Ndërlidhjet

ANALISTËT VLERËSOJNË SE KOSOVA E KA KALUAR EDHE NJË TEST TË DEMOKRACISË


Zijadin Gashi

Zgjedhjet e sotme në Kosovë kanë dëshmuar një kulturë të lartë demokratike të qytetarëve dhe subjekteve politike, vlerësojnë analistët. Sipas tyre, Kosova po tregohet tejet e pjekur në demokraci, çka tashmë dëshmohet me disa procese zgjedhore, sikurse edhe ky i sotmi, i cili i ka dhënë shembull rajonit se si duhet mbajtur zgjedhjet. Analisti Ramush Tahiri thotë se qytetarët kanë treguar një përgjegjësi të lartë, pavarësisht se bëhet fjalë për një proces zgjedhor me tri lista të votimeve. Ndërkaq, dalja jo shumë e lartë në përqindje e votuesve, sipas Tahirit, vjen edhe si rrjedhojë e zhgënjimeve të qytetarëve, por edhe si rrjedhojë e paralajmërimit të koalicioneve të mëdha. “Kjo do të thotë se qytetarët pak a shumë janë të dëshpëruar dhe nuk shohin ndonjë interes në votim. Mund të jetë edhe një faktor politik, që ndoshta të tjerët edhe nuk e vërejnë, se këtu është paralajmëruar një koalicion qeverisës ndërmjet dy partive më të mëdha dhe këtu vota e qytetarëve nuk duket shumë e motivuar, sepse ajo nuk sjell ndryshime të mëdha”, vlerëson Tahiri. Në të njëjtën çështje, Driton Lajçi konsideron se dalja masive apo mungesa e një daljeje masive e qytetarëve në zgjedhje, varet nga disa kushte. Në rastin e zgjedhjeve të sotme, ai numëron disa prej rrethanave, që, sipas tij, kanë ndikuar që votuesit kosovarë të mos dalin shumë masivisht në zgjedhje. “Në radhë të parë është paqartësia e statusit të Kosovës, zvarritjet e vazhdueshme për të ardhur deri te një status final; e dyta, gjendja e rëndë ekonomike e sociale e popullit të Kosovës; e treta, puna e deritanishme e partive politike dhe institucioneve qeveritare dhe e fundit, mendoj unë, është edhe sistemi i votimit”, tha Lajçi. Ndërkohë, dalja krejt simbolike e serbëve të Kosovës në zgjedhje, sipas Ramush Tahirit, është pasojë e thirrjeve të Beogradit, që nuk kanë mundur të dalin në kundërshtim me pozicionin e prezantuar nga Qeveria e Serbisë për bojkotimin e zgjedhjeve. “Kjo ka të bëjë me ndikimin e Beogradit dhe me lejimin, në rend të parë nga bashkësia ndërkombëtare, që Qeveria e Beogradit të interferojë në punët e brendshme të Kosovës dhe që qytetarët kosovarë të përkatësisë serbe ta ndjejnë vetën si qytetarë të Serbisë dhe ta ndjejnë vetën përgjegjës para Qeverisë së Serbisë”, theksoi Tahiri. Ngjashëm me votuesit shqiptarë dhe ata të komuniteteve tjera, edhe votuesit serbë, sipas Driton Lajçit, i kanë arsyet e veta pse nuk i janë përgjigjur procesit të sotëm zgjedhor, apo i janë përgjigjur me një dalje krejt simbolike. “Sa i përket bojkotit të serbëve, mendoj se edhe serbët i kanë arsyet e veta të mospjesëmarrjes. Gjithashtu edhe ata përballen me shumë të panjohura sa i përket statusit të tyre në Kosovë, e po ashtu edhe gjendja e rëndë ekonomike dhe presioni i madh i Beogradit zyrtar që t’i bojkotojnë zgjedhjet”, theksoi Lajçi. Zgjedhjet e sotme, sidomos ato parlamentare, vlerëson Ramush Tahiri, do të mund të kenë efekt edhe sa i përket Ekipit Negociues për statusin, si dhe postit të presidentit, pavarësisht faktit se ai ka mandat edhe dy vitet e ardhshme. “Kjo do të ketë reflektim edhe në vetë pozicionin e presidentit të Kosovës, i cili edhe pse e ka mandatin deri në vitin 2009, do të varet nga votat që do t’i ketë partia e tij në Parlament dhe do të varet nga përkrahja që do t’i japin partitë partnere të koalicionit. Kjo gjithashtu do të ketë ndikim edhe në vetë kompozimin e Ekipit të Unitetit, sepse mund të ndodhë që partia që fiton numrin më të madh të votave, ta udhëheqë Ekipin e Unitetit, e kjo mund të jetë ajo që e ka kryeministrinë”, pohoi Tahiri. Sidoqoftë, analistët vlerësojnë se Kosova e ka kaluar edhe njëherë testin e demokracisë, ndërkaq presin që institucionet e reja të konstituohen mjaft shpejt dhe të marrin mbi vete përgjegjësitë që u takojnë, si në nivelin qendror, ashtu edhe atë lokal.
XS
SM
MD
LG