Ndërlidhjet

MOORE:"SOLANIA" E RE NUK ËSHTË ZGJIDHJE PËR KOSOVËN


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë zyrtarë dhe analistë parashikojnë dështimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta të palëve. A pajtoheni me ata që thonë se jemi larg ndonjë marrëveshjeje të mundshme?

PATRICK MOORE
Gjithsesi që nuk ka dhe nuk do të ketë marrëveshje, sepse dy palët dallojnë si nafta dhe uji. Kjo është krejt transparente, sepse Beogradi bën "inat" për atë (Kosovën) që e ka humbur në vitin 1999, ku për dekada as që ka pasur kontroll. Rusia është duke ndihmuar Serbinë që çështjen ta zhargitë me shpresën se Perëndimi do të humbasë interesimin dhe do ta braktisë Kosovën. Kultura politike e Bashkimit Evropian konsiston në zhargitjen e çështjeve, sepse ata kanë shumë probleme kur duhet të miratojnë vendime, që kanë të bëjnë me vendet tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra që thonë se bashkësia ndërkombëtare është duke u tërhequr nga mbështetja e fuqishme për pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, i pyetur nëse epilogu përfundimtar i bisedimeve do të jetë pavarësia e Kosovës, Wolfgang Ischinger ka thënë: ".....çështjen e pavarësisë do ta lë të hapur. Më me dëshirë do të flisja për një status të mbikëqyrur në formë të fuqishme". Çfarë do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
Ky është një rast klasik i pavendosmërisë së Bashkimit Evropian dhe kompromiseve absurde, për shkak të paaftësisë së 27 vendeve për të realizuar politikë unike. Kohë më parë, presidenti i Çekisë, Vaclav Klaus, kishte thënë se politika e përbashkët e Bashkimit Evropian në planin e jashtëm dhe të sigurisë është e pamundur. Keni 27 interesa të ndryshme kombëtare dhe ato e kanë të vështirë gjetjen e gjuhës së përbashkët. Zaten, Franca dhe Gjermania nganjëherë tentojnë të imponojnë vullnetin e tyre ndaj të tjerëve dhe të flasin në emër të Evropës, por keni 27 shtete sovrane me interesa të ndryshme. Por, t'i kthehemi deklarimit të zotit Ischinger. Formulimi i tij për një "status të mbikëqyrur fuqishëm" tingëllon si një formulë për një "Solani të re", ose si një Bosnjë e Dejtonit, ku zoti Ischinger kishte një rol. Dhe, asnjëra, as "Solania" dhe as Bosnja e Dejtonit në plan afatgjatë nuk funksionojnë. Pse? Sepse modelet e suksesshme që i kemi parë nga përvoja, janë shtetet nacionale, në të cilat pakicat kanë të drejta të mbrojtura me ligjet që janë në harmoni me normat ndërkombëtare. Nëse zoti Ischinger mendon se disponon ndonjë reçetë, me të cilën do të detyronte Shtetet e Bashkuara dhe Prishtinën që të tërhiqen, ai e ka gabim. Ai, në fakt, me gjasë është duke bërë testim, sepse më heret kishte ngritur çështjen e ndarjes së Kosovës, që kishte shkaktuar reagime shumë të ashpra. Atëbotë, ai tha se ishte keqinterpretuar, por, në fakt, ai kishte bërë testim dhe dyshoj se të njejtën gjë është duke e bërë edhe tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëkohësisht, një grup i ekspertëve amerikanë kanë thënë se "10 dhjetori do të duhej të ishte fundi i procesit të statusit, që do të çonte te deklarimi i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve për gatishmërinë e njohjes së sovranitetit të Kosovës, krahas zbatimit të planit të Ahtisaarit"?

PATRICK MOORE
Po. Duhet përkujtuar se i gjithë procesi ka filluar me raportin e Kai Aides, në vitin 2005. Mesazhi qendror i raportit ishte se zhargitja e përcaktimit të statusit çon drejt jostabilitetit dhe problemeve. Ky vlerësim qëndron edhe sot. Uashingtoni dhe besoj se disa të tjerë, si Londra, pajtohen me këtë.

INTERVISTOI: MELAZIM KOCI
XS
SM
MD
LG