Ndërlidhjet

SALIHAJ: PËRMIRËSIMI NË SISTEMIN E DREJTËSISË PO PENGOHET NGA ZYRA LIGJORE NË OKB


Albana Isufi

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës konsiderojnë se mangësitë e identifikuara në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, si ato për praninë e korrupsionit, krimit të organizuar, për trafikimin e qenieve njerëzore e mosfunksionimin e gjyqësisë në Kosovë, janë pasojë e moszgjidhjes së statusit të Kosovës. Megjithatë, jo të gjithë pajtohen me këtë. Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, duke folur për pjesën ku është kritikuar gjyqësia e Kosovës, ka thënë se jo i gjithë faji i mbetet institucioneve kosovare. Raporti i Komisionit Evropian ka kritikuar institucionet, që nuk kanë forcuar sistemin e drejtësisë, ku edhe më tej, sipas raportit, ka mangësi të mëdha, sistemi është i brishtë dhe numri i rasteve të pazgjidhura mbetet shumë i lartë. Salihaj thotë se institucionet kanë ofruar zgjidhje për këto probleme që në muajin maj të këtij viti, por, sipas tij, zbatimi i tyre është penguar nga zyra ligjore e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. “Qysh në fund të majit, ne kemi dashur ta nënshkruajmë memorandumin për riemërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do t’i eliminonte këto dukuri negative nëpër gjykata dhe prokurori dhe do t’i zgjidhte më të mirët, sigurisht pas një vlerësimi që do të bëhej. Bllokada ka qenë nga Nju Jorku, nga zyra ligjore në OKB dhe ajo këtu në UNMIK e partnerë të tjerë. Komisioni Evropian ka ardhur ta nënshkruajë atë memorandum mirëkuptimi edhe Zyra Amerikane ka qenë e gatshme. Janë përgatitur fjalimet e presidentit e kryeministrit më 29 maj, por ajo s’ka ndodhur, pasi që, disa orë më përpara, kanë lajmëruar që nuk duhet të nënshkruhet memorandumi. Prandaj, nuk e di pse i kritikojnë njerëzit, kur e kanë bllokuar vetë procesin”, tha Salihaj. Raporti, ndër të tjera, kritikon institucionet e Kosovës se nuk kanë bërë mjaft për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, ndërkaq thekson se madje nuk ka legjislacion specifik rreth trafikimit të qenieve njerëzore. Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, pranon se korrupsioni në Kosovë është shtrirë në një masë të gjerë. Ai thotë se edhe më tej ka probleme për fuqizimin e mëtejmë të kësaj agjencie të re, për shkak të mungesës së vazhdueshme të buxhetit. “Agjencia prej se është funksionalizuar në shkurt të këtij viti, ka pasur probleme me buxhet dhe personel. Vazhdimisht na ka munguar një vendim i Qeverisë, që do të na mundësonte që të pranojmë zyrtarë në agjenci. Drejtori i agjencisë ka paraparë që për t’i kryer të gjitha këto obligime konform ligjit, na duhet një strukturë prej 35 zyrtarëve, ndërsa ne edhe tash i kemi vetëm 15”, tha Preteni. Në anën tjetër, Komisioni Evropian ka porositur autoritetet vendore e ndërkombëtare, që të punojnë në forcimin e sundimit të ligjit, pasi ky segment është konsideruar ndër sfidat kryesore. Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arbër Gorani, thotë se strategjia e ministrisë është në një vijë me rekomandimet e Komisionit Evropian. “Sa i përket fushëveprimit të ministrisë sonë, ne këtë raport e kuptojmë raport, në bazë të të cilit duhet t’i adaptojmë politikat apo objektivat tona afatshkurtra dhe afatmesme. Dhe, rekomandimet që janë bërë këtu, janë në përputhje të plotë me objektivat e ministrisë”, pohoi Gorani. Sido që të jetë, zyrtarë të Qeverisë konsiderojnë se zgjidhja e statusit do ta hapë rrugën për zgjidhjen e problemeve të fokusuara në raportin e rregullt vjetor të Komisionit Evropian.

XS
SM
MD
LG