Ndërlidhjet

PSE (S’) ËSHTË DALË NË ZGJEDHJE?


Nadie Ahmeti

Përveç obligimit moral për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme, që janë mbajtur dje në Kosovë, disa qytetarë pohojnë se kanë shpresuar se vota e tyre do të sjellë ndryshime pozitive për të ardhmen e Kosovës. Por, ka edhe qytetarë, të cilët nuk kanë dalë fare në votime, pasi, siç thonë ata, nuk kanë pritur ndonjë përmirësim të dukshëm, pavarësisht se cila parti do t’i fitojë zgjedhjet. Islam Islami thotë se në momentin kur e ka hedhur votën në kutinë e votimit, ka menduar se do të ketë ndryshime pozitive. “Unë personalisht mendoj se do të ketë ndryshime. Mendoj se megalomane kanë qenë premtimet e të gjitha partive, por vetëm 30-40 për qind po t’i plotësojnë, do të isha i kënaqur”, pohon Islami. Faton Hoxha, një qytetar tjetër nga Prishtina, thotë se me gjithë vështirësitë për përmirësimin e gjendjes në Kosovë, në qeverisjen e ardhshme ai beson se do të ketë zhvillim dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve. “Mendoj se palët që kanë fituar në zgjedhje, do të kenë një përgjegjësi të madhe, sikur në planin e brendshëm, ku kemi një situatë kritike, papunësi, ashtu edhe në planin e jashtëm, se si do të jetë statusi i Kosovës. Në politikë, kurrë nuk mund të realizohet ajo çka thuhet. Ajo varet prej kushteve të jashtme, raporteve të jashtme dhe gjeostrategjisë së jashtme, sepse po të varej prej nesh, kjo punë do ishte kryer që moti“, thotë Hoxha. Ndërkaq, Zana Ismajli thotë se ka pritur ndryshime dhe për këtë qëllim, shton ajo, ka vendosur të dalë në votime. “Unë pres çdo ndryshim për të mirën e popullit; të gjitha të metat që i kemi pasur deri më tash, të përmirësohen”, thotë ajo. Zgjedhjet e mbajtura dje kanë qenë historike për popullin e Kosovës, thotë Emin Leci, duke shtuar se pas këtyre zgjedhjeve, pritet edhe zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës. “Së pari, çështja kombëtare, pavarësia, e pastaj ekonomia e të gjitha kështu me radhë”, shprehet ai. Se ndryshime do të ketë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas publikimit të rezultateve preliminare, beson edhe Shaip Beqiraj. ”Ndryshime pres gjithsesi. Jam një njeri që ua kam dhënë votën. Nëse nuk përmirësohet, do të dal të bërtas kështu çeltas”, thotë Beqiraj. Ndërkaq, Burim Beqiri thotë se përveç obligimit moral, premtimet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore e kanë shtyrë që të votojë. “Kemi pritur ndryshime si të gjithë të tjerët. Në bazë të premtimeve të tyre, besoj se do të ketë ndryshime”, pohon Beqiri. Por, sikur që tregoi edhe përqindja e pjesëmarrjes në votimet e djeshme, ka edhe shumë të atillë që nuk kanë dalë fare në votime. Gani Gashi nuk ka votuar fare, sepse, sipas tij, përmirësime nuk do të ketë, pavarësisht nga fakti se kush do ta qeverisë Kosovën. “Jo, nuk kam dalë në zgjedhje. Njëjtë si gjithmonë. Edhe është ditur para zgjedhjeve se kush do të fitojë”, tha Gashi. Edhe Safet Avdiu nuk ka dalë në zgjedhje, meqë është i bindur se kushdo që do ta qeverisë vendin, gjendja do të jetë e pandryshueshme. “Nuk kam pritur ndryshime fare dhe për këtë arsye nuk kam dalë të votoj. Nuk ke çka të zgjedhësh, programet dhe premtimet e të gjitha partive politike kanë qenë të njëjta. Nuk kam parë risi te asnjë parti, prandaj, nuk kam votuar. Le të udhëheqë kush të dojë. Do të jetë njëjtë, prapë do të ketë korrupsion, prapë nuk do të ketë vende të reja pune. Ata sigurisht se do të punojnë për interesa të veta personale, familjare”, tha Avdiu.
XS
SM
MD
LG