Ndërlidhjet

PDK-JA ËSHTË PËR NJË FORMULË STABILITETI


Albana Isufi

Partia Demokratike e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për koalicion me partitë e minoriteteve jo serbe, ndërsa sot nis diskutimet me subjektet politike shqiptare, për ndërtimin e koalicionit qeverisës. PDK-ja ka pritur deri tash rezultatet finale të KQZ-së, ndërkohë, zëdhënësja Vlora Çitaku thotë se organet e partisë do të vendosin për formulën e ardhshme qeverisëse. “Ne, sot, nënshkruam marrëveshje me partitë jo serbe, ato boshnjake dhe turke. Besojmë se, brenda ditëve në vijim, do ta kemi të qartë edhe formulën që do ta qeverisë Kosovën, në 4 vjetët e ardhshëm”, tha Çitaku. PDK-ja ka nënshkruar, ditë më parë, një marrëveshje me Aleancën Kosova e Re, të drejtuar nga Behgjet Pacolli, për qeverisjen në nivel lokal. Çitaku tha se kjo nuk e paragjykon koalicionin në nivel qendror dhe, sipas saj, PDK-ja mbetet e hapur për të gjitha partitë politike. “PDK-ja është për një formulë që Kosovës do t’i ofrojë stabilitet dhe jetën e qytetarit të Kosovës do ta bëjë më të përafërt me jetën e një qytetari evropian. Ne nuk kemi preferenca e as vija të kuqe, por do të bëjmë përzgjedhjen që do të ndikojë më së miri në krijimin e një qeverie stabile dhe kalimin e procesit historik për zgjidhjen e statusit”, theksoi Çitaku. KQZ-ja ka publikuar dje rezultatet finale, ku PDK-ja është rikonfirmuar si fituese e zgjedhjeve parlamentare, ndërsa Partia Reformiste Ora përfundimisht nuk e kaloi pragun prej 5 për qind, për të hyrë në Kuvend. Lideri i ORA-s, Veton Surroi, ka pranuar rezultatet e zgjedhjeve dhe ka uruar deputetët e rinj. Disfatën e ORA-s, Surroi e ka quajtur edhe humbje të tij personale. “Si prijës i kësaj partie, është shumë e qartë se kjo është edhe një disfatë e imja si kryetar i partisë, por edhe disfatë e imja personale. Natyrisht, jam i gatshëm që t’i bart konsekuencat e kësaj disfate edhe si kryetar i partisë, edhe personalisht. Do ta kemi një analizë të gatshme në parti, javën e ardhshme, dhe kemi propozuar si kryesi që të kemi një kongres të jashtëzakonshëm në fund të këtij muaji, në të cilin do të trajtonim rezultatet e zgjedhjeve, pasojat që do të kenë këto rezultate në veprimin e mëtutjeshëm dhe t’i marrim vendimet e duhura”, tha Surroi. Ndryshe, ai tha se koalicioni i ardhshëm qeveritar duhet ndërtuar në bazë të përkrahjes që kanë dhënë votuesit për subjektet e caktuara politike. “Unë mendoj se qeveritë e Kosovës duhet të ndërtohen mbi bazë të përkrahjes që kanë prej votuesve. Unë mendoj se ka qenë një abnormalitet forma e deritanishme e kompozimit të qeverisë. Ajo që dihet është se edhe kryeministri, edhe ministrat, duhet të kenë një përkrahje të fortë në Parlamentin e Kosovës, në mënyrë që të bëjnë veprime të duhura”, u shpreh Surroi. Që nga përfundimi i zgjedhjeve, në opinionin kosovar kanë qarkulluar formula të ndryshme mbi ndërtimin e koalicionit qeverisës. Sidoqoftë, nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, ka thënë, ditë më parë, se në Kosovë do të vazhdojë formula pozitë - opozitë, duke përjashtuar kështu mundësinë e bashkëqeverisjes, si një nga opsionet e mundshme të qeverisë së ardhshme.

XS
SM
MD
LG