Ndërlidhjet

BEOGRAD: E DUAM BE-NË, POR NUK E JAPIM KOSOVËN


CHRISTIAN SCIENCE MONITOR

Pas tetë vjet qeverisje të Kombeve të Bashkuara, ideja për humbjen e Kosovës, në Serbi shoqërohet me ndjenja të përziera shoku, mohimi, zemërimi dhe mllefi. Me afrimin e 10 dhjetorit, bisedat për pavarësimin e Kosovës kundërshtohen pothuaj nga çdo politikan serb.
"Ne e humbëm Kosovën në vitin 1999, por nuk jemi gati ta dorëzojmë", thotë Aleksandar Vuçiq, i cili ishte 16-vjeç kur NATO-ja e bombardoi Beogradin. "A dua t'i bashkohemi Evropës. Po. A dua të heq dorë nga Kosova? Jo", thotë Vuçiq.
Me afrimin e 10 dhjetorit, diplomatët evropianë dhe amerikanë shpresojnë që politikanët serbë do ta përgatitin opinionin për ndryshime dhe Serbinë ta fokusojnë në integrimet evropiane. Por deri tash vazhdon të ketë hov diskursi i kundërt. Debatet në televizion përshkohen nga kundërakuzat, mllefi dhe teoritë e komplotit. Diskutimet më të shpeshta në Beograd bëhen që Kosova të mbetet konflikt i përhershëm në Ballkan, si psh. Qiproja Veriore apo Irlanda.
"Isha i pranishëm në betimin e Koshtunicës pas përmbysjes së Millosheviqit", thotë diplomati austriak Albert Rohan, zëvendës i dërguar i KB për statusin e Kosovës. "Shumë herë thanë se janë të lodhur nga Kosova, duan punë, dhe nuk duan të vdesin për të mbrojtur Kosovën. Por këto fjalë tash ndryshuan", thotë Rohan.
Fjalët e tilla tash i përforcuan deklaratat se Rusia se do ta bllokojë pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit, dhe ndjenja se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë tepër të zënë apo të përçarë, për ta mbyllur kapitullin e fundit të luftërave në Ballkan.
Në takimin e parë në Moskë, presidentët e Francës dhe Rusisë, Nicolas Sarkozy dhe Vladimir Putin u dakorduan se duhet gjetur zgjidhje, e cila nuk do të poshtëronte Serbinë. Por Sarkozy i tha z. Putin se "pavarësia e Kosovës do të njihet nga evropianët" nëse nuk do të ketë përparim.
Shumë serbë që kundërshtojnë pavarësinë, thonë se Perëndimi duhej ta marrë Kosovën menjëherë pas luftës.
"Elita politike nuk i don shqiptarët në shoqërinë serbe, por ata e duan territorin", ka thënë në kushte anonimiteti një intelektual nga Beogradi. Por 90% e popullsisë në Kosovë janë shqiptarë, dhe ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Serbisë, e cila nuk i do.
"Përse bashkësia ndërkombëtare i mban anën pavarësisë e jo sovranitetit", pyet Albert Rohan dhe përgjigjet si vijon: "Sepse s'mund të injorohen ato që ndodhën në periudhën 1989-99, vrasjet, eskadronët e policisë serbe dhe plaçkitjet. Nuk mund të thoni tash papritmas se në Beograd ka djem të mirë, dhe të ktheheni prapë para vitit 1989. Nuk mund të ktheheni te diçka që thellësisht hudhet poshtë nga 90% e popullsisë", thotë diplomatin austriak Albert Rohan.
XS
SM
MD
LG