Ndërlidhjet

JUDAH:"ZHVILLIMET PAS 10 DHJETORIT VAREN NGA GJERMANIA"


Tim JUDAH, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, 10 dhjetori është duke u afruar dhe ndërkohë gjasat për arritjen e një kompromisi midis Prishtinës dhe Beogradit rreth statusit duken gjithnjë e më të vogla. Në cilin drejtim mendoni se do të shkojë Kosova pas 10 dhjetorit?

TIM JUDAH
Mendoj se fundi nuk ka të bëjë shumë me serbët apo shqiptarët e Kosovës. Mendoj se 10 dhjetori do të jetë i ngjashëm me bisedimet që sapo përfunduan në New York dhe do të shfrytëzohet për rikonfirmim qëndrimesh. Do të ketë një lloj diplomacie të supozuar dhe do të ketë shumë diplomatë që do të shtirren se diçka është duke ndodhur atëherë kur asgjë nuk do të ndodhë. Unë mendoj se çështja më e rëndësishme është që të ketë një diplomaci të vërtetë në kuadër të Bashkimit Evropian. Britanikët dhe francezët do të donin ta njihnin pavarësinë e Kosovës në dhjetor, pas shpalljes së njëanshme, nëse ajo ndodhë. Por, ata nuk duan ta bëjnë të vetëm këtë, ata duan që një numër i madh vendesh evropiane ta bëjnë të njëjtën gjë. Për ta arritur një gjë të këtillë, Gjermania do të jetë çelësi kryesor. Prandaj, mendoj se britanikët dhe francezët do të presin vendimin e gjermanëve dhe ndërkohë të përpiqen t'i bindin që t'i ndjekin hapat e tyre. Dhe, nëse gjermanët pajtohen, atëherë do të pajtohen edhe italianët dhe do të pasojnë edhe shumë vende të tjera. Në një rast të këtillë, do të mbeteshin sllovakët, grekët dhe qipriotët, që nuk do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, por numri i tyre do të jetë i vogël dhe nuk do të jetë aq e rëndësishme. Pra, këtu qëndron ajo diplomacia e vërtetë. Nëse gjermanët vendosin se duan të ngurojnë dhe të presin, atëherë mendoj se do të krijojnë edhe një shtyrje tjetër pas 10 dhjetorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, ndërkohë autoritetet në Kosovë kanë thënë se nuk janë të gatshme të pranojnë shtyrje të tjera dhe kanë dhënë shenja se do të mund të shpallin njëanshmërisht pavarësinë…

TIM JUDAH
Ata kanë thënë gjëra të këtilla edhe më parë dhe mendoj se nuk ka kuptim që të shpallësh pavarësinë nëse shumë shtete botërore nuk janë të gatshme për ta njohur atë. Kosova e ka shpallur pavarësinë në fillim të 90-tave dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh. Politikanët në Kosovë kanë thënë gjëra të këtilla edhe më parë, por nëse u thuhet se duhet të presin, atëherë politikanët kosovarë do të presin.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa liderë serbë në Kosovë kanë shprehur frikën se nëse Prishtina shpall pavarësinë njëanshmërisht, atëherë veriu mund të shkëputet. Si e shihni ju në përgjithësi këtë çështjen e ndarjes?

TIM JUDAH
Mendoj se kjo është e pashmangshme në një rast të këtillë, është e pashmangshme situata në të cilën Prishtina nuk do ta kontrollojë veriun. Por, shkëputja është një koncept specifik dhe unë nuk do të doja të jem specifik mbi këtë çështje. Megjithatë, mendoj se nuk ekziston një kontroll i mirëfilltë i Prishtinës në veri, edhe pse natyrisht disa struktura janë duke funksionuar atje, siç është për shembull Shërbimi Policor i Kosovës. Pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë, mendoj se është e pashmangshme që edhe këto struktura të dëmtohen. Gjithashtu, duhet pasur parasysh edhe çështjen se deri në ç’masë kjo shkëputje do të ishte e përhershme dhe si do të trajtohej ajo në të ardhmen; a do të vijë dita kur pjesa veriore do të njihet edhe ndërkombëtarisht si pjesë e Serbisë, apo do të lihet në një situatë paqartësie për një kohë të gjatë për t'u riintegruar në të ardhmen në Kosovë. Këto çështje mbeten të shihen, sepse aktualisht askush nuk e di. Megjithatë, është e pashmangshme që pas 10 dhjetorit ose pas shpalljes së pavarësisë, kurdo që ajo të bëhet, edhe ato lidhje institucionale që kanë mbetur midis Prishtinës dhe veriut do të shkëputen. Dhe, këtë e kanë të qartë të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse mendoni se çështja e Kosovës ka arritur në këtë nivel të ndërlikimeve midis Perëndimit dhe Rusisë në njërën anë dhe midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në anën tjetër?

TIM JUDAH
Mendoj se është një kombinim i fakteve kohore. Në njërën anë keni Rusinë e rimëkëmbur pikërisht në kohën kur statusi i ardhshëm i Kosovës është duke u diskutuar. Po të ishin zhvilluar këto diskutime të themi para 3 ose 4 vjetësh, gjërat do të mund të kishin qenë ndryshe. Pra, e kemi këtë çështjen e kohës kur Rusia e rimëkëmbur synon ta shfrytëzojë çështjen e Kosovës, mes tjerash, edhe për strategjinë e saj gjeopolitike në botë. Në këtë drejtim, Rusia do të donte që të ketë një bllok të ndarë dhe të brishtë evropian dhe jo një bllok të fuqishëm dhe me ndikim në prag të derës së saj. Mendoj se pjesërisht ka të bëjë me fatin apo fatin e keq që kjo po ndodhë pikërisht tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë kanë thënë se arsyeja kryesore pse Rusia mbështet Serbinë nuk është Kosova, por synimet për ta mbajtur Serbinë dhe pjesët tjera të Ballkanit jashtë NATO-s. A pajtoheni ju me këtë?

TIM JUDAH
Nuk mendoj se do të ishte e drejtë të thuhet se ekziston një arsye kryesore. Unë jam i sigurt se ajo që thatë është një prej arsyeve, por ka edhe shumë të tjera. Mendoj se për të, Kosova është një mjet i dobishëm për t'i mbajtur vendet anëtare të Bashkimit Evropian të ndara, pastaj ka shqetësime për precedentin që Kosova mund të paraqesë në Kaukaz, në ish-territoret e Bashkimit Sovjetik dhe kjo është edhe një arsye tjetër. Prandaj, mendoj se ekziston një gamë arsyesh dhe nuk mund të thuhet se njëra është më e rëndësishme se tjetra.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, si e shihni rrugëdaljen?

TIM JUDAH
Mendoj se duhet pasur një numër të madh vendesh evropiane që do të pajtohej së bashku me Shtetet e Bashkuara me njohjen e pavarësisë së Kosovës pas 10 dhjetorit. Nëse jo, atëherë mendoj se do të ketë edhe shtyrje të tjera.

INTERVISTOI: ARBANA VIDISHIQI

XS
SM
MD
LG