Ndërlidhjet

PËRMASAT E ZHVILLIMIT TË EKONOMISË SË PALIGJSHME


Nadie Ahmeti

Ekonomia joformale, që njihet edhe si ekonomi e tregut të zi, është zhvilluar në përmasa të mëdha në Kosovë dhe në këtë mënyrë po dëmton ekonominë formale dhe konkurrencën në tregun kosovar. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, shkalla e ekonomisë së paligjshme në rajon, përfshirë edhe Kosovën, është 41 për qind. Kështu u tha gjatë një konference, ‘Ekonomia Joformale në Kosovë’, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit. Agim Shahini, kryetar i Aleancës së Biznesit, tha se ekonomia joformale është rezultat i çrregullimeve në ekonominë e përgjithshme dhe është e pranishme në shumë vende, përfshirë edhe vendet e zhvilluara. Sipas tij, ky lloj i ekonomisë joformale, në Kosovë, më tepër është i përhapur në sektorin e ndërtimit, pylltarisë, tregtisë, shërbimeve, turizmit, transportit dhe bujqësisë. E vetmja mënyrë për të zvogëluar ndikimin që ka ekonomia joformale është nëpërmjet respektimit të institucioneve, duke filluar nga pagesa e taksave dhe kontributeve, tha Shahini. “A duhet që bizneset të bien pre e presioneve të paligjshme për përfitime personale që ushtrojnë mbi ta nëpunësit e korruptuar, apo të denoncojnë me kurajë shkelësit e ligjit? A duhet të vazhdojmë që të mos paguajmë taksat dhe të ngadalësojmë zhvillimin e vendit, apo të kontribuojmë dhe njëkohësisht të kërkojmë llogari se çka bëhet me taksat që ne paguajmë mbi fitimet tona në arkën e shtetit?”, tha Shahini. Kadri Kryeziu, zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë, ndërkaq thotë se ekonomia ilegale në Kosovë është zhvilluar për shkak të periudhës së tranzicionit dhe mungesës së infrastrukturës së duhur ligjore. “Problemet në zbatimin e legjislacionit përkatës për shkak të mungesës së strukturave dhe mekanizmave zbatues, mbrojtja e konsumatorit, shkalla e zhvillimit të ulët industrial dhe shmangia e detyrimeve fiskale, moszbatimi i kontratës kolektive, mosfunksionimi i mekanizmave për mbikëqyrjen e tregut, mungesa e politikave stimuluese tregtare, niveli i lartë i papunësisë dhe varfëria në Kosovë“, u shpreh Kryeziu. Në mënyrë që ekonomia joformale të formalizohet dhe të sillet në parametrat ligjorë dhe institucionalë, Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, tha se institucionet qeverisëse, në bashkëpunimin me komunitetin e biznesit, duhet të krijojnë politika dekurajuese për këtë komunitet. “Tashmë ka ardhur koha që përmes një procesi të hapur bashkëpunimi në zvogëlimin e ekonomisë informate, t’i japim fund njëherë e mirë epokës së grabitjes së pronës dhe të fondeve publike, nga cilido aktor i shoqërisë, qoftë publik apo privat, politik apo i biznesit”, theksoi Shahini. Ndërkaq, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është zotuar se do të bëjë përpjekje për të formalizuar edhe ligjërisht këtë ekonomi, tha Kadri Kryeziu. “Ne jemi të interesuar që këtë ekonomi, e cila sot është informale, ta formalizojmë, ta zyrtarizojmë, të ketë një lehtësi, që të gjithë ata që merren me ekonomi, të jenë të barabartë para ligjit dhe të kenë një konkurrencë legale”, tha Kryeziu. Ndryshe, Aleanca Kosovare e Biznesit, në muajin prill të këtij viti, ka filluar zbatimin e projektit për zvogëlimin ekonomisë joformale në tri komunat më të mëdha të Kosovës. Për këtë projekt është themeluar një grup punues nga institucionet, organizatat vendore dhe ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim të rishikimit të ligjeve dhe rregullativave ekzistuese që ndikojnë në rritjen apo zvogëlimin e ekonomisë joformale.
XS
SM
MD
LG