Ndërlidhjet

TRESHJA U PREZANTON PRISHTINËS E BEOGRADIT KORNIZAT E RAPORTIT DHE KONKLUDON FUNDIN E MANDATIT


Zijadin Gashi

Përfaqësuesit e Treshes ndërkombëtare, si ndërmjetësues të bisedimeve shtesë për statusin e Kosovës ndërmjet Prishtinës e Beogradit, i kanë dorëzuar Ekipit Negociator kosovar raportin preliminar lidhur me përmbajtjen e negociatave, raport ky, i cili, më 10 dhjetor, do t’i procedohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Përfaqësuesit e Treshes thanë pas takimit me Ekipin Negociues të Kosovës se mandati i tyre përmbyllet më 10 dhjetor, ndërkaq se a do të vazhdojë tutje apo jo procesi i statusit të Kosovës, kjo çështje, sipas tyre, mbetet të vendoset nga Këshilli i Sigurimit si dhe qeveritë e angazhuara në proces. Në anën tjetër, në emër të palës kosovare, presidenti Fatmir Sejdiu tha se për Prishtinën negociatat kanë përfunduar dhe falënderoi Treshen për kontributin e dhënë. Sidoqoftë, përfaqësuesi amerikan në Treshe, ambasadori Frank Wisner, tha se me dorëzimin e raportit te Sekretari i Përgjithshëm, mandati i Treshes merr fund. “Mandati i Treshes ka përfunduar. Do të ketë takime të tjera në Këshillin e Sigurimit. Çështja e statusit është ende e pazgjidhur, por misioni i Treshes përfundon me dorëzimin e raportit te Sekretari i Përgjithshëm”, ka sqaruar ambasadori Wisner. Ndërkaq, ambasadori gjerman, në cilësinë e të dërguarit të BE-së në Treshe, Wolfgang Ischinger, tha se Treshja i ka lëvizur të gjithë gurët për të arritur deri te marrëveshja, por kjo ka qenë e pamundur. Sidoqoftë, Ischinger tha se procesi kishte disa të arritura, duke veçuar këtu gatishmërinë e palëve për të diskutuar dhe për t’u zotuar se do të përmbahen nga çdo akt dhune dhe nxitje që çon kah dhuna. Ndërkohë, për dallim nga kolegët e tij në Treshe, ambasadori rus, Aleksander Botsan Kharchenko, tha se negociatat nuk mundën të prodhojnë zgjidhje, por, sipas tij, Treshja nuk mund të konkludojë dështimin e negociatave, ngase, siç tha ai, ende ka vend për kompromis. “Besoj se negociatat kanë shanse dhe shoh se ka vend ende për kompromis dhe zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, tha Kharchenko. Mirëpo, vazhdimi i negociatave është kundërshtuar menjëherë nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai tha se do të dëshironte që procesi të përmbyllej me marrëveshje, por kjo nuk u arrit dhe i sugjeroi Treshes që në raportin final të ketë parasysh se për Kosovën, zgjidhja që ka propozuar presidenti Ahtisaari për Kosovën e pavarur me një mbikëqyrje ndërkombëtare, është zgjidhja më e mirë e mundshme. “Kosova është e gatshme që t’i mbajë zotimet e veta të dhëna dhe të deklaruara edhe para Treshes, edhe në procesin e Ahtisaarit. Dhe, ne mendojmë se 'projekti Ahtisaari' është një zgjidhje optimale dhe e mirë për perspektivën tonë. Prandaj, mendojmë se Treshja do ta ketë parasysh këtë qëndrim që ne e kemi shprehur dhe shumë shpejt do ta japë edhe kornizën finale të raportit të saj, sepse ne u njoftuam edhe me përmbajtjen themelore të tij. Ne mendojmë se në një proces shumë të shpejtë, në koordinim me të gjithë faktorët që kanë ndihmuar dhe kanë qasjen e veçantë për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj, të marrim vendimet tona”, tha presidenti Sejdiu. Përfaqësuesit e Treshes thanë në Prishtinë se raporti i tyre me asgjë nuk do të përmbajë diçka që nuk është diskutuar gjatë procesit shtesë negociator. Ky raport, ata thanë se do të jetë gati para datës 10 dhjetor, kur i pari në duart e veta do ta ketë Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon.

Para Prishtinës, Treshja ia ka dorëzuar kornizat e raportit lidhur me negociatat edhe Beogradit. Pas takimit me zyrtarët serbë, i dërguari i BE-së tha se Treshja ka bërë përpjekje intensive, duke mos lënë pa rrokullisur asnjë gur, në kërkim të zgjidhjes për statusin e Kosovës. "Ne i shqyrtuam dhe eksploatuam të gjitha opsionet e mundshme të arsyeshme, si dhe të gjitha propozimet e të dyja palëve. Puna jonë përfundon me raportin që po e finalizojmë. Kuptohet, kjo s'do të thotë se bisedimet për Kosovën nuk mund të eksplorohen në forma tjera apo gjetkë", tha Wolfgang Ischinger. "Ky raport konkludon se të dyja palët nuk ishin në gjendje të arrijnë marrëveshje. Ne nuk bëjmë propozime që do ta befasonin dikë", tha diplomati gjerman. I dërguari rus tha se fjalën e fundit për Kosovën duhet ta ketë Këshilli i Sigurimit. "Këshilli i Sigurimit ka filluar ta shqyrtojë këtë çështje dhe kjo çështje në fund do të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit", tha Aleksander Botsan Kharchenko. I dërguari amerikan tha se do të varet nga qeveritë si do të vazhdojnë, pasi raporti t'i prezantohet Kombeve të Bashkuara, më 10 dhjetor. "Mandati ynë përfundon këtu, por çështja e statusit final të Kosovës nuk përfundon me raportin; ajo është në duar të qeverive. Pozicionet e qeverive tona janë artikuluar gjetkë. Këtu nuk ka kurrfarë befasie", tha Frank Wisner. Para takimit, Ischinger u tha mediave serbe se "status quo"-ja në Kosovë është e paqëndrueshme. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, tha pas takimit se procesi negociator nuk përfundon me raportin e Treshes. "Ne presim që dialogu për statusin të vazhdojë", tha Jeremiq. Ministri për Kosovën në Qeverinë serbe, Sllobodan Samarxhiq, gjithashtu kërkoi vazhdimin e bisedimeve dhe tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion te shqiptarët.


XS
SM
MD
LG