Ndërlidhjet

HARADINAJ:”PA AAK-NË VËSHTIRË SE DO TË KETË QEVERI TË RE”


Daut HARADINAJ, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, që prej përfundimit të zgjedhjeve të 17 nëntorit janë dëgjuar mendime të ndryshme, nëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duhet të jetë në strukturat qeverisëse. Nëse ju bëhet një ofertë nga Partia Demokratike e Kosovës, a do të hyni në koalicion me këtë parti?

DAUT HARADINAJ
Ne kemi mbajtur një qëndrim shumë të qartë. I jemi bashkuar procesit të zgjedhjeve të 17 nëntorit; si parti politike, duhet të theksoj se kemi dalë mirë. Në mungesën e liderit tonë, Ramush Haradinaj, ka qenë një vështirësi në punë, por, prapëseprapë, me angazhimin e të gjitha strukturave, qoftë të nivelit qendror, ashtu edhe lokal, ne arritëm që të kemi një rezultat në ngritje e sipër; një rezultat të kënaqshëm në rajonin e Dukagjinit, në Pejë, Gjakovë e Deçan; një ngritje shumë të madhe në Klinë e Rahovec. Dhe, natyrshëm, kjo ngritje detyrimisht na bën pjesë të procesit. Në situatën ku jemi, unë personalisht i kam disa rezerva tek lideri i PDK-së, ndërsa nuk do ta pengoja strukturën e Aleancës që t’iu bashkohet proceseve të ardhshme. Ne kemi thënë edhe më herët, se pa Aleancën, vështirë se do të ketë qeveri të re.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë rezervash keni për Partinë Demokratike të Kosovës?

DAUT HARADINAJ
Mendoj se në situatat që kemi qenë në të kaluarën, nuk ka qenë vetëm një opozitë, janë tejkaluar përmasat e një opozite. Nuk kam diçka në kuptimin personal, por qëndrimet e tij nuk kanë qenë gjithmonë fer dhe korrekte karshi proceseve që kemi kaluar si shoqëri, si popull i Kosovës dhe natyrisht proceseve politike për statusin final. Në këto situata, njerëzit duhet të kenë kujdes; e dini shumë mirë qëndrimin tonë të partisë, që ne e kemi përgëzuar për rezultatet e arritura, i kemi pranuar, jemi pajtuar me këto rezultate dhe nga këtu vazhdojmë. Do të thotë, ndërrimi i qeverive dhe i pushteteve nuk duhet të merret si një vështirësi e jashtëzakonshme. Është një gjë e dhimbshme për ata njerëz që kanë qenë deri më tash në pushtet, por, prapëseprapë, është pjesë e procesit, me të cilën në ditën që hyn në politikë, duhet të pajtohesh. Dhe, ky shembull duhet të përcillet edhe tek partitë tjera politike; do me thënë në të kaluarën nuk ka qenë e lehtë, sepse janë prekur disa vija te karakteret e njerëzve, që nuk është e ndershme, nëse guxoj ta quaj ashtu. Por, edhe njëherë e përsëris, duhet të jemi konstruktivë dhe aktivë në të gjitha proceset që po kalon vendi ynë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat rrethana do të pranoni të hyni në koalicion?

DAUT HARADINAJ
Ato janë çështje teknike. Nuk do të ndalem në çështje teknike, sepse aty vendos struktura e partisë, nënkryetarët, po ashtu edhe Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm, koleziumi i ekspertëve dhe gjitha këto. Por, qëndrimi jonë si parti është t’i presim njëherë rezultatet finale, të shohim ku jemi, me çka kemi dalë saktësisht dhe prej aty ta vazhdojmë punën. Natyrisht që për mu vazhdon të jetë primar statusi final ose shpallja e pavarësisë së Kosovës sa më shpejt. Institucionet e reja që do të dalin, do ta kenë këtë përgjegjësi dhe natyrisht që kjo nuk është e lehtë. Ata njerëz që do të hyjnë në qeveri dhe do të hyjnë në Parlament, kanë një përgjegjësi shumë të madhe para popullit të Kosovës, sepse populli është në një situatë shumë të vështirë. Krejt çka mund të them është se unë do të kërkoj prej atyre njerëzve, jo vetëm të AAK-së, por edhe të PDK-së, LDK-së apo partive tjera, që ata njerëz që hyjnë në pozicione qeverisëse ekzekutive, t’i marrin përgjegjësitë e veta dhe t’i përgjigjen vullnetit të qytetarëve të Kosovës, në radhë të parë për statusin final.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni ju numrin e vogël të pjesëmarrësve në zgjedhje? Janë përmendur arsye të ndryshme, në mesin e të cilave edhe keqqeverisja e deritashme. Ju, çfarë mendoni?

DAUT HARADINAJ
Të gjitha janë nga pak. Por, kjo më së shumti dëshmon mungesën e besimit te lidershipi i Kosovës, sepse pjesëmarrja në votë nuk nënkupton vetëm ndëshkimin ndaj institucioneve ose qeverisë, sepse aty nuk kanë marrë pjesë vetëm institucionet e Kosovës. Aty kanë qenë të gjitha partitë politike dhe kjo nuk është krejt e saktë, sepse vullneti i qytetarëve ka shkuar në të gjitha partitë politike, nuk ka shkuar vetëm tek koalicioni qeverisës ose tek Qeveria e Kosovës. Ne këtë rast, mendoj se qytetarët e Kosovës kanë filluar ta humbin atë optimizmin e madh tek institucionet për realizimin e objektivave madhore. Dhe, për këtë arsye, unë e kam thënë edhe në fushatë, edhe para fushatës, do ta them edhe pas datës 8, kur të përfundojnë zgjedhjet e balotazhit, ku ne do të duhet të bëjmë veprime të shpejta, të sakta, në koordinim me miqtë tanë, SHBA-të dhe Evropën, dhe ta çelim dritaren e perspektivës së Kosovës, sepse deri sot jemi të ngulfatur. Situata ekonomike është shumë e vështirë dhe kjo është njëri prej faktorëve që e ka ndërruar skenën politike. Statusi final është njëri prej faktorëve madhorë, që nuk i ka motivuar qytetarët të dalin në zgjedhje. Natyrisht, edhe një gjë duhet ta kemi parasysh, se në gjithë botën, në vendet demokratike, nuk do të thotë se pjesëmarrja duhet të jetë krejt populli i shtetit, sepse e dimë se në çdo përqindje që participon në zgjedhje, përqindja shumicë udhëheq me institucione.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mendoni se do të ishte formula më e mirë qeverisëse, gjithnjë duke pasur parasysh periudhën e ndjeshme, në të cilën Kosova ka hyrë në raport me statusin e saj politik?

DAUT HARADINAJ
Nuk do të ndalesha në emra dhe në parti politike. Për mua me rëndësi është ndryshimi i shpejtë i institucioneve, ardhja në pushtet e atyre njerëzve që kanë marrë besimin e qytetarëve dhe që do të arrihet marrëveshja adekuate, si dhe caktimi i njerëzve që vërtet do t’i kryejnë përgjegjësitë e veta. Ndërsa, kush do të jetë pjesë e procesit, e kam përsëritur shumë herë dhe vazhdoj ta përsëris, se nuk është me rëndësi në këtë kohë. Është shumë me rëndësi se a ka vullnet dhe a duan të punojnë, a duan t’i çojnë proceset përpara. Unë jam shumë i bindur se nëse ekziston një vullnet i tillë, as AAK-ja nuk do t’i thotë jo asnjë projekti dhe do të jemi konstruktivë, do të jemi pjesë e procesit. Por, nëse tentohet të shkohet me elemente jo progresivë, atëherë unë jam skeptik për një të ardhme, të cilën e presim të gjithë, sepse e presim një të ardhme evropiane dhe shumë shpejt të integruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë jemi tek statusi, në Baden të Austrisë, sot fillon raundi i fundit i bisedimeve, për të cilat ka pasur pak shpresa, për të mos thënë fare, se do të sjellin ndonjë rezultat. Çfarë mendoni se duhet të bëjë Kosova në këtë rast?

DAUT HARADINAJ
Kosova i ka bërë publike qëndrimet e veta me kohë. Qysh në luftën e fundit, më 1999, qëndrimi jonë ka qenë për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Natyrisht se kemi bërë kompromise pozitive në favor të minoriteteve serbe, ose siç po i quajnë diskriminim pozitiv, deri te vendet e rezervuara në Parlament, në institucionet e Kosovës, dhënia e përgjegjësive shtesë tek pushtetet lokale. Do të thotë, të gjitha këto janë bërë kompromise deri diku edhe të dhimbshme, për t’i favorizuar ata që ta pranojnë realitetin e ri. Natyrisht që serbët deri në këtë kohë kanë qenë instrumente të Beogradit, të keqpërdorur prej Beogradit. Unë jam shumë i bindur, që në të ardhmen e afërt, duhet ta kuptojnë ose do ta kuptojnë, se e ardhmja e tyre është në Prishtinë, e jo në Beograd. Ditën që ata do ta kuptojnë dhe ditën që Beogradi do të pajtohet se e ka humbur Kosovën, ne do të ecim përpara. Ndërsa, nga bisedimet nuk shoh ndonjë rezultat konkret në tavolinë, për shkak të përvojës që kemi me Qeverinë serbe, qoftë në të kaluarën, qoftë në të tashmen, sepse ata nuk kanë një vullnet bashkëpunimi. Unë mendoj se nuk duhet edhe shumë kohë të humbet me ta. Ne kemi partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare dhe me Beogradin do të takohemi si dy shtete fqinje në Bruksel, sepse çdo ditë e humbur është e kushtueshme jo vetëm për Kosovën, por, në të njëjtën kohë, edhe për Serbinë. Ata nuk kanë ndonjë gjendje më mirë se ne. Ata, më mirë është që ta kthejnë kokën pas dhe t'i shikojnë punët e veta, ta lënë Kosovën të ecë përpara, sepse nuk do të mund ta ngufasin, ashtu siç nuk kanë mundur as regjimet e mëhershme. Në këtë rast, ne jemi në pozicion shumë të mirë, shumë të favorshëm. Shpresoj se Ekipi i Unitetit, i udhëhequr nga presidenti Sejdiu, nuk do të tërhiqet nga pozicionet e deklaruara para qytetarëve, se pavarësia është i vetmi opsion. Natyrisht, pakoja e Ahtisaarit është e paprekshme në këtë rast. Besoj shumë se në ditët dhe javët që vijnë, shumë shpejt ne do të jemi një shtet i barabartë me të gjitha shtetet tjera të rajonit.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI

XS
SM
MD
LG