontaktit ka mundësi që të gjejë edhe rrugë politike, edhe rrugë legale, që Kosovës t’i mundësohet rruga sa më e shkurtër drejt pavarësisë. Çdo rikthim i çështjes përsëri në Këshillin e Sigurimit do të shtronte dilema se çfarë do të ndryshojë në mendjen dhe në gjeostrategjinë ruse pas tre muajsh, nëse deri më tash nuk ka pasur gatishmëri që realiteti i shtetit të pavarur të Kosovës të pranohet nga Federata Ruse. Pra, mendoj se nuk ka nevojë për humbje të kohës. Mendoj se ka nevojë që të ndërmerret një agjendë, ku do të ushtrohen përpjekjet e fundit dhe SHBA-të e BE-ja ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe, në të njëjtën kohë, të krijojnë mundësi legale e politike, që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizmat e nevojshëm politikë dhe financiarë.

INTERVISTOI: Arton KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG