Ndërlidhjet

PËRGJEGJËS PËR ZGJEDHJET NË KOSOVË ËSHTË VETËM UNMIK-U


Albana Isufi

Përfaqësues të UNMIK-ut konsiderojnë se vetëm UNMIK-u është përgjegjës për të mbajtur zgjedhje në Kosovë, ndërkohë që Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Qeverisë serbe që të organizojë zgjedhje lokale në territorin e Kosovës, përkatësisht në komunat me shumicë serbe, është përpjekje për destabilizim të Kosovës.
“Nën Rezolutën 1244 vetëm UNMIK-u ka autoritetin që të mbajë zgjedhjet në dhe për Kosovën, e po ashtu edhe sa i përket zgjedhjeve lokale, janë të vlefshme vetëm ato që shefi i UNMIK-ut i ka shpallur që të mbahen më 17 nëntor“, tha Rusell Geekie, nga zyra për informim e UNMIK-ut. “Zgjedhjet lokale, apo çfarëdo zgjedhjesh tjera që mbahen në Kosovë nga ana e Serbisë, nuk janë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe Serbia si anëtare e OKB-së duhet të respektojë 1244-shin”, tha Rusell Geekie, duke shtuar se serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit, të organizuara nga UNMIK-u. Ministri për Kosovën në Qeverinë serbe, Sllobodan Samarxhiq, ka thënë se kreu shtetëror serb ka vendosur që zgjedhjet lokale në komunat e Kosovës, ku shumicën dhe pushtetin e kanë serbët, të mbahen në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale në Serbi, të cilat priten të shpallen së shpejti. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Avni Arifi, ka thënë se ky veprim i Qeverisë serbe dëmton interesat e serbëve të Kosovës. “Në vazhdën e aktiviteteve të ngjashme që ka marrë Qeveria e Serbisë, posaçërisht në javët e fundit, ky është një veprim që ka për qëllim, në një mënyrë, destabilizimin e Kosovës, pamundëson integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe në shoqërinë kosovare, ndikon negativisht te mirëqenia e qytetarëve serbë dhe si të tillë e konsiderojmë si një kontribut jo të mirë, që më së paku është në interes të popullatës serbe në Kosovë”, theksoi Arifi. Ndërkohë, vetë përfaqësues të serbëve të Kosovës e kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë serbe. Lideri i Listës Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, mendon ende se ky është një vendim i lidhur vetëm me partitë politike në Serbi. “Mendoj se ky është qëndrim i partive politike dhe duhet të pres, të shoh se cili është qëndrimi i Qeverisë. Nëse edhe Qeveria konfirmon diçka të tillë, atëherë ne me të vërtetë kemi probleme të mëdha, sepse kjo do të ketë ndikim në zvogëlimin e numrit të personave që do të dalin në zgjedhje. Kjo është gjë e keqe, pasi që pasojat do t’i vuajë komuniteti serb dhe askush tjetër”, tha Ivanoviq. Qeveria e Serbisë, kohë më parë, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës, që të bojkotojnë zgjedhjet lokale dhe parlamentare të 17 nëntorit, pavarësisht se tetë parti serbe tashmë janë certifikuar në KQZ për garën zgjedhore. Avni Arifi thotë se vendimi i fundit i Qeverisë serbe për organizmin e zgjedhjeve lokale për komunat serbe ka për qëllim përçarjen e elektoratit serb të Kosovës. “Qeveria e Serbisë, një ndër funksionet më të mëdha që është duke i luajtur, është që të vijë deri te përçarja e elektoratit serb në Kosovë. Ne jemi të bindur se një pjesë e serbëve ose shumica e serbëve që jetojnë në Kosovë janë të interesuar që të marrin pjesë në zgjedhje, që bashkërisht me qytetarët tjerë të Kosovës të votojnë për të ardhmen e tyre. Dhe, këto veprime të Qeverisë serbe nuk i shërbejnë askujt”, u shpreh Arifi. Ndryshe, idenë për organizimin e zgjedhjeve lokale, përveç Listës Serbe për Kosovën, e ka cilësuar si të papranueshme edhe organi ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Serb, të cilët e kanë cilësuar si tërësisht të papranueshme, duke thënë se është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe në funksion të promovimit të ndarjes së territorit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG