Ndërlidhjet

STUDENTËT PROTESTOJNË KUNDËR NDARJES SË KOSOVËS


Arton Konushevci

Në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe kundër copëtimit të saj, sot në Prishtinë është mbajtur një protestë, e organizuar nga Unioni i Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Prishtinës. Petrit Nimani, kryetar i USSH-së, ka thënë se protesta është organizuar pas indikacioneve për shtyrjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës, por edhe për mundësinë e ndarjes së Kosovës. “Duke i parë zhvillimet e fundit, konkretisht deklaratat e fundit që po dalin dhe gojëdhënat që vijnë nga institucionet ndërkombëtare, se Kosova edhe pas 120 ditëshit nuk do ta ketë statusin, pra është përmendur data 1 prill e 1 maj, po flitet edhe për një Konferencë të Dejtonit, andaj ne si studentë, konkretisht si USSH, e kemi parë të arsyeshme që sot të protestojmë dhe të shprehim gjithë revoltën tonë në mënyrë paqësore kundër këtyre dukurive negative. Dhe, ky nuk është vetëm fillimi apo fundi, por ne do të vazhdojmë vazhdimisht deri në realizimin e qëllimit tonë", ka thënë Nimani. Pas fjalimeve të mbajtura në oborrin e Fakultetit Filologjik, studentët kanë marshuar në mënyrë të qetë përgjatë rrugëve kryesore në qendër të kryeqytetit. Në protestë kanë marrë pjesë edhe studentë të Universitetit të Tiranës dhe të Tetovës. Endrit Mustafaj, nga Fakulteti Filozofik i Tiranës, thotë se i është bashkuar protestës në shenjë solidarizimi me kërkesat e studentëve kosovarë për realizimin sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës. "Qëllimi është që të bëhet një protestë paqësore dhe shkaku është te pavarësia e Kosovës, duke parë që janë duke u bërë disa marrëveshje dhe nuk po zgjidhet asgjë. Ne, thjesht, jemi me moton -pavarësi-", është shprehur Mustafaj. Për arsye të ngjashme, në protestë ka marrë pjesë edhe Gadaf Ozeidi. "Kemi ardhur këtu së bashku me qytetarët e Kosovës, në realitet me shqiptarët e Kosovës, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, meqë, siç po shohim ne, faktori ndërkombëtar, veçanërisht Rusia, tenton që sa më shumë ta zvarrisë çështjen e Kosovës. Mirëpo, nuk do të thotë se çdo herë duhet t’i dëgjojmë ose të marrim servime të gatshme që po na i sjellin ata. Dhe, kështu jemi detyruar të organizohemi bashkërisht dhe t’u themi ‘stop’ atyre gjërave”, ka thënë Ozeidi. Ndryshe, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, tha se në protestën, në të cilën kanë marrë pjesë qindra qytetarë, nuk ka pasur probleme dhe ajo ka kaluar pa incidente. "Protesta ka kaluar e qetë, ka qenë një numër i vogël i pjesëmarrësve. Ne na është thënë që në fillim qe kjo protestë do të jetë e qetë dhe ka kaluar e qetë”, ka deklaruar Elshani. Unioni i Studentëve Shqiptarë ka paralajmëruar protesta tjera më 10 nëntor dhe më 10 dhjetor.

XS
SM
MD
LG