Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE QEVERIA I CILËSOJNË JOSERIOZE KËRCËNIMET PËR KTHIMIN E SERBISË ME FORCË NË KOSOVË


Zijadin Gashi

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë si edhe autoritetet vendore i cilësojnë si joserioze dhe të papërgjegjshme kërcënimet e sekretarit serb në Ministrinë për Kosovën, Dushan Prorokoviq, i cili ka pohuar se Serbia do të përdorë forcën ushtarake në rast se perëndimi e njeh Kosovën e pavarur. Këto kërcënime, sipas zëdhënësit të administratës së UNMIK-ut, janë të papërgjegjshme, duke pasur parasysh se në Kosovë janë të stacionuara forcat ndërkombëtare të sigurisë. “Ne e shohim këtë si deklaratë të papërgjegjshme, por duhet të rikujtojmë se ne kemi këtu KFOR-in dhe policinë e UNMIK-ut, si autoritete përgjegjëse për siguri dhe mjedis të qetë në Kosovë”, ka theksuar Ivanko. Në anën tjetër, edhe Qeveria e Kosovës i sheh si jo shqetësuese deklaratat e zyrtarit serb. Zëdhënësi i kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi, thotë se këto deklarata janë më tepër reflektim i politikës serbe, që nuk ka mundur të dalë ende nga kornizat e politikës së Millosheviqit. “Qeveria e Kosovës nuk i merr serioze deklaratat e tilla. Mirëpo, megjithatë, një deklaratë e tillë dëshmon shumëçka. Dëshmon se, fatkeqësisht, në Serbi nuk ka pasur ndryshime demokratike nga koha e regjimit të mëparshëm. Pra, ndryshimet janë shumë më të vogla, sesa që njeriu mund t’i mendojë. Është retorikë e regjimit që i ka dhënë aq shumë vuajtje dhe aq shumë dhunë rajonit, por dëshmon njëkohësisht edhe platformën apo bazën, mbi të cilën Qeveria e Serbisë dëshiron ta ndërtojë ardhmërinë e Ballkanit dhe sigurisë në rajon. Pra, është platformë e dhunës, platformë e luftës”, ka thënë Arifi. Në Kosovë është krijuar një realitet i ri, ndërkaq kërcënimet si ato të Prorokoviqit u përkasin politikave të kohërave që kanë perënduar, thotë Arifi. Ai tha se përkundër deklaratave të zyrtarëve serbë, Kosova nuk kundërpërgjigjet me sjellje të njëjta, pasi që rruga e Kosovës është drejt pavarësisë, paqes dhe integrimeve, e jo rrugë drejt konflikteve të reja. “Kosova ka kaluar në një fazë tjetër. Bashkësia ndërkombëtare, bashkë me popullin e Kosovës, ka ndërtuar një perspektivë tjetër për popullin e Kosovës dhe pavarësisht keqardhjes që në Serbi ekzistojnë njerëz me mendime të tilla, ne besojmë se rruga përpara e Kosovës është rruga e paqes, rruga e pavarësisë dhe rruga e integrimeve evropiane. Të gjitha këto me qëllim të sjelljes së mirëqenies, paqes dhe sigurisë për gjithë rajonin e Ballkanit”, ka thënë Avni Arifi. Me deklaratat e zyrtarit serb nuk pajtohet as Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, e cila vlerëson se çdo zgjidhje për Kosovën duhet të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit.
”Nëse kjo deklaratë e tij është e saktë, ajo me të vërtetë duhet ta brengosë shtetin serb, e sidomos serbët e Kosovës”, tha Trajkoviq. Ndryshe, sekretari i shtetit serb për Kosovën, Dushan Prorokoviq, është cituar në media të ketë deklaruar se nëse perëndimi është i gatshëm të njohë shtetin e Kosovës, atëherë Serbia është e gatshme të përdorë forcën. Ai ka paralajmëruar izolimin e Kosovës, zbatimin e sanksioneve dhe dërgimin e ushtrisë në Kosovë. Njëkohësisht, ai ka deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk do ta obligonte më Serbinë që ta respektonte Marrëveshjen e Kumanovës, çka, sipas tij, do t’i krijonte mundësi këtij vendi që të kthehej në Kosovë me forcat ushtarake. Sidoqoftë, këto nuk janë kërcënimet e vetme që vijnë nga Beogradi. Ky vend, përmes zyrtarëve më të lartë, i ka kërcënuar edhe të gjitha shtetet që e njohin pavarësinë e Kosovës me shkëputje marrëdhëniesh, si dhe ka paralajmëruar se nuk do të hyjë as në NATO nëse Kosova bëhet e pavarur.
XS
SM
MD
LG