Ndërlidhjet

BERISHA:”PIKA E BARDHË NË TUNELIN E EKONOMISË ËSHTË PAVARËSIA”


Skënder BERISHA, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, një prej sfidave më të mëdha në Kosovë mbetet moszhvillimi ekonomik. Në raport me institucionet financiare ndërkombëtare është përmendur shpesh statusi politik i pazgjidhur i Kosovës. A ka ndonjë klauzolë që vendeve me status të pazgjidhur politik u mundësohet qasja në këto institucione?

SKËNDER BERISHA
Kjo pyetje është pak më e komplikuar dhe e ndërlikuar, sepse ka raste të tilla. Është Hong Kongu për shembull, është Tajvani, është pjesa veriore e Qipros dhe disa vende të tjera, që nuk e kanë të zgjidhur statusin politik, por që, në njëfarë mënyre, janë në rrugën e pavarësisë, siç është edhe Kosova, e ato vende që nuk janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nuk mund të shfrytëzojnë kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare në mënyrë të rregullt, siç i shfrytëzojnë kreditë e plota vendet anëtare. Për të qenë anëtare të institucioneve financiare ndërkombëtare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, duhet që vendet së pari të jenë anëtare të OKB-së, e pastaj mund të anëtarësohen në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. A mund të shfrytëzojë Kosova, ekonomia e Kosovës, ndonjë kredi pa e zgjidhur statusin politik? Ekziston një mundësi, mirëpo ato raportet midis institucioneve financiare ndërkombëtare dhe vendeve me status të pazgjidhur, ato zgjidhen me disa kritere interne të këtyre institucioneve, por ato kredi nuk janë me përmasa shumë të mëdha, nuk mund të kontribuojnë shumë në zhvillimin ekonomik të çfarëdo vendi në botë, që nuk e ka statusin e zgjidhur politik. Por, më tepër ato kredi mund të dedikohen në aspekte humanitare, që nuk kërkojnë shumë mjete financiare; ato ndihma nuk janë me përmasa të mëdha, nuk janë ndihma kapitale që mund të ndikojnë në zhvillimin e madh të ekonomisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si u bë që për shembull Tajvani, me status të pazgjidhur politik, të jetë njëra ndër ekonomitë më të zhvilluara në botë. Pse nuk ka mundur ta ndjekë një model të tillë Kosova?

SKËNDER BERISHA
Tajvani, është e vërtetë që radhitet ndër vendet e zhvilluara të botës, së paku sipas të ardhurave kombëtare ‘per capita’, sepse janë të larta në Tajvan. Tajvani është një ishull i vogël, me një popullatë jo aq të madhe. Kështu që resurset që posedon Tajvani, në radhë të parë të peshkatarisë, por edhe disa resurse të tjera, si dhe bashkëpunimi, në njëfarë mënyre, me disa kritere interne të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, kanë kontribuar që Tajvani të jetë në një nivel shumë më të lartë të zhvillimit ekonomik, se që është Kina, shteti amë i Tajvanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në aspektin, sërish të marrëdhënieve globale, sa në fakt është politizuar ekonomia e Kosovës?

SKËNDER BERISHA
Këto projekte të mëdha kapitale të ekonomisë së Kosovës, Trepça, Elektro-ekonomia ose Feronikeli, janë në fazën e privatizimit. Disa janë privatizuar, p.sh. Feronikeli. Në rrugë të privatizimit, apo të komercializimit, apo në një formë tjetër, janë edhe ndërmarrjet tjera të mëdha. Mirëpo, pengesa numër një e aktivizimit të këtyre projekteve është statusi politik i pazgjidhur i Kosovës. Ka të interesuar për privatizim, për blerje, për angazhimin e kapitalit në këto ndërmarrje të mëdha, mirëpo nuk kanë guxim të angazhohen derisa nuk zgjidhet statusi politik i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse?

SKËNDER BERISHA
Pronarët e kapitalit privat të huaj, pikësynim kryesor e kanë rezultatin përfundimtar, a kanë ndonjë fitim apo nuk kanë ndonjë fitim. Sipas parametrave të tyre, ata së paku që kanë treguar interesim për ndërmarrjet Trepça, Elektro-ekonomia, Feronikeli etj. ata sigurisht i kanë llogaritë e veta dhe kanë gjetur përfitimin e tyre. Mirëpo, përfitimi përfundimtar i tyre mund të mos dalë sipas mendimit të tyre, siç kanë llogaritur, nëse statusi politik i Kosovës zgjidhet kështu ose ashtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë nivel të zhvillimit ekonomik të Kosovës, sa ka pasur ndikim vija jo e qartë e kompetencave në mes të vendorëve dhe ndërkombëtarëve?

SKËNDER BERISHA
Ajo na ka kushtuar shumë shtrenjtë. Prej luftës e deri më sot, ne praktikisht nuk kemi zhvillim ekonomik në Kosovë. Ne kemi rezultate pas luftës, në rrugën e rindërtimit të asaj që e ka shkatërruar lufta. Mirëpo, në zhvillimin ekonomik, në aktivizimin e prodhimit, nuk mund të flasim; ajo na ka kushtuar shumë, për shkak të moszgjidhjes së statusit politik të Kosovës prej luftës e deri më sot.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht të gjitha këtyre, thënë kushtimisht, cili mund të jetë ai kandili që mund ta ndezë ekonominë kosovare tani?

SKËNDER BERISHA
Ne jemi dëshmitarë; moszgjidhja e statusit politik të Kosovës, 7 vjet apo 8 gati nga lufta e këndej, ka ndikuar shumë në moszhvillimin ekonomik të Kosovës. Mundësia, apo kandili që po përmendni ju, apo një pikë e bardhë në tunelin e rrugëdaljes së ekonomisë së Kosovës, është pavarësia e Kosovës. Pa pavarësi të Kosovës, ne nuk mund të llogarisim në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në fund të fundit, jemi dëshmitarë se edhe vetë Qeveria e Serbisë del me disa propozime; një prej tyre është që Kosova mund të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, t’i shfrytëzojë kreditë e këtyre dy institucioneve për zhvillimin e vet ekonomik, por nuk mund të anëtarësohet në OKB. Ai është një propozim që nuk ka perspektivë, nuk ka kurrfarë shanse që të realizohet. Serbia po e propozon mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në këto dy institucione për shkaqe ekonomike, të zhvillimit ekonomik, por automatikisht Serbia e di që kjo nuk mund të realizohet, meqenëse nuk jemi anëtarë të OKB-së. Dhe, problemi i dytë që Serbia është e interesuar në atë propozimin e vet, është se në njëfarë mënyre e heq obligimin e vet për kreditë që eventualisht Kosova i shfrytëzon nga këto institucione, sepse këto institucione nuk japin kredi pa garancinë e shtetit. Serbia nuk jep garanci, nuk garanton, prandaj lirohet prej obligimit se a mund të kthehen ato kredi apo nuk mund të kthehen.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG