Ndërlidhjet

(MOS)SHITJA E PRONAVE NË VERI TË KOSOVËS


Arton Konushevci

Shitja e patundshmërive, që janë pronë e qytetarëve shqiptarë në veri të Mitrovicës, sipas përfaqësuesve të Këshillit për mosshitjen e shtëpive, banesave dhe pronave, është duke u rritur çdo ditë e më shumë. Ky këshill është themeluar kohë më parë nga vetë banorët e lagjes, që njihet me emrin Lagja e Boshnjakëve, e cila gjendet në pjesën veriore të qytetit, buzë lumit Ibër. Ramadan Kelmendi, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe banor i pjesës veriore të Mitrovicës, thotë se shtëpitë e shitura tashmë janë rrënuar dhe mbi to po ndërtohen ndërtesa kolektive për qytetarët serbë. Kelmendi thotë se, deri më sot, kjo çështje është ngritur për diskutim disa herë në nivelin institucional. “Mitrovica, disi është lënë pas dore për shumë shkaqe. Gabimi i parë ka qenë se është menduar, që me zgjedhjen e statusit final të Kosovës, çështja e Mitrovicës vetvetiu do të zgjidhet. E dyta, Grupi Negociator, në të gjitha bisedat, prej fillimit e deri më sot, këtë çështje e ka marrë si çështje shumë të lehtë”, tha Kelmendi. Këshilli për mosshitjen e shtëpive, banesave dhe pronave, anëtar i së cilës është edhe zoti Kelmendi, thotë se vetëm brenda dy muajsh, në Lagjen e Boshnjakëve janë shitur 21 shtëpi dhe janë shpërngulur shumë familje. “Prej pasluftës e deri më sot janë shpërngulur 23820 veta apo afro 1300 familje. Ky regjistër i është dërguar kryeministrit të Kosovës, në një seancë të Kuvendit të Kosovës. Dhe, ai regjistër ndodhet në Qeverinë e Kosovës”, theksoi Kelmendi. Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Mursel Ibrahimi, konfirmon se ka shitje të shtëpive në veri të Mitrovicës, por thotë se nuk e di saktë se sa është numri i shtëpive të shitura. “Nga përfaqësuesit e lagjes thuhet se edhe disa i kanë shitur shtëpitë. Por, në bazë të urdhëresës së UNMIK-ut, të vitit 2001/ 17, që pa leje të UNMIK-ut dhe Kuvendit Komunal të Mitrovicës, si dhe pa kalur në gjykatat tona, ato disi bëhen në mënyrë të fshehtë dhe ne nuk kemi informata në momentin e duhur”, tha Ibrahimi. Qeveria e Kosovës, këto ditë, u ka bërë thirrje qytetarëve të veriut të Mitrovicës, që të kenë durim dhe të përmbahen nga shitja e pasurive të tyre. Megjithatë, zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lama, thotë se nëse banorët duan ta shesin pasurinë e tyre, me asnjë ligj nuk mund të ndalohet një veprim i tillë. Por, zonja Lama thotë se nëse ekziston ndonjë presion, që i shtyn banorët të shesin pasurinë e tyre, atëherë kjo është diçka tjetër. “Këtu jemi të hapur për të pasur, për të depozituar dhe evidentuar çfarëdo rasti të kësaj natyre. Bëjmë thirrje, që kushdo që është në të tilla presione, menjëherë të kontaktojë institucionet e Kosovës dhe Zyrën e kryeministrit, për të trajtuar rastet e tilla”, ka thënë Lama. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje dhe nuk ka mundësi ligjore të ndikojë në shitblerjen e pasurisë në pjesën veriore, duke nënvizuar se është Qeveria e Serbisë ajo, që me mjetet e veta financiare është përfshirë në blerjen e pasurisë së patundshme në veri. Momir Kasaloviq, i cili udhëheq një strukturë paralele administrative në Mitrovicë dhe njihet si kryetar i qarkut të këtij qyteti, i ka mohuar këto njoftime. “Ajo që unë mund t’ju informoj, është se Qeveria e Serbisë nuk po bën blerjen e asnjë shtëpie të shqiptarëve që jetojnë në veri. Nëse ka shitblerje, kjo realizohet midis vetë qytetarëve, që nënkupon një formë të tregtisë së lirë”, ka thënë Kasaloviq. Sipas tij, shqetësimet e kryeministrit Çeku rreth shitjes së pronave të shqiptarëve në veri, nuk janë fare reale, aq më pak nëse ato vlejnë vetëm për bashëkombasit e tij, tha zoti Kasaloviq, duke marrë si shembull paralel serbët në fshatin Frashër të Vushtrrisë, të cilët, sipas tij, në vitin e fundit kanë shitur një numër të madh parcelash tokësore dhe patundshmëri. Sido që të jetë, Qeveria e Kosovës, në parim, ka aprovuar një buxhet prej 150 mijë eurosh ndihmë për qytetarët që jetojnë në kushte të rënda sociale. Këto para, sipas kryetarit të Kuvendit Komunal në Mitrovicë, Mursel Ibrahimi, do të shfrytëzohen për kthimin e banorëve, që kanë lëshuar shtëpitë e tyre nga veriu dhe që kanë gjetur strehim të përkohshëm në jug të qytetit të Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG