Ndërlidhjet

REXHEPI:”KOHA E FORCËS SË SERBISË KA KALUAR ME MILLOSHEVIQIN”


Bajram REXHEPI, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit janë duke vazhduar. Prishtina zyrtare tashmë ka pranuar edhe ftesën e radhës për bisedime në Londër. Si e shihni ju rrjedhën e deritashme të bisedimeve?

BAJRAM REXHEPI
Realisht, unë nuk pres ndonjë sukses përfundimtar, për arsye se janë harxhuar gati dy vjet në bisedimet në Vjenë; është arritur te një kornizë, te një dokument i Ahtisaarit, një dokument i balancuar, jo më i miri. Dhe, mendoj se janë shterur mundësitë. Pala kosovare prej fillimit ka qenë gjeneroze, kështu që nuk ka shumë hapësirë të kreativitetit, si po kërkojnë. Prandaj, mendoj se kjo kohë duhet të kalojë; është si një diçka e imponuar nga faktori ndërkombëtar, për arsye të tyre, që nuk kanë arritur të bëjnë një konsensus në Këshillin e Sigurimit, por edhe në Unionin Evropian ka pasur hezitime. Dhe, mendoj se do të kalojnë këto bisedime pa ndonjë efekt pozitiv, si diçka që është obliguese për Ekipin Negociator dhe të përfundojnë pa ndonjë marrëveshje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, pret që më datën 10 dhjetor t’i dorëzohet një raport nga Treshja negociatore për rezultatin e bisedimeve 120 ditëshe. A mendoni se Kosova deri atëherë do ta ketë statusin e merituar?

BAJRAM REXHEPI
Do të ishte tepër optimiste ta kemi para 10 dhjetorit. Unë mendoj që jo menjëherë as pas 10 dhjetorit. Ata kanë obligim që t’i bëjnë një raport Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për arsye se një kompetencë është transferuar nga Këshilli i Sigurimit në Grupin e Kontaktit, që ata kanë caktuar një treshe. Dhe, unë mendoj se raporti duhet të jetë i tillë që edhe nëse ka bisedime shtesë, nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje dhe duhet shikuar mekanizmat tjerë. Unë nuk besoj; mendoj se pala serbe del kohë pas kohe me disa propozime, të cilat nëse shikohen në esencë janë më tepër kozmetikë, sjellja në një qark të mbyllur. Ata kanë mundësi ta bëjnë këtë se prej fillimit kanë qenë rigidë, nuk kanë ofruar diçka pozitive, ndërsa pala kosovare, siç kam thënë në fillim, ka qenë gjeneroze. Prandaj, këtu nuk ka hapësirë të afrimit të qëndrimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se më 10 dhjetor do të përfundojnë negociatat apo do të ketë vazhdim të tyre?

BAJRAM REXHEPI
Është vështirë të prognozohet. Realisht, kjo ka qenë një kërkesë që të ketë negociata shtesë 120 ditëshe dhe ato duhet të mbarojnë me raportin që do t’i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm. Ndoshta do të ketë ndonjë tendencë që të fitohet edhe pak në kohë, por mendoj se realisht duhet të jetë shumë i kujdesshëm edhe faktori ndërkombëtar në këtë afatizim, se kanë kaluar më tepër se tetë vjet. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se cilën perspektivë e kanë. Prandaj, nuk ka shumë hapësirë; bisedimet shtesë nuk e ndërrojnë asgjë situatën. Pra, është humbje kohe dhe mund të shkaktojë tensionime ose mosbesim ndaj faktorit ndërkombëtar dhe atëherë mund të dalin tensione të ndryshme e të padëshirueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë nga Beogradi kanë thënë se Serbia është e gatshme të përdorë edhe forcën, për të penguar vendet perëndimore për ta njohur pavarësinë e Kosovës, por disa të tjerë thonë se nuk do të përdorin forcë. Si i komentoni ju këto deklarata?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se koha e forcës së Serbisë ka kaluar me Millosheviqin. Kjo është një retorikë politike që është edhe për konsum të brendshëm, për popullatën e vet, por edhe në të njëjtën kohë të zmbrapsë pak edhe Unionin Evropian, që mos të jetë i vendosur që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur dhe mendojnë të arrijnë efekt të dyfishtë në këtë drejtim. Mirëpo, mendoj se edhe Evropa, këto lojërat e tyre politike i ka kuptuar drejt dhe nuk duhet të ketë zmbrapsje. Tek e fundit, prezenca e KFOR-it, e NATO-s, është këtu që ta bëjë sigurinë globale, është obligim i tyre dhe nuk mund t’i lejojë NATO-ja vetes të dështojë në territor të Evropës. Dhe, kjo është më tepër retorikë politike. Kjo është një gjuhë, të cilën e preferojnë një pjesë e madhe e radikalëve; ka dhe të tjerë që janë më të matur dhe mendoj se këta që janë më të matur kanë të drejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet e paralajmëruara dhe bisedimet për statusin e Kosovës mbahen në të njëjtën kohë. A shihni ndonjë pengesë?

BAJRAM REXHEPI
Realisht, ju e dini se në bisedimet e Ekipit të Unitetit me përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm, fjalën e fundit e ka SRSG-ja; mund të shtyhen zgjedhjet, vetëm nëse interferon çështja e definimit të statusit. Sa u përket bisedimeve, dihet se këtë mandat e ka Ekipi i Unitetit, i dalë nga Parlamenti i Kosovës dhe ka potencial që të marrë pjesë edhe në zgjedhje dhe t’i vazhdojë ato bisedime që edhe ashtu janë të pafrytshme. Dhe, nuk besoj se do të ketë ndonjë interferencë. Ndërsa, në anën tjetër, është obligim edhe legjislativ, për arsye se institucionet qendrore deri në tetor e humbin legjitimitetin, ndërsa komunat e nivelit lokal e kanë humbur që një vit e më shumë, që me një urdhëresë administrative u është vazhduar mandati. Prandaj, pavarësisht se janë në fazën e bisedimeve, ne duhet të kemi institucione legjitime, t’i plotësojmë normat demokratike.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG