Ndërlidhjet

DOBBINS: NDARJA NUK ËSHTË ALTERNATIVË E BESUESHME


James Dobbins, ish i dërguari i Presidentit Clinton për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobbins, ka filluar tashmë raundi i ri i bisedimeve për statusin e Kosovës.
A mund të themi me siguri se ky është raundi i fundit dhe procesi do përmbyllet pas 120 ditëve?

JAMES DOBBINS
Kemi pasur shumë përpjekje që i kemi quajtur të fundit dhe për këtë arsye ndoshta do të ishte e parakohshme ta themi me siguri se kjo është e fundit.
Me siguri mund të them se durimit po i vjen fundi.
Nëse këto bisedime nuk janë të suksesshme Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore perëndimore do të arrijnë në përfundimin se negociatat nuk mund të shkojnë më tej.

RADIO EVROPA E LIRË
Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se mbështesin pavarësinë e Kosovës. A mendoni se Uashingtoni do jetë i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës në fund të këtyre 120 ditëve?

JAMES DOBBINS
Mendoj se nëse bisedimet dështojnë atëherë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryesorë në Evropë do të lëvizin drejt kësaj zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se mungesa e unitetit brenda 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian luan ndonjë rol në hapat e administratës amerikane lidhur me Kosovën?

JAMES DOBBINS
Është një faktor që e komplikon më tej situatën. Shtetet e Bashkuara natyrisht parapëlqenin një zgjidhje brenda Këshillit të Sigurimit ashtu sic dëshirojnë të kenë unitet brenda Bashkimit Evropian rreth kësaj cështje. Por nuk mendoj se është një pengesë absolute. Vendimi për të njohur apo jo pavarësinë e Kosovës është vendim shtetëror. Nëse Shtetet e Bashkuara ecin në këtë drejtim atëherë edhe vendet kyce evropiane me siguri do bëjnë të njëjtën gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kreu i Kombeve të Bashkuara pret një raport nga Grupi i Kontaktit deri më 10 dhjetor. A do të thotë kjo se cështja e Kosovës do të kthehet sërish në Këshillin e Sigurimit?

JAMES DOBBINS
Nëse këto bisedime japin dicka atëherë padyshim që cështja do shkojë para Këshillit të Sigurimit. Nëse nuk kemi asgjë nga bisedimet në fjalë atëherë gjithcka varet nga rusët. Nëse rusët e bëjnë të qartë se do t'i vënë veton cdo rezolute atëherë nuk ka gjasa që cështja të kthehet në Këshillin e Sigurimit.
Nëse Rusia jep shenja se është e gatshme të rishohë atë zgjidhje që ofron Perëndimi atëherë do të kemi dhe një përpjekje tjetër në Këshillin e Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
I dërguari evropian në treshen ndërmjetësuese, ambasadori Ischinger tha se edhe opcioni i coptimit të Kosovës do pranohet nëse për të bien dakord palët. A përfaqëson kjo deklaratë ndryshim të qëndrimeve ndërkombëtare, duke qenë se fillimisht Grupi i Kontaktit e ka përjashtuar këtë opcion? Cfarë do të thotë kjo deklaratë?

JAMES DOBBINS
Nuk jam i qartë se cfarë përfaqëson kjo deklaratë. Bashkësia ndërkombëtare gjithmonë ka qenë e gatshme të diskutojë cdo opcion për të cilin të dyja palët, Kosova dhe Serbia janë të gatshme të bien dakord. Mendoj se nuk ka gjasa për coptimin e Kosovës, pasi kjo duhet të jetë rezultat i pranimit të dyanshëm. Kjo do të thotë se Serbia gjithashtu duhet të japë territore, pra do kemi një shkëmbim territoresh. Kjo do sillte që pjesët me shumicë shqiptare në Serbi t'i bashkoheshin Kosovës dhe ato me shumicë serbe në Kosovë t'i bashkangjiteshin Serbisë.
Nuk më duket se Beogradi është i interesuar në një lëvizje të tillë. Gjithashtu nuk mendoj se Kosova do jetë e gatshme të japë territore duke mos marrë asgjë në shkëmbim. Në këtë kuptim nuk më duket alternativë e besueshme.
Natyrisht nëse palët arrijnë në të tjera përfundime atëherë bashkësia ndërkombëtare do jetë e gatshme t'i konisderojë ato.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke parë nga kjo distancë kohore, si dikush i përfshirë tetë vjet më parë në politikbërjen amerikane, a mendoni se ishte gabim miratimi i një rezolute si 1244, që konfirmonte sovranitetin e Beogradit ndaj Kosovës? A po paguajmë sot cmimin e pavendosmërisë së bashkësisë ndërkombëtare që ta zgjidhte cështjen e statusit të Kosovës 8 vjetë më parë?

JAMES DOBBINS
Në vitin 1999 ishte një vendim i mencur që të shtyhej përcaktimi i statusit të Kosovës. Mendoj se pjesë të tjera të Ballkanit në atë periudhë ishin në kufijtë e konfliktit. Bosnja nuk ishte e qëndrueshme si sot, Maqedonia po shkonte drejt luftës civilë ashtu sic ekzistonte rreziku i një konflikti të mundshëm mes Serbisë dhe Malit të Zi. Aktualisht këto cështje janë zgjidhur apo përmirësuar krahasuar me vitin 1999 dhe Ballkani është më i gatshëm sot të merret me cështjen e Kosovës se sa në vitin 1999.

Intervistoi: Ilirjana. A Bajo

XS
SM
MD
LG