Ndërlidhjet

NDIKIMI I PRONËS NË KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Bekim Bislimi

Kthimi i pronave banesore dhe pronave të tjera, si dhe kthimi i personave të zhvendosur pas luftës në Kosovë, janë gjëra të ndara nga njëra tjetra, por, megjithatë, janë procese që kanë lidhshmëri dhe varshmëri në mes vete, dhe për të pasur ato sukses, nevojitet plan strategjik dhe kyçje e të gjitha palëve. Kështu thuhet në raportin e prezantuar, sot, nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë. Aty është thënë se kthimi i pronave banesore dhe të tjera, si dhe garantimi i sigurisë dhe krijimi i mundësisë për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, janë parakushte për kthimin e personave të zhvendosur. Henri Mekgoven, ushtrues i detyrës së shefit të misionit të OSBE-së, ka thënë se procesi i integrimit është një nga format më të rëndësishme të ndihmës ndërkombëtare për kthimin e të zhvendosurve të komuniteteve pakicë. “Është shumë e rëndësishme që të investojmë lidhur me këtë çështje, por siç shihet nga vetë raporti, duhet ende shumë për t’u bërë“, tha zoti Mekgoven, duke shtuar se që nga viti 1999 e deri më sot, në Kosovë janë kthyer 16 mijë persona, ndërkohë që edhe 5 mijë objekte janë pronë e Agjencisë Kosovare për Pronë. Që nga qershori i vitit 2007 e deri më sot, kjo Agjenci ka pranuar mbi 25800 kërkesa për kthimin e pronave banesore, të bizneseve dhe pasurive tjera private, ka thënë Mekgoven. Sipas tij, ende nuk janë aftësuar për banim edhe mijëra objekte të tjera dhe duke pasur parasysh këtë, OSBE-ja ka nxjerrë rekomandimet për zgjidhjen e problemit të kthimit të personave të zhvendosur nga prona e tyre. “Duhet vazhduar me financimin e projekteve për kthim dhe riintegrim. Po ashtu, duhet të implementohet protokolli për kthimin vullnetar dhe të qëndrueshëm, në bashkëpunim me UNMIK-un, institucionet e përkohshme të Qeverisë në Kosovë dhe Republikën e Serbisë, i cili është nënshkruar nga përfaqësues të UNMIK-ut dhe të Qeverisë serbe“, tha Mekgoven. Ai nënvizoi se të drejtat mbi pronën duhet të jenë të siguruara në projektet për kthim, si dhe të sigurohet pjesëmarrje e plotë e personave të zhvendosur në procesin e kthimit dhe riintegrimit. Në ketë proces, Mekgoven tha se posaçërisht duhet të kyçen edhe organet komunale, sepse, sipas tij, pa ndihmën e tyre procesi nuk mund të ketë sukses. Ndërkaq, Kunt Rozendaut, përfaqësues i Agjencisë Kosovare të Pronës, ka kërkuar mbështetje më të fuqishme nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe nga opinioni publik, për t’u dalë ballë kërkesave të shumta, të cilat u janë adresuar kësaj agjencie. “Dëshiroj të nënvizoj se sa i përket kthimit, nevojitet mbështetje më e madhe edhe nga opinioni, si dhe bashkëpunim më i ngushtë nga ana e zyrtarëve të lartë në institucionet e Kosovës dhe UNMIK-ut, sepse pa këtë mbështetje, agjencia do ta ketë vështirë“, ka thënë Rozendaut. Në anën tjetër, ministri për Kthim dhe Komunitete i Qeverisë së Kosovës, Branislav Gërbiq, ka premtuar se ministria që ai drejton do të bëjë përpjekjet maksimale, që procesi i kthimit të intensifikohet. “Kjo ministri, si pjesë e institucioneve të përkohshme, ka një rol shumë të rëndësishëm për arsyetimin e shpresave të të gjithë atyre njerëzve, që dëshirojnë të kthehen dhe të jetojnë në Kosovë“, u shpreh ministri Gërbiq, duke shtuar se procesi i kthimit është mjaft i ndërlikuar. Ai ka theksuar se për t’ua kthyer njerëzve pronën e tyre dhe për t’u krijuar kushtet për kthim dhe jetesë në Kosovë, nevojitet që të respektohen të gjitha konditat ligjore, si dhe t’i ofrohet ndihma Agjencisë Kosovare të Pronës.

XS
SM
MD
LG