Ndërlidhjet

PARATË E NGRIRA NGA PRIVATIZIMI I NDËRMARRJEVE


Nadie Ahmeti

Mbi 350 milionë euro të Fondit të Mirëbesimit, i cili është krijuar si rezultat i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, mbahen të ngrira në Autoritetin Qendror Bankar të Kosovës dhe jo në bankat jashtë Kosovës, thonë udhëheqës të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i kësaj agjencie, me këtë mohon zërat që, kohët e fundit, janë ngritur në Kosovë, se ky fond mbahet në bankat jashtë Kosovës. Nga shuma e tërësishme e shitjes së një ndërmarrjeje, sipas rregullave të AKM-së, 20 për qind e mjeteve u ndahet punëtorëve, ndërkaq pjesa tjetër, prej 80 për qind, ruhet në Fondin e Mirëbesimit. “Fondi i Mirëbesimit mbahet ekskluzivisht në Bankën Qendrore të Kosovës dhe jo jashtë Kosovës. Ne i kemi analizuar të gjithë faktorët relevantë për këtë dhe konsiderojmë se ky fond duhet të ruhet në Bankën Qendrore të Kosovës dhe është i ruajtur aty”, thotë Shala. Bordi i AKM- së tashmë ka kërkuar disa herë që ky fond të zhbllokohet dhe të përdoret për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Haxhi Arifaj, anëtar i këtij bordi dhe njëherësh kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se është kërkuar që së paku 30 për qind e këtij fondi të zhbllokohet dhe të shfrytëzohet për përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend. “Deri më tani nuk është vepruar në atë drejtim asgjë. Mjerisht që nuk është vepruar, sepse këto mjete po të qarkullonin brendapërbrenda në Kosovë, ekonomia e Kosovës do të qëndronte pak më mirë. Dhe, unë prapë jam për atë që të punohet në atë drejtim, që këto mjete të zhbllokohen”, pohon Arifaj. Ndryshe, edhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se këto mjete duhet të qarkullojnë në Kosovë. Ibrahim Rexhepi thotë se Kosovës, në këtë kohë, më se shumti i duhen këto mjete materiale. “Nuk janë pak mbi 300 milionë euro. Mjafton që ato mjete të jenë diku, qoftë në funksion të ndërmarrjeve të privatizuara, apo në ndërtimin e objekteve të reja. Fondi i Mirëbesimit është gati sa gjysma e buxhetit vjetor të Kosovës dhe kjo mjafton të tregojë për rëndësinë e tij”, shprehet Rexhepi. Sipas rregullores së AKM-së, paratë janë në Fondin e Mirëbesimit, për arsye se nëse brenda një periudhe të caktuar paraqitet ndonjë pronar potencial i ish-ndërmarrjeve shoqërore, e të cilin Oda e Veçantë e konsideron se ka të drejtë në kërkesën e tij, atëherë ai pronar kompensohet prej atij fondi. Ndërkaq, Ahmet Shala thotë se ka filluar shkrirja e këtij fondi ndaj kreditorëve legjitimë, pasi, sipas tij, në javët e ardhshme do të fillojë edhe shpërndarja e mjeteve për kreditorët, të cilët konsiderohen të ligjshëm. “Në qoftë se do të mbesin para, e unë shpresoj se në shumë ndërmarrje do të mbesin para, do të varet nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, se si do të bëhet shpërndarja e atyre mjeteve, atyre parave të mbetura, që do të quhen para publike, në fondet e pensionistëve, në fondin e arsimit, në fondet e zhvillimit, apo çfarëdo qoftë; do të merren praktikat më të mira rajonale dhe botërore”, thotë Shala. Ndryshe, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, deri më tash, ka privatizuar mbi 500 ndërmarrje shoqërore në Kosovë. Por, janë vetëm mbi 50 ndërmarrje që kanë përfunduar obligimet ndaj punëtorëve të tyre.
XS
SM
MD
LG