Ndërlidhjet

PRISHTINË: S’DUKET QË TAKIMI NË NJU JORK DO TË JETË VENDIMTAR


Bekim Bislimi

Udhëtimi i Grupit të Unitetit për të marrë pjesë në bisedimet me Beogradin, në Nju Jork, argumenton angazhimin e palës shqiptare të Kosovës për të kontribuar në procesin e definimit të statusit të Kosovës dhe për të treguar përgjegjshmërinë para faktorit ndërkombëtar. Por, bisedimet 120 ditëshe nuk pritet të sjellin ndonjë marrëveshje ndërmjet palëve në bisedime. Kështu thonë anëtarët e disa subjekteve politike, të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës. Eqrem Kryeziu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson se pala kosovare në takimin e Nju Jorkut do të propozojë traktatin e fqinjësisë së mirë me Serbinë dhe kjo paraqet këmbëngulësinë e palës kosovare që në këto hapësira të vendoset një jetë normale. Megjithatë, Kryeziu thotë se nuk pret ndonjë rezultat, siç pohon ai, spektakular nga ky takim. “Nuk pres diçka spektakulare. Kur të mbarojnë këto katër muaj shtesë të bisedimeve, atëherë vjen në radhë se çka të bëjmë me Kosovën dhe do të duhej marrë një vendim shpejt e shpejt. Ne do të dëshironim që të ketë një konsensus ndërkombëtar për Kosovën, por me gjasë, siç po shihet, Federata Ruse nuk ka sens ende për të pasur një lloj mirëkuptimi për lirinë e popujve të tjerë”, është shprehur Kryeziu. Ramë Buja, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, thotë se pozicionimi i palëve në bisedime është i ngurtë dhe nuk pret ndonjë lëvizje gjatë bisedimeve në Nju Jork. “Unë besoj se bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të dhe BE-ja, do të ndërmarrin diçka, një hap shumë më serioz, për të bërë atë që do të duhej bërë, sepse kjo shtyrje është tepër e rrezikshme për Kosovën dhe mbase edhe për rezultatin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Buja. Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu shpreh mendimin se bisedimet në Nju Jork nuk do të sjellin ndonjë marrëveshje në mes palës shqiptare dhe asaj serbe. ”Unë besoj se do të kemi rezultatin që kemi pasur në Vjenë, sepse palët janë në distancë shumë të madhe. Dhe, mendoj se më shumë është angazhim i bashkësisë ndërkombëtare për të harmonizuar qëndrimin përbrenda vetvetes, në këtë rast qëndrimin e SHBA-ve, BE-së dhe Rusisë”, ka pohuar Isufi. Ndërkaq, nënkryetari i Partisë Reformiste Ora, Ylber Hysa, thekson se nuk pret ndonjë rezultat nga takimi në Nju Jork, e as nga procesi 120 ditësh i bisedimeve. Siç tha ai, ky afat bisedimesh nuk duket që të jetë kohë e mjaftueshme për koordinim në mes vete të sponsorëve të këtij procesi. ”Nga informatat që kam, nuk duket që takimi në Nju Jork mund të jetë vendimtar. Do të kisha dashur të shpresoj, por nuk shoh se informatat e deritanishme çojnë në atë rrugë”, tha Hysa. Ndryshe, në përfundim të procesit për definimin e statusit politik të Kosovës, sipas nënkryetarit të LDK-së, Eqrem Kryeziu, vendimet e kosovarëve do të shkojnë në atë drejtim që ato të kenë përfilljen e vullnetit politik dhe diplomatik nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. “Sa na përket neve, në secilën ditë, në secilën orë, kemi mundur ta shpallim pavarësinë. Problemi është te mirëkuptimi dhe përfillja e vullnetit politik të shteteve të tjera për këtë pavarësi”, tha Kryeziu. Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, Ramë Buja, nga PDK-ja, thotë se mund të përsëritet anashkalimi i Këshillit të Sigurimit sikurse në vitin 1999, për shkak të këmbënguljes nga Rusia. ”Nuk do të ketë alternativë; Kuvendi i Kosovës do të duhej ta shpallte pavarësinë e vet dhe pastaj ata që kanë premtuar, që kanë ndihmuar gjithmonë, ta pranojnë atë dhe procesi do të ecë ashtu siç kanë ecur edhe proceset e shteteve të tjera në këto faza”, u shpreh Buja. Ahmet Isufi, nga AAK-ja, thotë se pavarësia e Kosovës do të jetë i vetmi solucion në fund të procesit. “Çdo solucion tjetër që mund të sillet si kompromis i palëve, do të sjellë në gjendje të fillimit”, ka theksuar Isufi. Ndërkaq, Ylber Hysa, nga Ora, thotë se, megjithatë, fundi i procesit do të shihet më qartë pas bisedimeve 120 ditëshe. ”Fundi i procesit mbetet të shihet pasi të përfundohet 120 ditëshi. Kjo do të ishte një pyetje që do të duhej t’i drejtohet Treshes, e cila duhet të shihet nëse ka ndërtuar konsensusin për të dalë nga ky qorrsokak”, ka thënë Hysa.
XS
SM
MD
LG