Ndërlidhjet

EKONOMIA – PENG I NEGOCIATAVE


Nadie Ahmeti

Problemet politike dhe zgjidhja e çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës kanë lënë anash përmirësimin e gjendjes ekonomike, thonë ekspertë kosovarë për çështje ekonomike. Me gjithë faktin se zgjidhja e statusit është çështje jetike për të gjithë qytetarët e Kosovës, Besim Beqa, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se karshi këtij procesi është dashur të punohet edhe për zhvillimin ekonomik. Ai thotë se së paku dikush nga institucionet qeveritare është dashur të merret me këtë fushë. “Statusi është pengesë shumë e madhe për zhvillimin ekonomik, por nuk është pengesë e vetme. Unë mendoj se një qasje qeveritare është dashur ta ngritë shumë më lartë zhvillimin ekonomik në agjendën e tij, duhet të ndryshohet tash dhe krahas statusit duhet të argumentojmë se pavarësia e vendit mund të mbijetojë me zhvillim ekonomik”, tha Beqa. Zhvillimi ekonomik ka mbetur peng i negociatave të zhvilluara për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, thotë eksperti tjetër, Ibrahim Rexhepi. Sipas tij, mosangazhimi rreth problemeve ekonomike është bërë për shkak të neglizhencës së institucioneve vendore ndaj këtij problemi. “Liderët politikë apo liderët institucionalë kanë pasur kohë që edhe më shumë të merren me problemet e ekonomisë, në fakt, qoftë të negociatave, qoftë për shkak të faktorëve ndërkombëtarë dhe vendorë, që statusi të definohet sa më parë. Ekonomia ka mbetur peng i negociatave”, tha Rexhepi. Çështja e statusit nuk ka qenë problem as pengesë për zgjidhjen e problemeve ekonomike, thotë Besim Beqa, duke shtuar se në këtë aspekt ka munguar vullneti i përfaqësuesve të institucioneve vendore. “Prioritet ka qenë statusi dhe ne i kemi falur të gjitha gabimet, të cilat janë bërë në forma të ndryshme. Por, nuk mund të thotë askush se statusi ka qenë problem i vetëm. Unë mendoj se kapacitetet qeverisëse të Kosovës nuk kanë qenë në nivel për t’u marrë me zhvillimin ekonomik. Prandaj, askush nuk mund të arsyetohet në atë se ne nuk kemi pasur status dhe zhvillimi i ndërmarrjeve tona ekonomike në Kosovë ka pasur pengesa të drejta vetëm prej statusit”, u shpreh Beqa. Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi pohon se kapacitetet ekzistojnë për t’u marrë me këtë çështje, por ekziston mosinteresimi karshi këtij problemi. Ai thotë kështu duke llogaritur në numrin e madh të stafit në institucionet vendore. “Në asnjë situatë nuk duhet pritur që e tërë fuqia motorike të bie mbi kurrizin e një njeriu apo dy; duhet të funksionojë institucioni; duhet të funksionojë presidenca, qeveria, parlamenti e kushdo tjetër, në mënyrë shumë dimensionale. Ka njerëz, ka kapacitet, ku mund të mbulohen të gjitha zhvillimet apo të gjitha prioritetet që ata kanë caktuar në agjendat e tyre”, theksoi Rexhepi. Besim Beqa thotë se zhvillimi ekonomik ka mundur të bëhet edhe pa zgjidhjen e statusit dhe ndryshimi i politikave fiskale, sipas tij, ka qenë komplet në duart e qeverisë. “Mendoj se sikur të ishim një shoqëri më e organizuar, që të vlerësohet gjendja e ndërmarrjeve, gjendja e ekonomisë, që mund të lëvizin gjërat në mënyrë pozitive, zhvillimi ekonomik ka mundur të bëhet. Përderisa ka mundur të nënshkruhet CEFTA, që tregu të liberalizohet, atëherë kanë mundur të marrin hapa konkretë, qeveritarë, për përmirësimin e gjendjes së ndërmarrjeve tona, për të konkurruar me ndërmarrjet që vijnë nga jashtë”, tha Beqa. Sidoqoftë, edhe vetë zyrtarë të institucioneve vendore dhe ekspertë të ndryshëm të ekonomisë tashmë kanë deklaruar se zhvillimi ekonomik vazhdon të jetë nja nga sfidat më të rënda përballë institucioneve vendore, që shpresojnë se me zgjidhjen e statusit, do të zgjidhen edhe problemet në aspektin ekonomik. Por, ekspertë tjerë mendojnë se statusi nuk është shkop magjik, i cili eliminon menjëherë problemet ekonomike që janë grumbulluar me vite të tëra.

XS
SM
MD
LG