Ndërlidhjet

EN SIGURON PARLAMENTARËT SE NUK DO TA NEGOCIOJË PAVARËSINË


Albana Isufi

Anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë siguruar deputetët e Kuvendit, se në negociatat 120 ditëshe nuk do të negociohet pavarësia, nuk do të cenohet integriteti territorial i vendit dhe nuk do të hapet pakoja e Ahtisaarit. Në anën tjetër, shefat e grupeve parlamentare kanë kërkuar qartësim të procesit të statusit, si dhe njëherësh kanë kërkuar që nëse nuk ka pavarësi me automatizëm, atëherë ajo të shpallet nga Kuvendi i Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu ka njoftuar deputetët, se pas dështimit të procesit të statusit në Këshillin e Sigurimit, Ekipi i Unitetit ka pranuar angazhimin shtesë 120 ditësh, pas garancive që ka marrë nga blloku perëndimor, se kjo është një qasje alternative që çon në pavarësinë e Kosovës. Presidenti Sejdiu ka siguruar deputetët, se Ekipi i Unitetit ia ka bërë të qartë faktorit ndërkombëtar, se në negociatat e ardhshme, pala kosovare nuk do të lëshojë pe në disa pika kyçe. "Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. Integriteti territorial dhe funksional i Kosovës është i pacenueshëm. Kosova është unike dhe e pandarë. Propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisaari konsiderohet dokument i përfunduar dhe i mbyllur për ne; dhe, si i tillë, nuk mund të hapet e as nuk mund të negociohet. Këtë dokument jemi zotuar se do ta zbatojmë në plotësi", ka thënë presidenti Sejdiu. Po ashtu, ai tha se negociatat e ardhshme me Serbinë do të jenë të raportit shtet me shtet, ku do të mund të flitet për kthimin e të zhdukurve, çështjen e fondit pensional, sukcesionin e çështje të tjera, që janë jashtë pakos së Ahtisaarit. Presidenti Sejdiu ka siguruar se nuk do të ketë shtyrje pas periudhës 120 ditëshe. Anëtari tjetër i Ekipit Negociator, Agim Çeku, ka thënë se me gjithë dështimin e arritjes së zgjidhjes në Këshillin e Sigurimit, duhet ruajtur besimin në SHBA dhe në BE. Kryeministri Çeku ka kërkuar një qasje më dinamike të palës kosovare, në mënyrë që në procesin e statusit, kosovarët të jenë partnerë, e jo statistë. "Të pushojmë të themi ‘po’ ndaj kërkesave të faktorit ndërkombëtar, por t'ia shtojmë edhe atë ‘por - po, por’. Kjo ‘por’ ka qenë se e respektojmë periudhën 120 ditëshe, por pas 120 ditëve duam qartësi, duam vendim, jemi të gatshëm ta marrim këtë vendim", ka theksuar kryeministri Çeku. Ai sërish është shprehur për një afatizim të procesit të statusit. Në anën tjetër, kryeparlamentari Kolë Berisha është shprehur kundër një veprimi të njëanshëm nga ana kosovare, duke shfaqur besimin e madh, se miqtë nuk do t'ia kthejnë shpinën Kosovës. "Po e bëjmë hapin e fundit, pa e bërë atë që duhet bërë së pari, do ta shpallim pavarësinë e Kosovës. Po, çka pastaj?", ka thënë Berisha. Edhe lideri opozitar, Hashim Thaçi, ka thënë se kosovarët duhet të veprojnë në partneritet të plotë me komunitetin ndërkombëtar. Sipas tij, mënyra se si do të veprojnë kosovarët tash, do të përcaktojë Kosovën e së ardhmes. "Tani, më shumë se kurrë më parë, kërkohet udhëheqje e përgjegjshme dhe unike, e jo të humbim kohë me agjenda personale e të bëjmë politikë koti. Duhet të mbetet zotim në fuqi obligimi ynë, për të punuar me botën e lirë dhe demokratike", është shprehur Thaçi. Me tone më pesimiste është shfaqur lideri i ORA-s, Veton Surroi, i cili ka thënë se procesi i statusit aktualisht gjendet në një situatë delikate, të padefinuar dhe me plot pikëpyetje. Ai ka theksuar se Kosova, në negociatat e ardhshme, rrezikohet nga krijimi i shtetit funksional, rrezikohet nga forcimi i vijës ndarëse në veriun e Kosovës, si dhe rrezikohet nga legjitimimi i pavarësisë. Surroi kërkoi nga Kuvendi, që pakon e Ahtisaarit ta shndërrojë në agjendë legjislative, në mënyrë që ajo të mos jetë objekt negociatash. Lideri i ORA-s sërish është shprehur se pavarësia e Kosovës duhet të shpallet para Kërshëndellave. "Kuvendi i Kosovës ka obligim ndaj qytetarëve. Këtë obligim, për funksionalizimin e pavarësisë, duhet ta kryejë brenda këtij viti, deri në Kërshëndellat e këtij viti. Ky është një obligim, i cili nuk e prish partneritetin, është një obligim i cili ndërtohet në partneritet", ka pohuar Surroi. Në anën tjetër, shefat e grupeve parlamentare kanë kërkuar një qartësim të procesit të statusit final. Alush Gashi ka thënë se Grupi Parlamentari i LDK-së mbështet fuqishëm Ekipin e Unitetit, megjithatë, kërkon që ekipi dhe institucionet të jenë më aktive. "Do ta mirëpritnim një aktivitet më intensiv, me hapjen e përfaqësive të vendit tonë jashtë", tha Gashi, duke shtuar se po ashtu duhet intensifikuar përpjekjet në qasjen më efikase në FMN, Bankën Botërore e në Bankën Evropiane për Zhvillim. Ndryshe nga lideri i partisë së tij, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, është shprehur për një afatizim të procesit të statusit. "Situata e krijuar në Kosovë e për Kosovën na obligon që ta qartësojmë vetveten për veprimet tona të mëtejshme, që të kërkojmë qartësim dhe afatizim të procesit nga mbështetësit tanë", ka thënë Krasniqi. Ai ka shtuar se nëse nuk do të ketë pavarësi me automatizëm, duhet të obligohet Kuvendi që ta shpallë pavarësinë. Ndërkaq, Gjylnaze Syla, nga AAK-ja, ka kërkuar nga deputetët, që ta përkrahin idenë e saj për krijimin e një asambleje parlamentare. "Kjo asamble parlamentare do të përcaktojë parimet e saj, do t'i argumentojë ato dhe do të miratojë një projekt-deklaratë që duhet t'i parashtrohet Kuvendit për miratim. Të nderuar deputetë, bashkohuni me mua në pranimin e kësaj thirrjeje, në formimin e trupit të veçantë, gjithëpërfshirës të një asambleje parlamentare, për shpalljen e pavarësisë. Duhet ta bëjmë këtë për popullin e Kosovës", ka thënë Syla. Deputetët e partive që nuk përfaqësohen në Ekipin e Unitetit kanë pasur tone më kritike ndaj Grupit të Unitetit, duke thënë se ky ekip ka devijuar nga platforma, në bazë të së cilës qe mandatuar nga Kuvendi i Kosovës.

XS
SM
MD
LG