Ndërlidhjet

REZULTATET E PJESËRISHME ZYRTARE TË KQZ-SË KONFIRMOJNË FITOREN E PDK-SË


Albana Isufi

Komisioni Qendror Zgjedhor publikoi sot rezultatet e pjesërishme preliminare të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Kosovës. Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kryeson Partia Demokratike e Kosovës me 34 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 21.8 për qind të votave, Aleanca Kosova e Re ka fituar 12.1 për qind, Lidhja Demokratike e Dardanisë 10.4 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 9.9 për qind, Partia Reformiste Ora ka fituar 4.2 për qind, që i pamundëson të kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind për të hyrë në Kuvend. Të gjitha partitë tjera kanë fituar 7.6 për qind. “Këto janë rezultate vetëm preliminare dhe nuk janë rezultate nga të gjitha votat e numëruara, pasi kanë mbetur të numërohen edhe votat e dërguara me postë dhe ato me kusht. Deri tash kemi votat për 24 komuna, ndërsa për Kuvendin qendror kemi rezultate nga 80 deri në 90 për qind të votave të numëruara. Ndërkaq, pjesëmarrja ende mbetet diku në mes 40 deri në 45 për qind”, tha shefi i OSBBE-së, ambasadori Tim Guldimann, duke shtuar se rezultatet finale do të dihen pas afërisht 10 ditësh. Ndërkohë, sipas shefit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, është edhe një numër i madh votash me kusht dhe të dërguara me postë, që ende nuk kanë filluar të numërohen. “Numri i fletëvotimeve që kanë ardhur me postë nga diaspora, nga jashtë Kosovës, është diku rreth 10 mijë. Nuk janë numëruar saktësisht, por janë në proces dhe janë duke vazhduar. Deri nesër do të përfundojë ky proces dhe të gjitha fletëvotimet që vijnë dhe që janë valide, do të numërohen. Ndërsa sa i përket votimit me kusht, nuk janë përfshirë në këto rezultate dhe pritet të përfshihen në ato përfundimtare”, tha Baraliu. Ndërkohë, edhe në zgjedhjet për asamble të komunave dhe kryetarë komunash, sipas rezultateve preliminare të 24 komunave, është duke kryesuar Partia Demokratike e Kosovës. Megjithatë, gati në tërë komunat do të ketë sërish garë zgjedhore për dy kandidatët që kanë fituar më së shumti vota, meqë vetëm nuk ka mundur të arrihet 51 përqindëshi i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të komunës. Baraliu thotë se raundi i dytë i votimit do të mbahet pas gati tri javësh. “Në bazë të vendimit të KQZ-së, raundi i dytë për kryetarë të komunave do të mbahet më 8 dhjetor”, pohoi Baraliu. Deri tash, KQZ-ja nuk ka identifikuar se sa fletëvotime mund të shpallen të pavlefshme, pasi mbajtja e tri niveleve të zgjedhjeve ka komplikuar procedurën e votimit. Ndërkaq, Baraliu ka njoftuar se numërimi i votave me kusht dhe i atyre të dërguara me postë do të bëhet në praninë e vëzhguesve nga subjektet politike dhe atyre të pavarur, duke përjashtuar kështu mundësinë e manipulimeve. Ndryshe, rezultatet e sotme të KQZ-së nuk dallojnë pothuajse fare nga ato që tashmë janë shpallur nga koalicioni i organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’. Certifikimi i rezultateve zyrtare pritet të bëhet nga shefi i UNMIK-ut më 4 dhjetor.
XS
SM
MD
LG