Ndërlidhjet

ANALISTËT PRESIN QË GRUPI I KONTAKTIT T’UA IMPONOJË ZGJIDHJEN PRISHTINËS E BEOGRADIT


Zijadin Gashi

Procesi negociues për statusin e Kosovës mund të vijohet me ndonjë propozim nga bashkësia ndërkombëtare, që do t’i shtynte Prishtinën dhe Beogradin në një zgjidhje kompromisi, vlerësojnë analistët. Ndërsa nuk pritet që palët të merren vesh mes vete, analistët vlerësojnë se Grupi i Kontaktit dhe Treshja ndërmjetësuese mund të dalin me propozime, të cilat do të sjellin një kompromis që do të ishte si zgjidhje kalimtare për Kosovën. Ramush Tahiri thotë se negociatat po fitojnë një dimension të ri dhe se, sipas tij, mund të pritet që procesi të përfundojë me marrëveshje. Konsensusi, sipas Tahirit, do të ishte i dhimbshëm për të dyja palët dhe do të ofrohej si zgjidhje për një periudhë prej tre vjetësh. “Kompromisi do të jetë në bazë të kërkesave që i paraqiti Serbia për autonomi substanciale dhe Kosova për traktatin e miqësisë. Kompromisi duket se do të jetë diçka ndërmjet këtyre propozimeve; do të thotë, një lidhje e caktuar asimetrike, por edhe një pavarësi e mbikëqyrur e Kosovës dhe një sovranitet, të themi i popullit shqiptar të Kosovës”, thotë Tahiri. Nëse shihen vetëm pozicionet e palëve në bisedime, kompromisi dhe marrëveshja duket e pamundur, thekson në anën tjetër, Migjen Kelmendi. Por, ai pret që bashkësia ndërkombëtare të dalë me një zgjidhje, e cila më pas do të pranohej edhe nga Prishtina e Beogradi. Për këtë arsye, Kelmendi konsideron se qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten edhe për një befasi të radhës, pasi që, sipas tij, ajo që mund të fitojë Kosova nga këto negociata, nuk mund të jetë një pavarësi siç e kanë proklamuar deri më tash liderët dhe institucionet e Kosovës. “Prej fillimit jam i përgatitur se do të jetë një lloj kompromisi ai, i cili do t’i ofrohej Kosovës jo vetëm nga ky raund i negociatave, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kosova duhet të pajtohet me idenë që duhet të lëshojë pe në disa pozicione. Ato pozicione, sipas mendimi tim, lidhen kryesisht me afatizimin e kësaj njohjeje dhe me një lloj njohjeje të një realiteti të sotëm të Kosovës, i cili, për fat të keq, është i ndarë edhe në do farë enklava etnike”, thekson Kelmendi. Ai vlerëson po ashtu se pavarësia e Kosovës nuk do të hiqet nga agjenda e bisedimeve si zgjidhje. Por, kjo zgjidhje, thekson Kelmendi, do të ketë interpretime të ndryshme, duke besuar që Kosova mund të dalë nga procesi sërish me një zgjidhje kalimtare dhe jo zgjidhje definitive. “Po parashoh një përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare që t’ua imponojë palëve një solucion dhe ky solucion nuk e nguc idenë e pavarësisë, por në një mënyrë kufizon në interpretim të saj në njohje të saj ndërkombëtare; ndoshta afatizon proceset e njohjes së pavarësisë”, thotë Migjen Kelmendi. Në anën tjetër, Ramush Tahiri pret që deri më 10 dhjetor, palët të fillojnë dhe përmbyllin bisedimet për implementimin e marrëveshjes, duke parashikuar që Prishtina e Beogradi të formojnë edhe struktura të përbashkëta për disa fusha të caktuara. “Shpresohet se do të përmbyllet deri më 10 dhjetor, sepse bisedimet që do të zhvillohen më 24 të këtij muaji, do të vazhdojnë, pritet diku më 5 dhe 7 nëntor, dhe atëherë do të ketë një ndërmjetësim më të fortë të Grupit të Kontaktit, i cili do të kërkojë pika takuese që shihen edhe në traktatin e miqësisë që ka ofruar pala kosovare, ku flitet konkretisht për organet e përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje të caktuara dhe për institucionet e përbashkëta për integrim të përbashkët në strukturat e BE-së”, vlerëson Tahiri. Ndryshe nga analistët, të cilët presin marrëveshje, liderët kosovarë në Ekipin e Unitetit, në vazhdimësi, kanë përsëritur se maksimumi i Prishtinës në bisedime ishte pranimi i pakos së Ahtisaarit si zgjidhje. Sipas lidershipit vendor, procesi nuk pritet të sjellë marrëveshje me Beogradin. Ata thonë se Prishtina nuk do të lëshojë pe në pikat kryesore, siç është pavarësia e Kosovës, tërësia e saj tokësore, si dhe nga pakoja e Ahtisaarit si zgjidhje. Ekipi Negociues në vazhdimësi e ka përjashtuar po ashtu edhe opsionin e lidhjeve të reja me Serbinë, qoftë përmes konfederatës apo ndonjë lidhjeje tjetër. Sidoqoftë, analistët besojnë se në fund, bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, mund të dalë me një zgjidhje kalimtare, e cila në fakt do t’u imponohej të dyja palëve që ta respektonin dhe zbatonin.
XS
SM
MD
LG