Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN: SJELLJA AKTUALE E BE-SË RRETH KOSOVËS ËSHTË ZHGËNJYESE


Soren Jessen Petersen, ish shef i UNMIK-ut

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jessen Petersen, ka kaluar më shumë se një vit që nga koha kur keni lënë detyrën e shefit të UNMIK-ut. A mendonit se përcaktimi i statusit të Kosovës do merrte kaq shumë kohë?

SOREN JESSEN PETERSEN
Jo, kam shpresuar se do zgjidhej shpejt. Si shumë të tjerë edhe unë kam keqgjykuar qasjen e Moskës.
Kur e lashë postin e shefit të UNMIK-ut besoja se të gjithë, përfshi këtu, vendet e Grupit të Kontaktit, Këshillin e Sigurimit dhe gjithë faktorët e tjerë, e kishin kuptuar se status quoja nuk mund të vazhdojë dhe na duhej një vendim i shpejtë.
Kisha shumë shpresë se cështja do zgjidhej në atë kohë, por tani jam tepër i zhgënjyer.

RADIO EVROPA E LIRË
I dërguari i BE-së në treshen ndërkombëtare, ambasadori Ischinger nuk e ka përjashtuar ndarjen si opcion, nëse për të bien dakord palët. Ka dhe informacione të tjera se ndërkombëtarët do kërkojnë nga udhëheqësit e Kosovës ta pranojnë ndarjen në shkëmbim të njohjes së pavarësisë për pjesën e mbetur nga Beogradi. Në c'drejtim mund ta cojë Ballkanin opcioni i ndarjes?

SOREN JESSEN PETERSEN
Jam shumë i befasur të dëgjoja dhe lexoja deklarata të tilla. Cdokush duhet ta kuptojë se ndarja e Kosovës është një ide shumë e keqe.
Së pari është ide e keqe për serbët e Kosovës. Mbi 2/3 e serbëve të Kosovës jetojnë në zona jashtë veriut të Kosovës. Me fjalë të tjera nëse opcioni i ndarjes ndodh atëherë sakrifikohen 2/3 e serbëve të Kosovës. Pra ky është shërbimi që po i bëhet serbëve të Kosovës.
Së dyti, kjo mund të sjellë disa implikime rajonale. Duke marrë vendimin për ndarjen e Kosovës do të shkaktojmë mungesë stabiliteti jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Jam i befasuar se dikush mund ta thotë një ide të tillë dhe jam i habitur se flasin për ndarjen e Kosovës përfaqësuesit ndërkombëtarë, kur dihet që Grupi i Kontaktit e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë. Më vjen keq që ata nuk e kanë hedhur poshtë këtë ide menjëherë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kundërshtarët e ndarjes në mes të tjerash argumentojnë se ndarja do ta bënte Kosovën një shtet jofunksional. Cili është mendimi juaj?

SOREN JESSEN PETERSEN
Para së gjithash Kosova nuk mund të jetë funksionale deri sa të mos përcaktohet statusi, që do të thotë, derisa mos t'i jepet pavarësia.
Së dyti, gjithë rajoni është peng i mosmarrjes së vendimit për statusin e Kosovës.
Do jetë shumë e vështirë për vendet e rajonit, të zhvillojnë ekonomitë e tyre nëse nuk përcaktohet statusi i Kosovës.
Së treti, ndarja e Kosovës ashtu sic e thashë dhe më sipër është shumë e keqe për popullin e Kosovës, për pakicën serbe dhe është keq për rajonin.
Ndarja zgjat pasigurinë për gjithë rajonin. Ne na duhet t'i mbyllim problemet në rajon. Por vetëm fakti që ndarja e Kosovës mbahet si opcion, sic bëjnë disa përfaqësues ndërkombëtarë, ata vetëm zgjasin pasigurinë. Ne na duhet siguri dhe një vendim tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni qenë pjesë e strukturave të Kombeve të Bashkuara për shumë kohë. Presidenti Ahtisaari ka deklaruar se qëndrimi rus ndaj propozimit të tij dëmton rëndë vetë Kombet e Bashkura.
Sa e ka dëmtuar qëndrimi rus efikasitetin e Kombeve të Bashkuara në këtë cështje?

SOREN JESSEN PETERSEN
Do të doja t'i përgjigjesha kësaj pyetje në një tjetër mënyrë.
Marti Ahtisaari ka sjellë propozimin më të mirë të mundshëm për Kosovën. Ai është një plan kompromisi, një kompromis i vështirë, por mbetet më i miri. Plani në fjalë i jep garanci shumë të mëdha serbëve të Kosovës dhe njëherësh i hap udhë pavarësisë së mbikqyrur ndërkombëtarisht.
Ju mund të vazhdoni bisedimet edhe për 120 ditë edhe për 120 vjet, por nuk mund të sillni ndonjë plan më të mirë.
Pra mbi të gjitha plani i Ahtisaarit mbetet më i miri. Fakti që ky plan u hodh poshtë në Këshillin e Sigurimit nuk është e ndershme.
Të gjithë e dimë se të dyja palët, Beogradi dhe Kosova asnjëherë nuk do të bien dakord. Në këto kushte duhet të veprojmë me më të mirën e mundësive që kemi, dhe ky është plani i Ahtisaarit. Të hedhësh poshtë planin e Ahtisaarit dhe të vazhdosh bisedimet derisa dihet se status quoja nuk mund të mbahet, kjo për mua është e papërgjegjshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është në gjendje Bashkimi Evropian t'i tejkalojë ndarjet rreth statusit të Kosovës dhe të marrë rolin drejtues atje?

SOREN JESSEN PETERSEN
Mendoj se është e drejtë kur thoni që Bashkimi Evropian të marrë rolin drejtues. Ajo cfarë duhet të bëjë Bashkimi Evropian është të dëshmojë rolin udhëqes, por Unioni nuk po e dëshmon një gjë të tillë.
Është e dukshme se është e vështirë të merret mirëkputimi i 27 vendeve anëtare të BE-së. Kjo është e pamundur nëse nuk kemi lidership të Bashkimit Evrpian.
Bashkimi Evropian edhe njëherë në vend që të përballet me një vendim të vështirë ka pëlqyer opcionin e mosmarrjes së një vendimi dhe zgjatjes së bisedimeve.
Bashkimi Evropian e vecanërisht vendet që kanë mbështetur planin e Ahtisaarit dhe janë pro pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën duhet të marrin rolin drejtues dhe ta shtyjnë procesin përpara.
Sjellja aktuale e Bashkimit Evropian është shumë zhgënjyese.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG