Ndërlidhjet

ANALISTËT ME VLERËSIME TË NDRYSHME RRETH KOALICIONEVE PARAZGJEDHORE


Zijadin Gashi

Formimi i disa koalicioneve parazgjedhore si dhe dalja e disa partive politike për herë të parë në zgjedhjet e sivjetme, komentohen në mënyra të ndryshme nga analistët në Prishtinë. Duke i vlerësuar zhvillimet në prag të garës zgjedhore, Ilir Dugolli konsideron se koalicionet e deritashme nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim përmbajtjesor në skenën politike, pos që në fund do të sjellin shkrirjen e disa subjekteve të vogla, që kanë hyrë në koalicione me partitë e mëdha. Ndërkaq, analisti Migjen Kelmendi konsideron se koalicionet, megjithatë, sjellin një frymë të re në Kosovë, duke pasur parasysh inercionin e vazhdueshëm te partitë e mëdha politike këto vitet e fundit. “Personalisht, po i përjetoj si një hap të madh drejt demokratizimit të mëtejmë të jetës shoqërore te ne dhe natyrisht të demokratizimit të brendshëm të partive, sepse po i kujtuam shumë se sa arrogantë ishin liderët vetëm para një kohe, kësaj radhe po hetoj një ecje përtokë, një ecje shumë më të natyrshme, drejt përpjekjeve të demokratizimit të jetës politike”, tha Migjen Kelmendi. Ndërkaq, Ilir Dugolli beson se lidhja e koalicioneve ndërmjet partive të mëdha me ato të vogla nuk sjell shumë risi në skenën politike të Kosovës. “Në radhë të parë, këto koalicione janë një lloj shkrirje e disa partive të vogla, shumica madje joparlamentare që nuk kanë mbërritur as një përqindëshin, në parti më të mëdha. Për këto të voglat krijon një siguri se mund të bëhen pjesë e spektrit parlamentar, përderisa për të mëdhatë e ka vetëm karakterin simbolik”, vlerëson Ilir Dugolli. Në zgjedhjet e sivjetme ka edhe parti politike që do të dalin për herë të parë në garën zgjedhore. Edhe pse e shkëputur nga LDK-ja, Lidhja Demokratike e Dardanisë e Nexhat Dacit është subjekt i ri politik, e po ashtu edhe Aleanca e Re për Kosovën e Behxhet Pacollit. Këto parti, sipas Dugollit, nuk pritet të mbeten jashtë Parlamentit, edhe pse ende nuk dihet mirë fuqia e tyre. “Nuk e shoh si problematike që ato ta tejkalojnë pragun, por mundësitë për t’u bërë mandej koalicione paszgjedhore janë krejt të hapura. Dhe, partitë qëllimisht janë duke i mbajtur krejtësisht të hapura opsionet e tyre”, tha në vazhdim Dugolli. Në anën tjetër, Migjen Kelmendi vlerëson se partitë e reja mund të ndikojnë në një rezultat më ndryshe krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Krahas partive që aktualisht njihen si relevante në skenën politike, ai i sheh edhe dy subjektet e reja si dy parti konkurrente për pushtet pas zgjedhjeve të paralajmëruara për 17 nëntor. “Partia që këto ditë nënshkroi më së shumti marrëveshje, koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, në esencë është një nga lojtarët kryesorë për pushtet. Në anën tjetër, është inercioni i kamotshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që po ashtu parasheh që do të jetë një nga kandidatët kryesorë për vende në Parlament. Këtu nuk duhet lënë aspak anash edhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë, edhe projektin e Behxhet Pacollit (ARK-në), edhe Partinë Reformiste Ora dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, theksoi Kelmendi. Pavarësisht se ka disa koalicione të reja, megjithatë si Dugolli ashtu edhe Kelmendi vlerësojnë se do të jetë momenti paszgjedhor kur do të dihet fuqia reale e partive politike dhe atëherë mund të priten koalicionet e vërteta që mund të ndikojnë në formimin e Qeverisë së re në Kosovë. Po ashtu, analistët i shohin këto zgjedhje si hap i parë drejt zgjedhjeve më kuptimplota që do të mbahen pas statusit, kur edhe mund të pritet profilizimi i skenës politike në Kosovë.
XS
SM
MD
LG