Ndërlidhjet

O'BRIAN:"PAVARËSIA E KOSOVËS DO TË NJIHET NË FORMË TË NJËANSHME"


James O'BRIAN, "The Albright Group"

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se mund të ketë një zgjidhje për Kosovën që do të ishte e kënaqshme për shqiptarët dhe serbët?

JAMES O'BRIAN
Jo. Mendoj se serbët në Beograd kanë marrë vendimin se nuk do të pajtohen. Ata megjithate do të shohin bërjen e Kosovës shtet i pavarur. Për popullin e Serbisë ëhtë e rëndësishme të shohin të ardhmen e tyre si pjesë e Bashkimit Evropian dhe gjithashtu edhe NATO-s. Nëse ata e bëjnë këtë zgjedhje, atëherë çështja e kufinjëve do të jetë e një rëndësie më të vogël. Jam i vetëdijshëm se kjo do të jetë e dhembshme, sepse është një kohë e vështirë...por, më duhet të them se njerëzit janë të lodhur nga kjo çështje. Secila palë ka supozuar se kjo çështje do të duhej të ishte zgjidhur një ose dy vite më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Palët vazhdojn të kenë qëndrime të kundërta. Bisedimet e Vjenës nuk sollën asnjë rezultat. Beogradi ofron autonomi, ndërsa kosovarët kërkojnë pavarësi dhe ulëse në Kombet e Bashkuara. Në këto rrethana cili do të ishte epilogu më i mundshëm për statusin e Kosovës?

JAMES O'BRIAN
Epilogu më i mundshëm është që Kosova të bëhet e pavarur. Keni njerëz në Beograd që nuk dëshirojnë të dëgjohet zëri i shqiptarëve në qeverisjen e Serbisë. Rrjedhimisht, Kosovën nuk mund ta shihni si pjesë të Serbisë. Si do të arrijmë deri aty? Do të duhet diplomaci profesionale. Aktualisht kemi bisedimet që po zhvillohen nën udhëheqjen e treshes, por askush nuk beson në suksesin e tyre. Në momentin kur ata do të raportojn te sekretari i përgjithshëm për dështimin e bisedimeve, do t'u mbetet Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë të vendosin se si do shkohet me procesin. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se janë të gatshme të njohin një Kosovë të pavarur, ndërsa Rusia e ka bërë të qartë se nuk do ta njohë. Do t'i mbetet Bashkimit Evropian të vendos dhe aty aktualisht zhvillohet beteja.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, afati i fundit është 10 dhjetori. Çka do të ndodhë pas 10 dhjetorit nëse Prishtina njëanshëm e shpall pavarësinë dhe Uashingtoni e njeh shtetin e ri në Ballkan. A jeni të sigurtë se Bashkimi Evropian ka qëndrim unik mbi këtë çështje?

JAMES O'BRIAN
Është një pyetje shumë e mirë. Mendoj se ka dy çështje: kur dhe çka? Sa i përket të parës, mendoj se nga mesi i dhjetorit, njerëzit në Kosovë duhet të kenë një rrugë të qartë për të ecur përpara. Atyre mund t'u kërkohet që edhe disa muaj të presin dhe të mos e shpallin pavarësinë, por çka pastaj?
Sipas ligjit ndërkombëtar, çdo vend vendos për vete. Njohja nuk është vendim i Kombeve të Bashkuara dhe as i Bashkimit Evropian. Mendoj se Bashkimi Evropian do të thotë: është në rregull nëse çdo vend e merr vendimin vet. Personalisht, mendoj se 22 deri 23 vende të Bashkimit Evropian janë të gatshme ta njohin Kosovën shpejt, dhe pastaj do të pasojë grupi i 3 apo 4 vendeve tjera. Gjëja e rëndësishme, të cilën BE-ja duhet ta bëjë së bashku është ta vendosë praninë e saj në Kosovë, e cila do t'i ndihmojë Kosovës të qeverisë veten dhe të përgatitet për anëtarësim në BE.
Ky është një vendim që duhet të merret nga 27 vendet anëtare. Dyshoj se kjo do të vihet në votë, sepse pasoja nga mos dërgimi i këtij misioni është shumë e madhe. Prandaj mendoj se edhe më hezituesi, si psh. Qiproja, do ta pranojë atë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të bëjë Serbia nëse Kosova fiton pavarësinë?

JAMES O'BRIAN
Mendoj se Serbia do të jetë shumë e dëshpëruar, dhe përsëri do të ndjejë se Shtetet e Bashkuara i kanë prirë Perëndimit për ta lënduar Serbinë. Por, mendoj se pyetja e vërtetë për Serbinë është se çfarë duan serbët për veten e tyre, çfarë duan gjithë qytetarët e Serbisë për vete? Unë besoj se ata do të vendosin se duan t'i bashkangjiten BE-së. Ata do të donin të udhëtojnë lirisht nëpër Evropë. Kjo është zgjedhja, të cilën ata duhet ta bëjnë. Në gjashtë vitet e kaluara, ata nuk e bënë këtë zgjedhje, sepse patën një qeveri që ishte pjesërisht skeptike ndaj Evropës, dhe pjesërisht proevropiane. Për shkak se ishin të zënë me Kosovën, ata nuk qenë në gjendje të zgjedhin mes këtyre dy lloj politikanëve. Mendoj se tash e kanë kohën.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, çfarë mund të jenë pasojat për rajonin nëse Kosova bëhet shtet i ri, apo nëse nuk bëhet shtet?

JAMES O'BRIAN
Nëse Kosova bëhet e pavarur, shpresa ime është se në 10-15 vitet e ardhshme çdo pëllëmbë e Ballkanit do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian: Pra, të gjithë, Serbia, Kosova dhe shtetet tjera do të jenë pjesë e BE-së. Paramendoni, kjo do të jetë një arritje e madhe. Pas 400 vitesh të sundimeve të perandorive të mëdha, Ballkani do ishte i bashkuar. Kjo është diçka historike, për të cilën do të duhej të shpresonim. Por nëqoftëse Perëndimi dështon në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, mendoj se do të kemi një situatë të rënduar, keqësim të ekonomisë, më shumë krim, dhe ndoshta pak dhunë. Fundja, nëse dy shtete do të mbeteshin jashtë Bashkimit Evropian dhe ndoshta jashtë NATO-s, atëherë kjo do t'i dobësonte institucionet perëndimore dhe do ta cënonte synimin për një Evropë vërtetë të lirë.

Intervistoi: M. RAKELA
XS
SM
MD
LG