Ndërlidhjet

KA APO S’KA INVESTIME TË HUAJA NË KOSOVË?


Nadie Ahmeti

Investimet e huaja në Kosovë, pas përfundimit të luftës, kanë qenë minimale dhe kjo ka ndikuar edhe në moszhvillimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike në vend, thonë ekspertë kosovarë për çështje ekonomike, përderisa përfaqësues të institucioneve vendore pohojnë se investime të huaja ka pasur, por jo të mjaftueshme. Petrit Gashi, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore ‘RIINVEST’, tha se deri në vitin 2005, investime të huaja ka pasur vetëm në disa aktivitete të vogla, të cilat nuk kanë ndikuar në përmirësimin e zhvillimit ekonomik. Ai, ndërkaq, thotë se pjesëmarrja e investimeve është rritur në dy vjetët e fundit, pas fillimit të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. “Sipas të dhënave zyrtare, deri në vitin 2004-2005 nuk janë regjistruar fare investime, për arsye se kanë qenë shumë aktivitete të vogla, që nuk kanë zënë vend në të dhënat makroekonomike të Kosovës”, tha Gashi. Ejup Fejza, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për promovimin e investimeve të huaja, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se investime të huaja ka pasur, por jo në nivel të kënaqshëm. Falë investimeve të huaja, shton ai, ka pasur një rritje të vogël ekonomike në Kosovë. “Si rezultat i investimeve të huaja, por edhe nga investimet që janë bërë nga kompanitë vendore, ne kemi një rritje të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe një rritje të GDP-së, apo bruto-produktit shoqëror, gjatë vitit të kaluar, për 3 për qind. Ndërsa, në sektorin privat, kjo rritje ka qenë deri në 7 për qind. Ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në numrin e të punësuarve, por edhe në rritjen e mirëqenies totale të popullsisë së Kosovës ”, theksoi Fejza. Por, Petrit Gashi nuk pajtohet me këtë. Ai, megjithatë, pohon se tashmë është momenti i fundit, që institucionet vendore të koncentrohen në tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilët absorbojnë fuqi punëtore, pasi që, sipas Gashit, brenda një viti, në tregun e punës hyjnë 25 mijë të papunë. “Unë mendoj se ne, me politikat tona, duhet t’i synojmë ata sektorë, të cilët do ta absorbonin këtë fuqi punëtore. Për shembull, të përpiqemi të tërheqim investime në bujqësi, në ringjalljen apo në krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sektorë këta që në të gjitha vendet e botës absorbojnë numrin më të madh të të papunëve”, tha Gashi. Ai shton se përveç moszgjidhjes së statusit të Kosovës, investitorët e huaj i ka penguar edhe infrastruktura jo e duhur ligjore dhe kushtet e pavolitshme në infrastrukturë rrugore dhe energjetike, probleme këto, që, sipas Gashit, nëse nuk ndërmarrin masa institucionet vendore, do të jenë të pranishme edhe pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Unë, në këtë rast, do ta veçoja problemin me një rrethinë që nuk është shumë tërheqëse për investitorët e huaj, e nuk është shumë tërheqëse as për investitorët vendës”, tha Gashi. Në anën tjetër, Ejup Fejza, nga Agjencia për promovimin e investimeve të huaja, thotë se kjo agjenci tashmë ka filluar disa projekte, që t’i bindin investitorët e mundshëm që problemet në furnizimin me energji dhe në infrastrukturën rrugore tashmë janë tejkaluar. “Ne u kemi treguar se edhe infrastruktura rrugore nuk është ashtu siç paraqitet, por edhe problemet me energji nuk janë të tilla, siç paraqiten sot, sepse secili konsumator, posaçërisht këta industrialë, që paguajnë rrymën me rregull, kanë një furnizim të garantuar dhe mund ta fitojnë statusin e konsumatorit të privilegjuar”, pohoi Fejza. Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike, tashmë sa herë kanë deklaruar se zgjidhja e statusit të Kosovës do t’ua hapë rrugën edhe investitorëve të huaj.

XS
SM
MD
LG