Ndërlidhjet

MUNGESA E MEKANIZMAVE PËR LUFTIMIN E KRIMIT TË ORGANIZUAR


Arton Konushevci

Mungesa e infrastrukturës ligjore dhe mungesa e një shërbimi informativ kanë bërë që Kosova e pasluftës të ballafaqohet me krim të organizuar të mënyrave të ndryshme, duke filluar nga ai trans-kufitar, thonë udhëheqës të institucioneve dhe ekspertë të sigurisë. Nuredin Ibishi, këshilltar i ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thotë se krimi i organizuar është i pranishëm, por ai nuk po luftohet sa duhet. Ai mendon se krimi i organizuar, veç tjerash, duhet të luftohet edhe në forma analitike. “Krimi i organizuar është i pranishëm në Kosovë aq sa hetohet. Deri tash ka qenë më tepër dhe është punuar nga policia e UNMIK-ut, në bazë të supozimeve dhe atyre çka janë marrë në bazë të supozimeve, mirëpo jo edhe në një formë analitike, sa është ai prezent sipas llojit apo formës së paraqitjes. Pra, konkretisht, nëse zbulohen 10 kg drogë, atëherë mund të hulumtohet, në forma analitike, se sa kanë kaluar pa u zbuluar. Do me thënë, nëse ai nuk hetohet në atë formë, atëherë nuk kemi një tregues relevant”, thotë Ibishi. Sipas tij, mekanizmat tjerë, të cilët po i mungojnë Kosovës për luftimin e këtij fenomeni, janë edhe korniza ligjore dhe gjykata speciale kundër krimit të organizuar. “Mungon korniza ligjore dhe në rend të parë, mungon ligji kundër krimit të organizuar, si ligj bazik, dhe ligji për konfiskimin e pasurisë. Do me thënë, në krahasim me vendet që janë në rajon, por edhe me vendet e Evropës perëndimore, kjo na mungon. Çështja tjetër është se ne, prej vitit të kaluar, kemi prokurorin special për luftimin e krimit të organizuar, mirëpo nuk kemi edhe Gjykatën speciale për këtë, do më thënë për krimin e organizuar. Dhe, kjo duhet të bëhet”, tha Ibishi. Ai më tej shtoi se mungesa e një shërbimi informativ në Kosovë për zbulimin e rasteve kriminale, është një mangësi e madhe që po i kushton Kosovës. Kurse, Rrahman Sylejmani, asistent i komisarit për Departamentin e krimit të organizuar në Shërbimin Policor të Kosovës, thotë se krimi i organizuar është i pranishëm dhe, sipas tij, mungesa e statusit të Kosovës ka bërë që krimi i organizuar të jetë prezent. “Ne, në SHPK, jemi formuar që 8 vjet, mirëpo kemi formuar një drejtorat të veçantë; e kam fjalën si një trup i specializuar. Drejtorati për luftimin e kriminalitetit të organizuar është i formuar në komandën kryesore. Në kuadër të këtij drejtorati kemi njësitë e specializuara, që merren me hetimin e krimeve trans-kufitare, si dhe me hetimin e këtyre dukurive të trafikimit të qenieve njerëzore”, shpjegon Sylejmani. Mirëpo, ai thotë se vetëm njësiti për luftimin e krimit të organizuar në kuadër të SHPK-së, nuk është i mjaftueshëm, por për ta luftuar këtë fenomen, thotë Sylejmani, nevojitet krijimi i shërbimit informativ nacional për parandalimin e krimeve të ndryshme. “Është një hap, apo gjysmë-hap i mirë krijimi i prokurorisë speciale, qe është krijuar nga ana e Departamentit të drejtësisë, por nevojiten edhe prokurorët specialë, që t’i trajtojnë dhe t’i kuptojnë lëndët e kriminalitetit të organizuar. Po ashtu, është edhe mungesa e një shërbimi inteligjent të spektrit nacional, se ne e kemi inteligjencien në luftimin e krimit, mirëpo nevojitet shërbimi i inteligjencies nacionale”, thotë Sylejmani. Nga ana tjetër, eksperti për siguri, Ramadan Qehaja, thotë se me të gjitha mjetet dhe format e mundshme, duhet të luftohet kjo dukuri. “Ne, deri më tani, kryesisht jemi mbështetur në forcat dhe mjetet, me të cilat ka disponuar bashkësia ndërkombëtare këtu; para së gjithash, UNMIK-u me policinë e vet. Por, nuk pati rezultate. Prandaj, mendoj se ne tash jemi në një fazë të konsolidimit të policisë sonë, para së gjithash, dhe të subjekteve të tjera, qe t’i hyhet luftës kundër krimit të organizuar”, u shpreh Qehaja. Ai tha se institucionet e Kosovës janë duke u përgatitur me mekanizma, të cilët do ta luftojnë në mënyrë të duhur krimin e organizuar, duke menduar në krijimin e shërbimit informativ të brendshëm. “Tash për tash, disa njësi që janë në formim e sipër për luftimin e krimit të organizuar, jemi duke i përforcuar me mjetet e duhura. Jemi duke u përgatitur që ta formojmë edhe shërbimin e sigurimit të brendshëm, janë duke u bërë edhe disa përgatitje që kanë të bëjnë me ligje...”, tha Qehaja. Sido që të jetë, dukuria e krimit të organizuar në Kosovë është njëra prej sfidave më të mëdha për institucionet vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG