Ndërlidhjet

GASHI:”DO TË ISHTE GABIM QË ZGJIDHJA PËR KOSOVËN TË KËRKOHET BRENDA 1244”


Ibrahim GASHI, ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, takimi i Nju Jorkut nuk solli ndonjë kompromis si rezultat të bisedimeve në mes Prishtinës dhe Beogradit. Cilat janë vërejtjet e juaja lidhur me këtë takim dhe cilat zhvillime mendoni se mund të pasojnë pas këtij takimi?

IBRAHIM GASHI
Vërejtjet e mia për takimin e Nju Jorkut janë se Treshja, Grupi i Kontaktit, do të thotë, të gjithë akterët që janë të angazhuar në procesin e çështjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës, përveç takimeve zyrtare që i kanë pasur në Londër dhe tash në Nju Jork, në ndërkohë nuk kanë pasur aktivitete të shtuara, që të përgatisin sadopak ose në ndërkohë nuk ka pasur në njëfarë mënyre presion mbi palët, që pikëpamjet të përafrohen sadopak para se të ulen ballë për ballë delegacionet. Mendoj se do të ishte më mirë që kjo Treshe, që është caktuar të ndërmjetësojë, të jetë tërë kohën në Beograd dhe në Prishtinë, para se të ndodhë takimi në Nju Jork, sepse unë mendoj se ka shumë gjëra që mund të negociohen në mes Prishtinës dhe Beogradit, natyrisht duke bindur palët, duke bërë një presion, në radhë të parë mbi Beogradin, sepse Beogradi është ai që nuk njeh asnjë realitet që është krijuar tash e 8 vjet në Kosovë. Observon me formula të zgjidhjes të një periudhe shumë të kaluar, që ishin edhe shkak i fillimit të konfliktit të përmasave çfarë ishte. Natyrisht, megjithatë Grupi i Kontaktit doli me një deklaratë, e cila mund të interpretohet si një progres i vogël ose si një qartësim, rikonfirmim i pozicionit të faktorit ndërkombëtar që ka të bëjë me rikonfirmimin e parimeve bazë, të dhëna që në vitin 2005, si dhe rikonfirmim edhe i idesë se zgjidhja duhet kërkuar brenda këtyre tri parimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët që rezultat i këtij takimi është e ashtuquajtura deklarata e Nju Jorkut, e cila parasheh rregullat që duhet t’u përmbahen palët në bisedime. Cili është komenti juaj lidhur me këtë deklaratë?

IBRAHIM GASHI
Thashë se ndoshta ky është një përparim që, në njëfarë mënyre, rikonfirmon edhe një herë pozicionin e bashkësisë ndërkombëtare se është për gjetjen e një zgjidhjeje racionale dhe se është, në njëfarë mënyre, që t’u përmbahen afateve kohore që tash janë shpallur. Do të thotë, që pas këtij raundi të bisedimeve, të ketë një rezultat, i cili në fakt nuk dihet se cili do të jetë, por, ta quajmë ashtu, që kjo deklaratë shpreh njëfarë mobilizimi të faktorit ndërkombëtar për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së Kosovës edhe përkundër faktit se pozicionet janë shumë diametrale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, në takimin e Nju Jorkut, po ashtu është precizuar që takimi i ardhshëm në mes Prishtinës dhe Beogradit do të mbahet më 14 tetor në Bruksel. Çfarë mund të pritet deri atëherë dhe çfarë nga takimi i radhës në Bruksel?

IBRAHIM GASHI
Prapë është vështirë të prognozohet, do të thotë, të jepen prognoza optimiste se takimi i Brukselit do të sjellë diçka shumë më të qartë. Ndoshta po ecet në drejtim të një zgjidhjeje, por lëvizjet, përkatësisht progresi është shumë i vogël. Dhe, ajo që bëhet publike për opinionin, nuk është shumë inkurajuese se palët po përafrojnë pikëpamjet e tyre. Takimit të Nju Jorkut dikush mëton t’i japë një interpretim se palët sikur janë dakorduar që zgjidhja të kërkohet brenda Rezolutës 1244. Kjo, sigurisht që do të ishte një lëvizje, të cilën unë nuk dua ta prejudikoj, por pala kosovare nuk besoj që ta ketë pranuar me lehtësi, për faktin se dihet çfarë nënkupton Rezoluta 1244. Ajo vetëm e pezullon, por nuk e heq sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Dhe, në rast se brenda kësaj kërkohet zgjidhja, atëherë ky është një lëshim i madh, mund të them, joracional, i patolerueshëm konform vullnetit të qytetarëve të Kosovës që zgjidhja të kërkohet aty. Por, sidoqoftë, duke qenë se Grupi i Kontaktit, e thashë edhe në fillim, i ka rikonfirmuar tri parimet bazë, në bazë të të cilave do të kërkohet zgjidhja, atëherë kjo më bën të mendoj se ende do të shteren të gjitha mjetet, që në radhë të parë, brenda faktorit ndërkombëtar, konkretisht mendoj te Rusia, që disi Rusia përmes mekanizmave të vendeve të fuqishme; në këtë rast rol të veçantë do të ketë Bashkimi Evropian dhe ndoshta kjo është arsyeja pse takimi i radhës do të mbahet në Bruksel, pikërisht për të ushtruar në njëfarë mënyre njëfarë presioni, jo presion në kuptim e kërcënimit, por një lloj kërkese nga pjesa më e madhe e faktorit ndërkombëtar karshi Rusisë, që ajo të lëvizë nga pozicioni i saj dhe ndoshta edhe nëse nuk e miraton, së paku të mos e pengojë një zgjidhje. Sepse, sikundër dihet, krejt procesi duhet të kthehet edhe një herë për t’u legjitimuar përmes një rezolute në Këshillin e Sigurimit. Do të thotë, të gjitha rrugët çojnë andej, se nuk mund të jepet një zgjidhje, e cila nuk do ta ketë aprovimin e Këshillit të Sigurimit, përkatësisht të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dhe, duke qenë kështu, këto takime të radhës nuk mendoj se do të shfrytëzohen për afrimin e pikëpamjeve të palëve negociuese, sa për të kërkuar zgjidhjen që të unifikohet qëndrimi i faktorit ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund zoti Gashi, qarqet ndërkombëtare gjithnjë e më shumë po tërheqin vërejtjen se zgjidhjen e problemit të Kosovës duhet ta marrin përsipër evropianët. A mendoni se Bashkimi Evropian është në gjendje ta bëjë këtë?

IBRAHIM GASHI
Bashkimi Evropian, në një periudhë pararendëse nga kjo që jemi tani, në atë periudhën e konflikteve të ashpra në Ballkan dhe në ish-Jugosllavi, nuk u tregua edhe aq i suksesshëm se mund ta menaxhojë. Tash, bëhet fjalë për një realitet tjetër, për të cilin mbase Bashkimi Evropian edhe do të duhej të reagonte në këtë mënyrë, sepse është adresa e parë ose mekanizmi i parë i thirrur, që Ballkanin perëndimor ta përgatisë për ta integruar në familjen e vet. Dhe, duke qenë kështu, unë mendoj se Bashkimit Evropian i takon që të jetë i pari akter i rëndësishëm në këtë proces. Tani duhet ditur se brenda Bashkimit Evropian po ashtu ka divergjenca, interesa për çështje të caktuara, ka shumë herë diskrepancë në qëndrime, sikur ishte rasti i aprovimit të kushtetutës para dy vjetësh. Por, të rikthehemi te zgjidhja e propozuar e pakos së Ahtisaarit. Nëse aty është menduar se si një mision monitorues do të jetë një mision civil në Kosovë nga Bashkimi Evropian, unë dakordohem që këtë rol të monitorimit të proceseve politike, të proceseve të ndërtimit të institucioneve, të proceseve të zhvillimit të demokracisë, duhet ta monitorojë Bashkimi Evropian. Kjo është në rregull. Jam i prirë që të besoj se mund ta bëjë punën më mirë, sesa UNMIK-u që e bën tash në Kosovë. Por, që tërë procesin ta udhëheqë dhe të krijojë realitetet politike? Unë ndoshta këtu e kam atë drojën. Ndoshta i asistuar nga mekanizmat tjerë ndërkombëtarë mund ta bëjë, por jo krejtësisht i vetëm. Pajtohem që BE-ja duhet të jetë më e involvuar në proceset që ndodhin në Ballkanin perëndimor, duke përfshirë edhe çështjen e Kosovës, por gjithsesi më e vendosur.

INTERVISTOI: BEKIM BISLIMI


XS
SM
MD
LG