Ndërlidhjet

GREVA E SINDIKALISTËVE TË ARSIMIT – SHPREHJE E ZHGËNJIMIT NDAJ INSTITUCIONEVE


Bekim Bislimi

Greva e urisë e anëtarëve të Këshillit dhe Kryesisë së Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, sot po hyn në ditën e pestë. Rrahman Jasharaj, zëdhënës i grevistëve, thotë se sindikalistët janë këmbëngulës që greva të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, e ato janë: rritja e pagave, 12 për qind, të vlejë për të gjithë punëtorët e arsimit, mësimdhënësit e kualifikuar të mos mbeten të pasistemuar në punë për shkak të reformave në klasat e pesta, të fillojë licencimi i mësimdhënësve, si dhe të ndryshohet ligji për arsimin fillor dhe të mesëm. Kërkesa, në të cilën sindikalistët janë këmbëngulës që të realizohet menjëherë, është ngritja e pagave për të gjithë punëtorët në sistemin arsimor, e jo vetëm për mësimdhënësit. ”Kur ne, pas marrëveshjes me Qeverinë, kemi dalë në terren dhe me një gëzim të posaçëm e kemi shprehur lajmin se përveç mësimdhënësve, edhe punëtorëve teknikë dhe ndihmës, për herë të parë në jetën e tyre pas luftës, po u ngritët për pak paga, paramendoni se çfarë zhgënjimi ka qenë për ta kur kanë ardhur pagat. Besoni se edhe neve na kanë shikuar me një sy sikur edhe ne ta kemi një hise të tradhtisë, them kushtimisht. Kjo grevë po e nxjerr të vërtetën se SBASHK-u me krejt anëtarësinë e tij, e veçmas kreu i tij nuk e ka gënjyer askënd, nuk e ka mashtruar askënd. Por, mashtruesit e vërtetë janë Qeveria në përgjithësi dhe MASH-i në veçanti, i cili po i shkel pikat e marrëveshjes”, tha zoti Jasharaj. Në anën tjetër, Abdullah Hoti, këshilltar i lartë i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agim Veliut, thekson se tri nga kërkesat e sindikalistëve janë çështje që realizohen si procese dhe se ato procese kanë filluar, ndërkaq lidhur me rritjen e pagave dhe marrëveshjen e 24 gushtit që kjo të ndodhë, ai thotë: “Më datën 24 gusht, ne kemi biseduar dhe ministri i Arsimit ka thënë se do të mundohemi që në rritjen prej 12 për qind të përfshihet edhe personeli teknik dhe administrativ i shkollave. Por, në biseda me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, me ata të Fondit Monetar Ndërkombëtar, me Bankën Botërore, ka qenë e pamundur të përfshihen ata. Ne ia kemi bërë të qartë këtë sindikatës. Pastaj, ata kanë hyrë në grevë me disa kërkesa. Në ditët e ardhshme, nesër-pasnesër, Qeveria duhet të mblidhet dhe ta diskutojë kërkesën e tyre. Duhet të dilet me qëndrim në nivel të Qeverisë”. Ndryshe, gjendja e grevistëve tashmë ka dhënë shenjat e përkeqësimit shëndetësor. Por, sipas tyre, pavarësisht pasojave, ata nuk do të tërhiqen nga greva pa u realizuar kërkesat e tyre. Elez Krasniqi, përfaqësues sindikal i arsimit nga Malisheva, thotë: ”Përgjithësisht, gjendja shëndetësore e kolegëve nuk është e mirë. As e imja jo. Unë veç kam një raport nga mjeku, kur më ka bërë matjen e tensionit të gjakut, ku e kisha 220 me 120. Kjo ka ndodhur dje. Sigurisht që do të vazhdoj sa të më lejojnë mundësitë shëndetësore. Nuk do të ndahem nga kolegët”. Ngjashëm thotë edhe Rexhep Sadiku, përfaqësues i Sindikatës së Arsimit nga Ferizaj, i cili tërheq vërejtjen se e gjithë situata e krijuar me këtë grevë mund të përshkallëzohet. ”Në këto momente, kur ne po qëndrojmë këtu, e Ministria dhe Qeveria nuk çajnë kokën, ky është vetëm një zhgënjim ndaj tyre dhe na bën edhe më dinjitozë që të jemi edhe më të fortë. Njëkohësisht, na shton indinjatën që të marrim masa tjera, edhe më radikale, që mund të sjellin deri te një kaos i përgjithshëm. Ne nuk do të jemi fajtorë, por përgjegjësinë do ta marrin ata që sollën këtë gjendje”, u shpreh zoti Sadiku. Ndryshe, tash e 5 ditë, ende nuk ka ndonjë hap zyrtar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, lidhur me grevën e urisë së sindikalistëve. Se cila do të jetë qasja e Ministrisë së Arsimit ndaj kësaj çështjeje, zoti Hoti thotë: ”Nuk mund të them asgjë tani. Do të mblidhemi në Ministrinë e Arsimit dhe do të diskutojmë situatën e re pas kësaj greve të SBASHK-ut”. Sidoqoftë, sindikalistët e arsimit kanë shprehur drojën se greva e urisë, në të cilën ata janë futur tash e 5 ditë, mund të ndikojë tek kolegët e tyre, të cilët, siç thonë ata, verbalisht tashmë kanë shprehur solidaritetin me grevistët dhe radikalizmi i veprimeve të tyre mund të çojë drejt një kolapsi nëpër shkollat e Kosovës.

XS
SM
MD
LG