Ndërlidhjet

UNDP-JA FTON SERBËT TË MARRIN PJESË NË ZGJEDHJE


Nadie Ahmeti

‘Është me rëndësi që në krye të institucioneve kosovare të kemi të përzgjedhur nga komunitete të ndryshme’. Kështu ka thënë sot përfaqësuesi i përhershëm i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Frode Mauring, gjatë një takimi me përfaqësues të partive politike serbe, nga të cilët kërkoi që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit. Megjithatë, përfaqësues të partive politike serbe janë shprehur skeptikë rreth pjesëmarrjes së tyre në këtë proces. Frode Mauring tha se është me rëndësi jetike që të gjitha etnitetet në Kosovë të kenë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe të dëgjohet zëri i tyre në institucionet e Kosovës. Ai tha se UNDP-ja është këtu që t’i përkrahë institucionet e Kosovës, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në Kosovë, ndërkaq, çështjet e pakicave, tha ai, janë një pjesë shumë e rëndësishme e këtij programi. “Që puna jonë të jetë më efikase, si me institucione ashtu edhe me pakica, është më se e rëndësishme që në krye të këtyre institucioneve t’i kemi të përzgjedhurit nga komunitetet e ndryshme”, tha Mauring, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që këta të përzgjedhur të flasin për kthimin, të drejtat e komuniteteve, lirinë e lëvizjes dhe integrimin. Sllavisha Petkoviq, nga Partia Demokratike Serbe në Kosovë, edhe pse është paraqitur dhe certifikuar që të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit, ai tha se kjo mund të ndryshojë. “Kjo varet nga shumë gjëra; së pari, nga Ekipi Negociator i Kosovës, pasi që ata na kanë borxh një përgjigje - a do ta shpallin më 10 dhjetor pavarësinë? Dhe, nëse kjo do të ndodhë, ne nuk do të jemi pjesë e zgjedhjeve të 17 nëntorit”, theksoi Petkoviq. Branislav Gërbiq, kryetar i Partisë Demokracia e Re, tha se pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme. Ai tha se partia, të cilën ai e drejton, ofron zhvillim ekonomik, si një faktor kyç për ekzistimin e të gjitha komuniteteve. “E kjo do të thotë: ekonomi e fortë, investime të fuqishme dhe kthim të të zhvendosurve në Kosovë, me ndihmën e UNDP-së dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë”, pohoi Gërbiq. Roli i liderëve politikë serbë në situatën e tanishme është shumë i vlefshëm, tha Frode Mauring, nga UNDP-ja. Ai tha se përpjekjet e tyre që t’i ftojnë serbët të marrin pjesë në zgjedhje dhe pjesëmarrja e tyre në këtë proces është shumë e rëndësishme. “UNDP-ja do të jetë pranë jush, do të jetë pranë secilit qytetar të Kosovës. UNDP-ja nuk është në Kosovë për shkak të Rezolutës 1244. UNDP-ja është në Kosovë për të përkrahur popullin dhe institucionet e Kosovës. Ne do të jemi këtu edhe pas vendimit mbi statusin”, ka thënë Mauring. Ndryshe, pas paraqitjes së 8 subjekteve politike serbe për zgjedhjet parlamentare dhe mbi 20 për ato komunale, disa nga garuesit e lajmëruar janë tërhequr, duke bërë të ditur se kanë marrë kërcënime nga më të ndryshmet, për faktin se janë paraqitur dhe licencuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e sivjetme në Kosovë.
XS
SM
MD
LG