Ndërlidhjet

QYTETARËT: (S’)KA VONESA NË NXJERRJEN E SIMBOLEVE TË KOSOVËS


Arton Konushevci

Çështja e simboleve të Kosovës është komplikuar, për shkak se nuk është menduar me kohë për zgjidhjen e simboleve të vendit, vlerësojnë qytetarët. Ibrahim Tahiri mendon se Kosova nuk i ka simbolet sot, për shkak të neglizhencës së udhëheqjes politike. “Mendimi im personal është se çdo send e kemi me vonesë. Ishte neglizhenca e udhëheqjes sonë, domethënë, klasës politike, por edhe paaftësia e faktorit ndërkombëtar. Është dashur që kah mesi i këtij viti t’i kemi të gjitha në tavolinë, stemën, flamurin, por çdo gjë ka ngecur. Populli ka pritur shumë më tepër, mirëpo jemi ku jemi”, thotë Tahiri. Kurse, Mehmet Kraja pohon se përzgjedhja e simboleve të Kosovës duhet të bëhet me qetësi. Ai mendon se simbolet e shtetit të Kosovës duhet të jenë të pranueshme për të gjithë qytetarët dhe të kenë një mirëkuptim të brendshëm politik. “Nuk është punë vonese kjo. Do të jetë një punë e komplikuar, mendoj unë, sepse puna është se nuk është menduar me kohë për disa gjëra, për disa zgjidhje. Unë mendoj se edhe përkundër vonesave, duhet që gjërat të bëhen me qetësi, pa u ngutur, me një mirëkuptim politik dhe qytetar, mos të ketë kundërthënie të brendshme politike, por të tilla zgjidhje realisht duhet t’i përkrahë shumica e njerëzve në Kosovë, duhet të jenë simbole që miratohen dhe pëlqehen nga shumica e njerëzve në Kosovë. Prandaj, unë them se ka pasur hapësirë për një referendum dhe për një zgjidhje që do t’i inkuadronte ekspertët, do të mund ta inkuadronte edhe një masë më të gjerë njerëzish, në kuptimin që të bëjmë simbole dhe të bëjmë gjëra që do të kenë qëndrueshmëri më të gjatë”, u shpreh Kraja. Ndërkaq, Ismajl Kryeziu thotë se nxjerrja e simboleve të Kosovës është vonuar. Por, megjithatë, ai mendon se udhëheqësit e Kosovës shpejt do ta gjejnë një zgjidhje. “Mendoj se janë vonuar, mirëpo ndoshta do ta gjejnë një zgjidhje; ata e dinë më mirë. Nuk ka kohë që të vonohen më shumë. Mendoj se do ta gjejnë një zgjidhje që do të jetë e pranueshme edhe për qytetarët. Megjithëse, koha është shumë e kufizuar, është dashur më herët të gjendet një zgjidhje”, thotë Kryeziu. Dafina Bajraliu mendon se gjithçka është vonuar në Kosovë, duke përfshirë edhe simbolet. “Dy shtete me të njëjtat simbole, si Shqipëria dhe Kosova, nuk mund të jenë askund në botë. Tash nuk e di se çka do të bëhet, do të vendosë dikush tjetër. Gjithçka është vonuar në Kosovë, edhe simbolet”, shprehet Bajraliu. Edhe Nazmi Raqi mendon se simbolet dhe pavarësia e Kosovës janë vonuar. “Po, është dashur të zgjidhen më herët. Edhe flamuri, edhe pavarësia, është dashur të bëhen më herët”, thotë Raqi. Ekrem Murtezai thotë se pjesërisht ka vonesa në këtë drejtim, por ai është i bindur se shumë shpejt Kosova do t’i ketë simbolet. “Pjesërisht jemi vonuar, por jo se paraprakisht janë bërë disa përgatitje të niveleve të ndryshme. Unë jam akademik Ekrem Murtezai dhe e di se në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që moti e kemi formuar grupin e ekspertëve, të cilët kanë diskutuar disa herë për simbolet kombëtare, flamurin, stemën, himnin. Kështu që nëse pritet të shpallet pavarësia pas 10 dhjetorit ose kurdo që të shpallet, ne jemi gati që t’i paraqesim para Parlamentit dhe Parlamenti është ai që vendos se cilat do t’i zgjedhë nga këto simbole. Kështu qe nuk mendoj se jemi vonuar; kemi kohë, për arsye se ka një vit që përgatitemi për këtë punë”, thotë Murtezai.
XS
SM
MD
LG