Ndërlidhjet

LIDERËT KOSOVARË PREMTOJNË SHPALLJEN E PAVARËSISË PAS ZGJEDHJEVE


Zijadin Gashi

Liderët kosovarë kanë hedhur votat e tyre sot në kuadër të procesit zgjedhor, duke dërguar edhe mesazhe se institucionet e reja që do të dalin nga ky proces, do të deklarojnë shumë shpejt pavarësinë e Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se vota e sotme, është votë për pavarësinë e Kosovës, të cilën ai tha se Kosova do ta shpallë shumë shpejt, pas zgjedhjes së institucioneve të reja. “Me këtë proces të rëndësishëm, Kosova hyn në një fazë të re të zhvillimeve demokratike, prandaj është shumë e rëndësishme që t’i votoni të gjithë ata, që ju keni besim në ta. Është shumë e rëndësishme që Kosova, pikërisht në këtë periudhë, hap një kaptinë të veçantë, atë që ka të bëjë me statusin politik të saj, që është objektivi ynë themelor për të krijuar një jetë më të mirë të qytetarëve, për të krijuar një rehati të përgjithshme dhe perspektivën e të gjithëve në Kosovën e pavarur e sovrane”, tha presidenti Sejdiu. Ndërkohë, kryeministri Agim Çeku tha se pret zgjedhje të rregullta, pranim të rezultatit dhe ecjen përpara në formimin e institucioneve, në mënyrë që të vazhdohet tutje me finalizimin e statusit të Kosovës, me marrjen e vendimeve të duhura. Çeku tha se çdo vonesë në formimin e institucioneve të reja do ta dëmtonte procesin e statusit. “Më e rëndësishmja është që sa më shpejt të përmbyllet ky kapitull, ky episod i zgjedhjeve dhe mos të humbet kohë në krijimin e institucioneve vendimmarrëse në Kosovë, sepse na presin vendime të mëdha. Do t’i bëhet një dëm shumë i madh procesit të pavarësimit të Kosovës, nëse Kosova më 10 dhjetor nuk i ka institucionet e veta, nuk e ka zërin vendimmarrës. Kështu që do të jetë shumë e pajustifikueshme, që në emër të një procesi demokratik, të dëmtohet një proces historik, ai i pavarësimit të Kosovës”, pohoi kryeministri Çeku. Përgëzimet e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës për ditën e zgjedhjeve i ka shprehur dhe Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai tha se kjo është një ditë e madhe dhe historike për Kosovën. “I përgëzoj dhe uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për kulturën e lartë politike që kanë treguar edhe gjatë fushatës, e besoj edhe sot me pjesëmarrjen masive. Uroj dhe përgëzoj qytetarët e Kosovës për fitoren e madhe që do të arrihet sot, për demokracinë, për të ardhmen tonë të sigurt, për të ardhmen tonë në familjen evropiane”, theksoi Thaçi. Me mesazhe për pjesëmarrje në zgjedhje është paraqitur dhe kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi. Ai tha se qytetarët me votat e tyre nuk do t’i mbështesin vetëm partitë të cilave u besojnë, por do ta ndihmojnë edhe Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë. “Vota, sot, është votë edhe për Kosovën, është votë që tregon pjekurinë e popullit të Kosovës, që në momentet kur bisedohet për statusin, në momentet kur vendoset për statusin, jemi në gjendje të zhvillojmë edhe një fushatë të rregullt, edhe të mbajmë zgjedhje të rregullta. Dhe, është me rëndësi, që e tërë bota ta shohë atë çfarë jemi, e ne jemi një popull që e do demokracinë, që e do ndërtimin e rregullt të institucioneve të veta”, tha Surroi. Ndërkohë që kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, tha se është i sigurt se me këto zgjedhje, Kosova i dëshmon botës që ka kapacitet të plotë të një shteti demokratik. “Jam në mënyrë absolute i bindur, se qytetarët e Kosovës po demonstrojnë kapacitet të plotë të një shteti demokratik. Ndërsa, në të tjerët, bindja ime është po ashtu absolute e plotë, që vetëdija e qytetarëve të Kosovës është në atë nivel që të votojnë të qetë, të votojnë pa presione, pa korrupsione, që të votojnë të lirë për vete dhe gjeneratat që po na pasojnë”, u shpreh Daci. Për herë të parë në procesin demokratik merr pjesë edhe Aleanca Kosova e Re. Kryetari i saj, Behxhet Pacolli, tha se pret që procesi zgjedhor të reflektojë shumë pozitivisht edhe në të ardhmen e Kosovës. “Sot është ditë e rëndësishme për Kosovën. Sot votohet për ardhmërinë e Kosovës, për pavarësinë e Kosovës. Prandaj, duhet të jetë një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe unë besoj se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar dhe të gjithë do të dalin masivisht në zgjedhje”, tha Pacolli. Me mesazhe për të dalë në zgjedhje është paraqitur edhe kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq. Ai tha se ka presione që bëhen ndaj serbëve që të mos votohet, por pjesëmarrja, sipas tij, është në interesin e vetë serbëve. “Ka situata kur njerëzit janë të kërcënuar, por këtu bëhet fjalë për njerëz që kanë qenë në pozita dhe tash druajnë se po u rrezikohet interesi i tyre”, tha Petroviq ndërsa po votonte. Në përgjithësi, përfaqësuesit kosovarë besojnë se procesi zgjedhor do të dëshmojë kalimin me sukses të këtij testi të demokracisë, të cilin Kosova e ka kaluar pa probleme gjatë proceseve të kaluara zgjedhore.
XS
SM
MD
LG