Ndërlidhjet

BREGU:”RETORIKAT E PRAPAMBETJES S’DUHET TRUMBETUAR”


Majlinda BREGU, Ministre për Integrime Evropiane e Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ministre, çfarë do të thotë për shqiptarët nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e vizave? A do të ketë në të vërtetë lehtësim në marrjen e tyre?

MAJLINDA BREGU
Marrëveshja e lehtësimit të vizave, e cila tashmë është nënshkruar përfundimisht dhe hyn në fuqi në janar të vitit 2008, krijon sigurisht premisa për një lëvizje të lirë dhe për të ndihmuar, le të themi, ato grupe, individë, kategori, të cilat përfitojnë pikësëpari nga kjo marrëveshje. Ajo që është pozitive në marrëveshjen e lehtësimit të vizave, ose këndvështrimi im në rolin e ministres së Integrimit, ka të bëjë me faktin që për ne marrëveshja e lehtësimit të vizave do të thotë një vlerësim i reformave të ndërmarra nga Qeveria, një besueshmëri më e lartë në menaxhimin e kufijve në luftën kundër krimit të organizuar, të cilat janë elementet kryesore që kanë fasilituar dhe bënë të mundshëm nënshkrimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave. Një nga kriteret kryesore sigurisht që është menaxhimi i kufijve, pra menaxhimi i integruar i kufijve. Por, nga ana tjetër, tashmë Shqipëria shihet si një rast pozitiv apo si një eksperiencë pozitive edhe për vendet tjera. Vetëm para pak ditësh ka pasur një deklaratë të ministrit të Jashtëm italian, D’Alema, i cili vlerësonte këtë ndryshim të këtij imazhi që ka pasur deri diku Shqipëria, të një vendi që transportonte klandestinë, të një vendi, kufijtë e të cilit ishin krejtësisht të pasigurt për një shtet tjetër perëndimor, si një shembull dhe histori pozitive, e cila ia vlen të implementohet në vendet tjera, me të cilat një shtet perëndimor, sikurse Italia, mund të ketë problematika, për shembull, kohët e fundit me vendet tjera, sikurse ishte Libia. Fakti që Shqipëria tashmë përmendet si rast pozitiv, ne na bën të ndjehemi shumë mirë. Kategoritë që përfitojnë nga kjo marrëveshje janë kategori që janë të lidhura drejtpërsëdrejti me proceset integruese të Shqipërisë, janë studentët që përfitojnë nga marrëveshja e lehtësimit të vizave, janë gazetarët që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, janë biznesmenët, janë qytetarët e thjeshtë, të cilët kanë njerëzit e tyre familjarë që duan t’i vizitojnë në vendet evropiane. Ajo që është pozitive dhe që ia vlen të theksohet është fakti që në momentin kur në janar të vitit 2008 do të hyjë në fuqi marrëveshja e lehtësimit të vizave, Komisioni Evropian do të shqyrtojë mundësinë për hapjen e një dialogu me shtetet anëtare për të liberalizuar krejtësisht regjimin e vizave me Shqipërinë, pra për një ‘Visa Free Entry Regime’, që do të thotë që shqiptarët të kenë mundësi të lëvizin lirisht, pa barrierat e vizave, në shtetet evropiane dhe në shtetet e vendeve anëtare të BE-së. Sigurisht se kjo nuk është një gjë që do të ndodhë më 1 janar të 2008-ës. Më 1 janar fillon lehtësimi, por paralelisht do të punohet edhe për këtë aspekt tjetër të rëndësishëm, që është liberalizimi i vizave. Dhe, unë do të thosha se për aq kohë sa të dëshmohet seriozitet në ndërmarrjen e reformave që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e vendit, për aq kohë sa të ketë një stabilitet politik, një stabilitet makroekonomik, tashmë të dukshëm dhe të pranuar nga vlerësuesit, nga të gjitha strukturat ndërkombëtare që monitorojnë progresin e Shqipërisë, për ne sigurisht se ky është një vlerësim dhe një hap shumë pozitiv.

RADIO EVROPA E LIRË
Përtej nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim asociimit, cilat janë gjasat tjera reale për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

MAJLINDA BREGU
Marrëveshja e stabilizim asociimit është një nga hapat apo një nga hallkat e këtij procesi integrues, nëpër të cilin duhet të kalojë normalisht një vend që aspiron për të qenë pjesë e Unionit Evropian. Por, njëkohësisht, kemi marrëveshjen e ndërmjetme, e cila ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2006, pra nuk është mbushur një vit nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së ndërmjetme, qëllimi kryesor i të cilës ishte që deri në momentin që do të hynte në fuqi marrëveshja e stabilizim asociimit, procesi që do të ndodhë pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga parlamentet e vendeve anëtare, marrëveshja e ndërmjetme do të shërbejë si urë për të lehtësuar komunikimin dhe për të lehtësuar marrëdhëniet e Shqipërisë me tregun evropian. Sigurisht që në këtë proces ngjarjet janë të parashikuara; në momentin që zhvillohet apo plotësohet dhe kalohet një hallkë e zinxhirit, ka një hallkë tjetër përpara, derisa të mbërrihet në finish. Normalisht, në një procedurë normale do të duheshin 2 deri në 3 vjet për ratifikimin e marrëveshjes së stabilizim asociimit. Duke llogaritur se ka hyrë në fuqi në vitin 2006, ne pretendojmë, shpresojmë dhe urojmë që të mbyllet procesi i ratifikimit brenda vitit 2008, gjë që do të na jepte mundësinë që në bashkëpunim me Komisionin Evropian, në bazë të dialogut me ta, të vendosim për momentin për kërkimin e statusit të vendit kandidat, i cili është hapi tjetër para-final, nëse do ta quaja kështu, para marrjes së konsensusit për hapjen e negociatave për aderimin e plotë, pra për pranimin në BE. Ratifikimi është thjesht një proces plotësimi i një procedure. Ajo që ka rëndësi është kontinuiteti, vazhdimësia, serioziteti dhe dëshmia ose dëshmimi i vullnetit për të ndërmarrë reforma, që për hir të së vërtetës janë jo gjithmonë të mirëpritura nga një faktor i brendshëm, ose jo gjithmonë të mirëkuptuara nga faktori i brendshëm. Shpjegimi i reformave që bëhen për hir të integrimit brenda një shteti, një vendi që aderon të jetë pjesë e BE-së, është një eksperiencë e vështirë për të gjitha shtetet që janë anëtare të reja të BE-së, pra për të gjitha ato shtete që kanë kaluar në këtë fazë dhe në këtë ecuri deri në momentin e anëtarësimit të plotë ne BE. Momenti i qasjes së standardeve kombëtare me standardet e BE-së sigurisht që është një moment i vështirë, nganjëherë me shkopinj nën rrota. Dhe, për hir të mosmarrëveshjeve apo duke qenë se është një çështje dhe një aspiratë kaq madhore, fatkeqësisht nganjëherë edhe bëhet peng i debateve politike, që i keqpërdorin reformat dhe debatin për integrim për hir të interesave të ngushta partiake. Por, ndonjëherë edhe ndoshta jo i mirëpritur nga grupet e interesit, sepse vendosja e disa rregullave, të cilat qasin ekonominë, për shembull, në një rast, pra plotësimin e kriterit ekonomik me standardet e BE-së, nganjëherë sigurisht që nuk është e mirëpritur nga grupet e interesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht, Kosova po gjendet në fazën më kritike për çështjen e përcaktimit të statusit. Ju, si ministre e Integrimit, a mendoni se një integrim ndoshta më i mirë i shqiptarëve në rajon do të sillte një integrim më dinjitoz të tyre në Bashkimin Evropian?

MAJLINDA BREGU
Sot, në Evropë diskutohet për një perspektivë të zgjerimit të Ballkanit perëndimor. Dhe, në qasjen pozitive që kanë për të qenë pjesë e BE-së, duhet të dëshmojnë një vullnet dhe seriozitet, së pari për të respektuar njëri-tjetrin në rajon. Fakti që tashmë ne ndodhemi jo vetëm si shqiptarë, pra në bashkëkombësi, por edhe si një shtet i Ballkanit, para një vendimi i cili duhet marrë dhe që është vonuar shumë, pra pavarësia e Kosovës, përcaktimi final i statusit të saj, sigurisht që një vlerësim pozitiv i reformave të Shqipërisë do të sillte mundësinë që kjo perspektivë pozitiviste të transmetohej, të përdorej edhe si eksperiencë për shtetet tjera, qoftë edhe për shtetet, të cilat pritet që shumë shpejt ta fitojnë pavarësinë e tyre, sikurse është rasti i Kosovës. Absolutisht që ndërmjet nesh dhe Kosovës ka një lidhje tjetër që është shumë e fuqishme, sa që shkëmbimi i eksperiencës midis dy vendeve fqinje. Ne kemi filluar dhe kemi projektuar ide dhe iniciativa, se si kjo eksperiencë e jona mund t’u vijë në ndihmë për të mos pasur rrugë të ndërmjetme dhe boshllëk në procesin e integrimit të nesërm të Kosovës në BE. Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe të vendeve të tjera të rajonit kanë ardhur disa herë në Shqipëri, ku është diskutuar për iniciativa të përbashkëta, për programe të fqinjësisë që ne kemi në kuadër të asistencës së IPA-s [Instrumenti për para-anëtarësim], pra programet e fqinjësisë me vendet e rajonit. Kosova sigurisht që është një nga ato vendet që do të përfitojnë nga këto programet e fqinjësisë me Shqipërinë dhe që janë përfshirë në listën e projekteve, për të cilat ne paraqesim pranë Komisionit Evropian kërkesën për miratim për fondet e IPA-s. Për shembull, në programin e IPA-s 2008, një nga komponentët në programet e fqinjësisë dhe bashkëpunimit rajonal është edhe hartimi i projekteve jo vetëm ndërmjet njerëzve, pra njerëzit për njerëzit, por edhe i projekteve të rëndësishme infrastrukturore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Retorikat, shpeshherë të prapambetjes, të konflikteve, të tezave diversioniste, të ndarjeve, të rindarjeve, të kthimit të teorive të vjetra të braktisura nacionaliste, të braktisura prej kohësh tashmë nga qasjet evropiane dhe perëndimore, nuk janë rasti për t’u diskutuar apo trumbetuar me forcë nga çdo politikan që ka kuptuar se ku është e ardhmja e një vendi të Ballkanit perëndimor.

INTERVISTOI: SUELA MUSTA
XS
SM
MD
LG